Sport

Petkovic pezullon gjashtë lojtarë shqiptarë nga kombëtarja e Zvicrës!

"Simpatitë e tyre të shprehura për Shqipërinë kanë bërë që Petkoviç të dyshojë në lojalitetin e tyre"

I ndodhur nën presionin e udhëheqjes së përfaqësueses Nacionale të Zvicrës (Nati), përzgjedhësi i saj, Vladimir Petkovic ka vendosur që të pezullojë për një kohë të pacaktuar gjashtë lojtarë me prejardhjes shqiptare në këtë ekip. Bëhet fjalë pra për lojtarët si vijon: Behrami, Xhemaili, Mehmedi, Shaqiri, Xhaka dhe Kasami.

Shkase të drejtpërdrejta për pezullimin e tyre, si masa më radikale e ndëshkimit që ka marrë deri më tash kjo përfaqësuese, kanë qenë humbjet e fundit, nga Irlanda dhe nga Bosnja. Është qëndrim i përgjithshëm i kreut të Nati-t se loja indolente e lojtarëve me rrënjë shqiptare ka qenë ndër shkaktarët kryesorë për këto humbje.

Por, nuk ka qenë vetëm kjo. Siç merr vesh albinfo.ch nga burime të sigurta në Nati, pretekste për dënim, sipas palës zvicerane, lojtarët shqiptarë kanë dhënë qysh moti. Mjafton te përkujtojmë këtu se futbollistët shqiptaro-zviceranë prej disa vitesh janë bërë therrë në sy të futbolldashësve zviceranë dhe të vetë kryesisë së Nati-t, me deklarimet e tyre dykuptimëshe në favor të kombëtares shqiptare.

Më tutje, tifozët zviceranë nuk ua kanë falur atyre asnjëherë hezitimin për të kënduar himnin zviceran gjatë intonimit të tij. Kur të gjithë të tjerët këndonin, ata e mbanin kokën ulur, etj.

Ndërkaq, shkaku përse vetëm Tarashaj nuk bën pjesë në këtë listë të të dënuarve është i thjeshtë: Ai deri tash ka luajtur vetëm një ndeshje dhe ende ndodhet në fazën e testimit. Sidoqoftë, pritet me interes reagimi i tij, nëse do të solidarizohet edhe ai me bashkëkombësit e tij apo do të pranojë të angazhohet në ekip.

Ndërkohë që pret edhe deklarimet e gjashtë të apostrofuarve, albinfo.ch jua kujton se sot është 1 Prilli (Prili-li-li-li)