Lajme

Përurohet një pjesë e autostradës “Arbër Xhaferi”

Kjo autostradë do të shkurtoj dukshëm largësinë në mes të Prishtinës dhe Shkupit dhe do të ndikojë në rritjen e shkëmbimit të mallrave dhe lëvizjes së njerëzve

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës të shoqëruar edhe nga disa diplomatë ndërkombëtarë, përuruan sot në Prishtinë segmentin e parë të Autostradës “Arbën Xhaferi” që lidh Prishtinën me Shkupin. Ankesai i parë 5 kilometërsh, konsiderohet si hapi i parë drejt suksesit të madh infrastrukturor.

Kjo autostradë do të shkurtoj ndjeshëm largësinë në mes të dy kryeqyteteve dhe do të ndikojë në rritjen e shkëmbimit të mallrave dhe lëvizjes më të lehtë të njerëzve nga të dy vendet, deklaruan përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës, të cilët këtë inaugurim nuk e lajmëruan në media, nga frika e përballjes me opozitën, e cila në çdo eveniment po gjuan me vezë.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se ky segment është udhëkryqi më i madh në rajon, për të cilin janë bërë punë cilësore dhe që do të ndikojnë si në rritjen e shkëmbimeve tregtare, ashtu edhe në ato të lëvizjes më të lehtë të njerëzve.

“Kjo është vepër shumë e madhe dhe e rëndësishme. Ky segment është udhëkryqi më i madh në rajon që na lidhe më Shqipërinë, me Maqedoninë edhe vendet tjera. Na lidh me Prizrenin, Shkupin, Tiranën. Këto punime që po bëhen janë cilësore dhe i kushtojnë buxhetit 600 milionë euro”, deklaroi ai.

Kjo autostradë, siç tha Mustafa, do ta lidhet edhe me autostradën për Gjilan, do të vazhdojmë deri në Podujevë me autostradën “Ibrahim Rugova” dhe do të bëjmë lidhjen për Nish.

Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka shprehur kënaqësinë për realizimin e pjesës së parë të kësaj autostrade.

“Jemi të kënaqur dhe të gëzuar me këto vepra madhështore që po bëhen në atdheun tonë. Arbën Xhaferi, figura jonë e madhe e mendimit politik kombëtar është duke u përjetësuar me një vepër madhështore me standarde botërore, andaj urime të gjithëve bashkërisht”, tha ai.
Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku ka deklaruar se vendi ku është ndërtuar nyja lidhëse e segmentit të parë të autostradës “Arbën Xhaferi” do të ndikojë në zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit.

“Kjo është lidhja e dy veprave të mëdha për vendin tonë, autostradës “Ibrahim Rugova” dhe “Arbën Xhaferi”. Kjo nyje lidh dy autostradat tona me rrugën nacionale Prishtinë-Gjilan të gjatë 5 km. Sot Kosova mund të konsiderohet një nyjë lidhëse e rëndësishme për ekonominë e rajonit, ngase me sukses po realizon një rrjet infrastrukturor të integruar që është parakusht për zhvillimin ekonomik të vendit tonë”, tha ai.

Ndryshe, autostrada Prishtinë –Shkup është parashikuar të përfundojë në vitin 2018. Me përfundimin e kësaj autostrade, Kosova përmbush objektivat për ndërtim të korridoreve evropiane të përcaktuara në Forumin e Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, si dhe me Observatorin e Transportit të Evropës-Juglindore.

Të pranishëm në këtë ceremoni kanë qenë edhe ambasadori amerikan, Greg Delawie, i cili tha se me këto rrugë lidhjet infrastrukturore të Kosovës me vendet fqinje po përmirësohen dukshëm.

“Në shumë takime unë shpesh flas për qëllimin e Kosovës për lidhjen me vendet euro atlantike. Me këtë rrugë, lidhjet e Kosovës me fqinjët e saj po përmirësohen në mënyrë të prekshme. 80 për qind e të punësuarve janë nga Kosova, 1.200 kosovarë po fitojnë përvojë dhe pagë të mirë nga ky projekt, rreth gjysma e materialit sigurohet nga ndërmarrjet kosovare përmes tenderëve me çka ndikon në rritjen e tyre dhe të punësimit. Çdo punë që bëhet tatimohet dhe shkon në buxhetin e Kosovës”, tha diplomati amerikan.

Ndryshe, kjo autostradë po ndërtohet nga konzorciumi amerikano-turk “Bektel-Enka”. Kjo kompani ka ndërtuar edhe “Rrugën e Kombit” nga Rubiku i Shqipërisë deri në Besi afër Prishtinës në Kosovës.