Kosova

Policia e Kosovës ka gjetur dhjetë detonatorë ndezës me kabllo në Leposaviq

Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka gjetur dhjetë detonatorë ndezës me kabllo në Leposaviq.

Sipas njoftimit, ato janë gjetur nga njësi të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës në afërsi të lumit të fshatit Gnjezhdan, transmeton albinfo.ch.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka deklaruar se Serbia vazhdon ende të planifikojë sulme terroriste ndaj Kosovës, mirëpo sipas tij shtrirja e Policisë së Kosovës, shmangi shumë sulme të rrezikshme terroriste që do të mund të ndodhnin.

“Serbia përmes bandave kriminale e terroriste vazhdon ende të planifikojë e ndërmarrë sulme terroriste në Republikën e Kosovës. Dje Policia e Kosovës së bashku me KFOR-in kanë gjetur dhjetë detonator ndezës me fitila (kabllo) në afërsi të fshatit Gnjezhdan, në Leposaviq. Shtrirja e Policisë së Kosovës, prania e insitucioneve tona të sigurisë, ka bërë të mundur që të tilla mjete që do të përktheheshin në sulme të rrezikshme terroriste, të kapen e të shmangen apo minimizohen raste të sulmeve të rënda që për qëllim kanë shkaktimin e dëmit, krijimin e pasigurisë dhe kësisoj frikësimin e qytetarëve”, ka deklaruar ai.