Lajme
Policia e Neuchâtel-it shton përpjekjet kundër mashtrimeve me “policë të rremë” që synojnë të moshuarit
Policia në kantonin e Neuchâtel-it po intensifikon përpjekjet për të luftuar mashtrimet telefonike me “policë të rremë”, të cilat po synojnë veçanërisht qytetarët e moshuar. Vetëm në vitin 2025, në të gjithë Zvicrën u vodhën rreth 5.6 milionë franga zvicerane përmes mashtrimeve të këtij lloji, ku autorët shtiren si policë ose bankierë.
Në kuadër të fushatës parandaluese, policia e Neuchâtel-it organizoi të hënën në mbrëmje një seancë informuese për rreth 300 të moshuar, ku u shpjegua mënyra se si veprojnë mashtruesit.
Si veprojnë mashtruesit
Ndryshe nga sa mund të mendohet, personat që shtiren si policë nuk përpiqen gjithmonë të maskohen. Ata mund të paraqiten me rroba të zakonshme, ndonjëherë edhe me tuta sportive, duke mbajtur një kartë identifikimi të rreme të policisë. Metoda kryesore e tyre është fitimi i besimit të viktimës.
Shpesh ata e fillojnë bisedën me pyetje të padëmshme si:
“Si jeni?”, “A keni fjetur mirë?”, për të krijuar një atmosferë besimi.
Manipulim psikologjik
Qëllimi i tyre është të mbajnë viktimën në telefon ndërsa një bashkëpunëtor shkon në shtëpinë e saj për të marrë para në dorë, karta bankare ose kodet PIN.
Këto mashtrime mbështeten pothuajse tërësisht në manipulim psikologjik, jo në dhunë. Viktimat janë kryesisht të moshuar, me një moshë mesatare rreth 85 vjeç.
Danielle, 87 vjeçe, pothuajse ra në grackë javën e kaluar. Ajo tregoi se mashtruesi i kishte kërkuar të kontrollonte kartat bankare dhe i kishte thënë se dy persona të rinj të arrestuar kishin emrin dhe adresën e saj.
“U përfshiva nga emocioni, edhe pse diçka më dukej e çuditshme”, tha ajo.
Ndërkohë, një tjetër i moshuar, Yvan, gjithashtu 87 vjeç, thotë se tashmë nuk i përgjigjet telefonit kur nuk e njeh numrin.
Mashtrues gjithnjë e më të sofistikuar
Sipas zëdhënësit të policisë së Neuchâtel-it, Georges-André Lozouet, mashtruesit po bëhen gjithnjë e më të aftë në kryerjen e krimeve të tyre.
“Qëllimi i tyre është të krijojnë një emocion aq të fortë tek viktima, sa ajo të mos ketë kohë të mendojë ose të kërkojë ndihmë,” shpjegoi ai. Shpesh ata japin një lajm tronditës që kërkon vendime të menjëhershme nga viktima.
Si mund të dallohen “policët e rremë”
Sipas Achille Ponzo, përgjegjës për parandalimin e kriminalitetit, gjuha që përdorin mashtruesit mund të jetë një tregues i rëndësishëm.
“Shpesh ata përdorin mënyra të të folurit që nuk janë tipike për rajonin tonë. Për shembull, thonë ‘departament’ në vend të ‘kanton’. Kjo duhet të ndezë një alarm, sepse këtu thuhet: ‘Jam nga policia e kantonit të Neuchâtel-it’,” shpjegon ai.
Policia këshillon që në rast dyshimi të mbyllet menjëherë telefoni dhe të kontaktohet policia.
Shkallë e lartë zbardhjeje të rasteve
Autoritetet theksojnë se lufta kundër këtyre mashtrimeve po jep rezultate. Sipas Lozouet, në rastet e raportuara në Neuchâtel është arritur të arrestohen 76% e personave që veprojnë si “korrierë”, pra ata që shkojnë të marrin paratë nga viktimat.
Megjithatë, organizatorët e këtyre rrjeteve kriminale janë më të vështirë për t’u kapur, pasi shpesh veprojnë nga jashtë vendit dhe rekrutojnë korrierë përmes internetit.
Fenomen më i përhapur në Zvicrën frankofone
Sipas policisë, këto rrjete kanë lidhje kryesisht me Francën dhe fenomeni është më i përhapur në rajonet frankofone të Zvicrës, ndërsa Zvicra gjermanofolëse është më pak e prekur.
Autoritetet e Neuchâtel-it janë duke zhvilluar hetime ndërkombëtare me Francën dhe po bashkëpunojnë gjithashtu me kantonet e tjera frankofone, pasi disa raste përfshijnë të njëjtët autorë në disa kantone.
E-Diaspora
-
Vdekja e 19 vjeçarit shqiptar në Londër në vendin e punës, reagon familja e tij Familja e të ndjerit deklaroi se fakti që vdekja e tij ishte plotësisht e shmangshme e... -
Në Vjenë ndizen qirinj për viktimat e aksidentit tragjik -
Granit Xhaka rrëfen sakrificat e familjes, -
Itali
Përplasje fatale në Itali: 30-vjeçari shqiptar qëllohet për vdekje pas një sherri -
Londër
Akademia Ballkanike e Pianos bëhet pjesë e sistemit prestigjioz Trinity College London
Jeta në Austri
-
Në Vjenë ndizen qirinj për viktimat e aksidentit tragjik Edhe disa ditë pas aksidentit tragjik në vendin e punës, ku humbën jetën tre kosovarë,... -
Austri: Kosovarja shkakton aksident me makinë, lëndohet rëndë çiklistja -
Janë nisur drejt Kosovës trupat e viktimave nga aksidenti në Vjenë -
Austri: Dialektet do të mësohen në kurset e reja të integrimit -
Aksidenti tragjik në Vjenë: Kompania e ndërtimit fshin gjurmët pas vdekjes së tre kosovarëve













