Lajme

Peter Paul Wiplinger, një urëndërtues i çmuar i letërsisë

Peter Paul Wiplinger bën pjesë në mesin e atyre shkrimtarëve austriakë dhe evropianë të cilët kanë prekur kulmin pa qenë domosdoshmërisht ndonjëherë në maje. Këtë ai e ka arritur pa u shtyrë që të ulet në rendin e parë, aty ku i takonte, por duke qëndruar gjithmonë prapa, atje ku gjithçka shihet më mirë dhe më kthjellët

Për një artist të ri, ardhja në një shtet tjetër nga ai i origjinës do të thotë ballafaqim me një realitet të ri dhe të panjohur. Gjuha, e cila është mjeti kryesor i komunikimit, është sfida e parë me të cilën ai ndeshet. Që emri i tij, numri i librave që mund të ketë botuar apo çmimet që mund të ketë fituar deri në atë kohë nuk do të thonë diçka për komunitetin e artistëve vendas e vërteton edhe përvoja ime në ditët e para të vendosjes sime në Vjenë. Është kjo një kohë në të cilën njeriu shpesh pyet veten se sa ka të ardhme në të sotmen e tij. Por, kur fati e do që në muajt apo vitet e para të takosh njeriun e duhur në kohën e duhur, siç ishte rasti im me njohjen me Peter Paul Wiplinger, atëherë rrugëtimi bëhet më i lehtë.

Foto nga ora letrare në Vjenë: Hazir Mehmeti, Peter Paul Wiplinger dhe Anton Marku

Takimi ynë i parë ndodhi në verën e vitit 2010, pasuar më pas shumë të tjerë, shpesh mbrëmjeve vonë në shoqërinë e verës, duke diskutuar për artin dhe letërsinë. Ditë pas dite lindnin tema të reja të cilat i trajtonim bashkë, pasi që në fillim të vitit 2011 unë dhe disa shkrimtarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të themelonim Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri, duke i dhënë asaj emrin e aktorit të njohur të teatrit, me përmasa ndërkombëtare, shqiptaro-austriakut Aleksandër Moisiu, i cili në vitet e 30ta të shekullit të kaluar ishte aktori më i famshëm në hapësirat gjermanishtfolëse. Dy vjet më vonë, me iniciativën e Peter Paul Wiplinger, i cili në ndërkohë u pranua si anëtari i parë nderi i lidhjes sonë, filluam të organizonim orët letrare në gjuhën gjermane. Ai bëri që me kontaktet e tij për ne të hapen dyert e shumë shoqatave austriake, ndër to edhe të PEN Klubit dhe Lidhjes së Shkrimtarëve të Austrisë. I tërë ky angazhim i tij u pasua nga mbështetja për përgatitjen dhe editimin e antologjisë së parë të shkrimtarëve shqiptarë në Austri me titull “Illyricum I”, që u botua në vitin 2012 me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Në vitet në vijim Peter Paul Wiplinger mori pjesë në shumë orë letrare dhe promovime librash të organizuara nga ne, duke na përkrahur edhe në publikimin e librave vetjakë, siç është rasti me përmbledhjen time të parë me poezi në gjuhën gjermane “du meine Stimme’’ (2018), për të cilën ishte edhe “kumbar” i titullit duke bërë edhe lektorimin dhe redaktimin si dhe duke shkruar recensionin për të. Kjo ndikoi që Austria për shumë prej nesh të bëhet një atdhe jo vetëm gjeografik, por edhe gjuhësor. Sidoqoftë ai ishte më se i bindur se letërsia më e mirë shkruhet në gjuhën amtare, pasi që është gati e pamundur që emocioni të përkthehet.

Peter Paul Wiplinger është një mik i yni, ndër më të mëdhenjtë që kemi pasur ndonjëherë. Të tillë do ta duam dhe vlerësojmë gjithmonë. Ai vazhdoi komunikimin dhe bashkëpunimin me shkrimtarët shqiptarë, gjë të cilën e kishte nisur që në vitet e 70ta dhe 80ta me pjesëmarrjen në aktivitetet letrare në ish-Jugosllavi, atje ku muret kundër lirisë ishin të trasha, e në të cilat, mes tjerash, kishte njohur edhe ishte shoqëruar edhe me poetët e njohur kosovarë Ali Podrimja dhe Ibrahim Rugova.

Peter Paul Wiplinger u takon atyre shkrimtarëve austriakë dhe evropianë, të cilët kanë prekur kulmin pa qenë domosdoshmërisht ndonjëherë në maje. Këtë ai e ka arritur pa u shtyrë që të ulet në rendin e parë, aty ku i takonte, por duke qëndruar gjithmonë prapa, atje ku gjithçka shihet më mirë dhe më kthjellët. Shkrimet e tij publicistike, sidomos fejtonet, janë sa të thjeshta dhe të thella po aq edhe rebele, por gjithmonë të pavarura, mu ashtu siç është edhe shpirti i tij, i cili nuk e duron në asnjë rrethanë padrejtësinë por ballafaqohet me të duke iu kundërvënë me armën më të fortë që ka: Fjalën. Në anën tjetër, në poezi ai është një gjurmues pasionant i cili di të depërtojë në jetën e brendshme të njeriut, në të panjohurat e tij duke bërë që vargjet e tij të kenë një rrjedhë të natyrshme, mendimet harmoni dhe shprehjet elegancë të pashoqe. Të shkruarit mbetet një “detyrë jetësore”, siç e thotë ai vetë. Ai mbetet jo vetëm një ndërtues urash por edhe një zëdhënës dhe mbrojtës dhe i denjë i tyre, ndër më të veçantët në historinë e miqësisë mes kulturës së Austrisë dhe atyre të popujve të Ballkanit, i cili, për fatin tonë të përbashkët, mbase, ashtu siç kishte thënë kancelari i epokës perandorake Metternich, fillon në Rennweg, në mes të Vjenës.

Box: Peter Paul Wiplinger është një mik yni, ndër më të mëdhenjtë që kemi pasur ndonjëherë. Të tillë do ta duam dhe vlerësojmë gjithmonë