Kosova

Policia e Kosovës ka arrestuar gjashtë persona, aksioni po vazhdon

Policia e Kosovës ka arritur që të vërë nën kontroll territorin në Banjskë, ka njoftuar ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla.

Deri më tani gjashtë persona janë arrestuar si rezultat i aksionit të policisë, prej të cilëve dy janë të plagosur dhe me uniformim, dhe katër të tjerë që janë kapur duke mbështetur operacionin me radiolidhje.

“Vendosëm këtë territor nën kontroll. U bë pas disa betejave të njëpasnjëshme. Kishim një viktimë. Kryem operacionin pa viktima të tjera. Kemi gjashtë të arrestuar, dy nga ta të plagosur me uniformë dhe katër të tjerë që mbështesnin operacionin me radiolidhje. Se paku tre sulmues të vrarë po identifikohen dhe po barten”, ka njoftuar ai.