Lajme
Përparim Avdili: Nuk duhet të ndryshoj emrin për tu bërë kryebashkiak i Cyrihut
Avdili thotë se nuk dëshiron që të rinjtë me sfond migrimi të marrin mesazhin: "Nëse doni të keni sukses këtu, duhet ta ndryshoni emrin"
Një debat që ka në qendër Përparim Avdilin, kandidatin e FDP-së për postin e kreut të bashkisë së Cyrihut, ka gjetur vend në shumë media të Zvicrës, nga java që shkoi dhe vazhdon të jetë i pranishëm. Shkurt: Pas një sugjerimi kontrovers drejtuar Avdilit që ta ndryshojë emrin, gazetari i javores “Weltwoche” Peter Rothenbühler përballet me akuza për racizëm.
Gazeta Tages Anzeiger që u kushton një artikull këtij “sugjerimi”, veç tjerash shkruan: FDP-ja po përballet me një betejë të vështirë për të mbajtur një nga dy vendet e saj në zgjedhjet e këshillit bashkiak të Cyrihut më 8 mars, sipas një sondazhi të ri.
Për kolumnistin e “Weltwoche” Peter Rothenbühler, arsyeja është e qartë: gjithçka varet nga emri i kandidatit të FDP-së për kryetar bashkie: Përparim Avdili. Për Rothenbühler, ky emër (dhe mbiemër) tingëllon si “një specialitet i ri kebapi”.
Avdili, vazhdon Rothenbühler, mund të zgjidhet në qeverinë e qytetit – me kusht që politikani zviceran me rrënjë shqiptare nga Maqedonia të zgjedhë një emër që “pranohet mirë”, për shembull Ogi. “Gjëja më e mirë për të bërë është thjesht ta zviceranizosh atë”, këshillon Rothenbühler, përcjell albinfo.ch.
“A do të dështojë kandidati i FDP-së në Cyrih sepse emri i tij nuk është Meier ose Müller? Kushdo që e pretendon këtë nuk i kushton vëmendje realiteteve në qytetin me prirje të majta”, konstaton Tages Anzeiger.
Ndërsa portali Nau.ch ka komentuar debatin dhe ka marrë qëndrimet e të dy debatuesve: Perparim Avdili dhe Peter Rothenbühler,
“Kryetari i FDP-së së Cyrihut, Përparim Avdili, dhe gazetari i Weltwoche Peter Rothenbühler u përfshinë në një shkëmbim të nxehtë javën e kaluar. Shkaku i diskutimit që u zhvillua në programin “Talk Täglich” në TeleZüri ishte një artikull që Rothenbühler kishte shkruar për Weltwoche. Në të, ai parashikoi se FDP do të humbiste një vend nëse Avdili, i cili kandidon për kryetar bashkie, nuk do ta ndryshonte emrin e tij”.
Të theksojmë: Gazeta “Weltwoche” njihet për stilin e saj provokues dhe për orientimin politik të skajshëm djathtist, shkruan albinfo.ch
Duke u nisur nga fakti se Avdili ka rrënjë shqiptare të Maqedonisë, Rothenbühler dëshiron që ai t’i fshehë ato. “Gjëja më e mirë për të bërë është ta zviceranizojë atë (emrin)” ishte rekomandimi i fuqishëm i kolumnistit. Kushdo që dëshiron të zgjidhet ka nevojë për një emër “që njerëzit mund ta mbajnë mend”. Për shembull, Armin në vend të Përparim, “kjo do të ishte diçka”, kishte shkruar ai.
“Mos jeni ngatërruar duke bërë sugjerimin tuaj për të ndryshuar emrat në shekullin e 20-të?” e pyeti prezantuesi i TeleZüri, gazetarin Rothenbühler. Ky i fundit e mohoi: Në fund të fundit, ai njihte shumë njerëz që i kishin shkurtuar emrat e tyre, përcjell albinfo.ch. Ai menjëherë i ofroi Avdilit një sugjerim: “Njerëzit tashmë të quajnë Pepe. Pse të mos përdoret emri Pepe?”
Është e qartë: Emrat që tingëllojnë të huaj kanë tendencë të kenë më shumë vështirësi në zgjedhjet zvicerane. Shkencëtarja politike Lea Portmann e konfirmoi këtë për Nau.ch: “Sidomos në listat e partive të qendrës së djathtë dhe të krahut të djathtë.”
Avdili e hedh poshtë propozimin e gazetarit Rothenbühler dhe e përball atë duke i thënë: “Artikulli juaj përjetëson stereotipet raciste.” Ai pretendon se Rothenbühler refuzon të pranojë se shoqëria zvicerane është multikulturore.
Presidenti i FDP-së së Zurich-ut thekson gjithashtu se Rothenbühler e ka shkruar gabim emrin e tij në artikull (Prëparim). Ai vë në dyshim nëse kjo ishte mungesë respekti apo thjesht veprim jokompetent.
I kontaktuar nga Nau.ch, Përparim Avdili thotë se është “shumë i pakënaqur” për mënyrën se si u zhvillua diskutimi. Megjithatë, ai shton, “Nuk mund t’i zgjedhësh gjithmonë gjërat në politikë”. Avdili thotë se ai u përfshi qëllimisht në diskutim. Ai nuk dëshiron që të rinjtë me sfond migrimi të marrin mesazhin: “Nëse doni të keni sukses këtu, duhet ta ndryshoni emrin tuaj”.
Në transmetim, anëtari i FDP-së thotë se nuk po përballet me Rothenbühler për hir të vetes. Përkundrazi, ai është i shqetësuar për të gjithë ata që kontribuojnë në suksesin e Zvicrës. Këtu përfshihen sipërmarrës, njerëz “që ndërtojnë rrugët tona dhe pastrojnë zyrat tona çdo ditë”, si dhe yje si Granit Xhaka dhe Mujinga Kambundji.
Megjithatë, Rothenbühler akuzon Avdilin në “Talk Täglich” se luan rolin e viktimës. Ai hedh poshtë akuzën për “stereotipe raciste”. Thotë po ashtu se ka këshilluar shumë politikanë të ndryshojnë diçka në mënyrë që të “lidhen më mirë me njerëzit”.
Nëse Avdili nuk ka nevojë ta bëjë këtë, duhet ta lërë mënjanë – “ishte vetëm një ide”. Por tani ai po e përsërit vazhdimisht.
I kontaktuar nga Nau.ch, Rothenbühler përsërit se ndryshimi i emrit ishte një “sugjerim me qëllim të mirë”.
“Nuk bëhet fjalë për të gjithë shqiptarët që ndryshojnë emrat e tyre tani”, thotë ai. “Bëhet fjalë për një fushatë zgjedhore ku të njëjtat konsiderata mund të hyjnë në lojë si në karrierën e një ylli filmi ose muzike”.
Të ngjashme
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Përparim Avdili: Nuk duhet të ndryshoj emrin për tu bërë kryebashkiak i Cyrihut Avdili thotë se nuk dëshiron që të rinjtë me sfond migrimi të marrin mesazhin: "Nëse doni... -
Würenlos: Dy të rinj shqiptarë aksidentohen duke ikur nga policia -
Agon Sejdiu – piloti shqiptar që i dha krahë ëndrrës së fëmijërisë -
E zë gjumi në pompën e benzinës, me motorin ndezur – i merret patenta kosovarit -
Aksident tragjik në Itali, humbin jetën dy të rinj shqiptarë
Jeta në Austri
-
Vjena ul emetimet e CO₂ me gati 6% brenda një viti Vjena ul emetimet e CO₂ me 5.8%, duke tejkaluar mesataren e Austrisë. Politikat e forta për... -
Vjenë
Hapen tregjet e Krishtlindjeve në Vjenë -
Rita Ora gati ta ndezë atmosferën në hapjen e sezonit dimëror në Austri -
Nëntë në dhjetë familje austriake përballen me vështirësi në kostot e energjisë -
Austri: Debatohet zgjatja e limitit prej 200 eurosh për orët shtesë pa taksa










