Kosova

Sprovë për përgjigje shkencore “Sfidave të Botës shqiptare në mileniumin e ri”

Konferenca është organizuar nga Lidhja Shqiptare në Botë dhe Këshillimorja ABSM Basel, në 25-vjetorin e themelimit të dy subjekteve përkatëse, me seli në Zvicër

Me një program të ngjeshur dhe me larushi temash të shtruara, të shtunën, më 19 nëntor, ka zhvilluar punimet në Bernë Konferenca shkencore me temën “Sfidat e Botës shqiptare në mileniumin e ri”.

Konferenca është organizuar nga Lidhja Shqiptare në Botë dhe Këshillimorja ABSM Basel, në 25-vjetorin e themelimit të dy subjekteve të përmendura shqiptare që kanë selinë në Zvicër.

Platforma mediale albinfo.ch ishte sponsor medial i këtij aktiviteti.

Simon Kuzhnini, kryetar nderi i LSHB-së, merr mirënjohjen nga kryetari Nazmi Jakurti 

Krerët e LSHB dhe ABSM, Nazmi Jakurti dhe Skender Nikoliqi, kanë hapur punimet e konferencës duke prezantuar qëllimet që i kanë vënë asaj.

Akademik Shyqri Nimani

“Objektivi madhor i Lidhjes Shqiptare në Botë dhe i Këshillimores ABSM është që të inventarizojë mendimin shkencor për sa u përket udhërrëfyesve se nga duhet të lëvizim ne si komb në mijëvjeçarin e ri, i cili për shumë çka është i ndryshëm nga mijëvjeçari pararendës (…), ka thënë në hapjen e punimeve Nazmi Jakurti.

Skender Nikoliqi, kryetar i ABSM Basel

“Jemi munduar që profili përmbajtjesor e tematik i kësaj konference të jetë pak a shumë heterogjen, në mënyrë që të kemi qasje të ndryshme, nga këndvështrime të ndryshme, për të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve. Që të ketë sukses kjo qasje, gjithashtu kemi mbajtur llogari që edhe harta gjeografike e pjesëmarrësve tanë të jetë sa më gjithëpërfshirëse, në mënyrë që të kemi një larushi për sa u përket specifikave rajonale e administrative që mbartin në vete këndvështrimet e caktuara”, është shprehur ai, veç të tjerash.

Tregjet tona të fragmentuara, një sfidë më vete

Afaristi dhe filantropisti i shquar shqiptar nga Maqedonia e Veriut, që vepron në Gjermani, Dr. Lazim Destani, ka qenë ligjëruesi i parë i konferencës. “Sfidat ekonomike dhe investuese në funksion të Bashkimit Ekonomik Shqiptar” është titulli i kumtesë së z. Destani, të lexuar me këtë rast.

“Tri dekadat e pluralizmit demokratik e të ekonomisë së tregut akoma nuk po arrijnë t’i rrëzojnë plotësisht barrierat administrative dhe ekonomike që po i mbajnë tregjet tona të fragmentuara. Gjithashtu edhe mungesa e infrastrukturës është një nga pengesat që tregjet tona i mban larg njëri tjetrit. Kjo ka bërë që vlonjati, tiranasi apo durrsaku më lehtë të transportojë produktet greke apo italiane se sa produktet nga Kosova apo Maqedonia e Veriut dhe të mos flasim për kosovarin që vazhdon ta ketë më të lehtë transportin nga Serbia”, ka theksuar z. Destani.

Më tutje ai ka folur për diversitetin e resurseve që kanë hapësirat shqiptare dhe për mundësinë që ato të kombinohen për të mirën e zhvillimit të tyre.

“Atdhetarizmi sot kërkon punë profesionale dhe vepra konkrete, këtë ua kemi borxh gjeneratave të reja. Nuk bëhet atdhetarizëm me folklorizëm patriotik. Duhet të krijojmë eko-sisteme dhe ambiente për biznes në trojet tona”, ka apeluar veç tjerash Lazim Destani në kumtesën e tij.

Nuk mjafton dashuria për flamurin, na duhet dashuria për të mirën kolektive

Dr. Bashkim Iseni, pedagog universitar në Zvicër, përgjegjës për integrim në qytetin e Lozanës dhe themelues i platformës mediale albinfo.ch është paraqitur me kumtesën “Sfidat shqiptare dhe universale në mileniumin e ri. Një qasje kritike”.

Ai, duke bërë një paralelizim mes sfidave shqiptare dhe atyre universale, ka veçuar 4 sfida universale që prekin edhe shqiptarët, në mesin e të cilave ai ka renditur: Varfërinë strukturore, shkollimin dhe arsimimin e mirëfilltë e demokratik, statusin e gruas në shoqërinë shqiptare dhe ambientin dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Në këtë kontekst, është interesant konstatimi i referuesit, se “statusi i gruas në shoqërinë tonë, mjerisht, që nga vitet`80 është degraduar, duke kaluar nga një sistem monist, ku gruaja kishte një lloj përfaqësimi dhe status, të cilin e ka shumë vështirë ta gjejë sot”, ka thënë veç tjerash dr. Iseni.

Një sfidë e veçantë për hapësirat shqiptare, sipas tij, është mentaliteti i zhvatjes, ose thënë ndryshe i përbuzjes dhe shfrytëzimit të të mirës kolektive për interesa private apo familjare. Si ta joshim çdo të ri apo të vjetër që dashurinë që ka për flamurin, ta ketë edhe për të mirën kolektive, interesin kolektiv”, ishte pyetja që shtroi referuesi në fjalë.

Jeta Xharra: “Nga Kosova iket për të jetuar më gjatë dhe më mirë”

Gazetarja e njohur hulumtuese nga Prishtina, Jeta Xharra, e cila udhëheq platformën BIRN për Kosovë, në fjalën e saj spontane është marrë me shkaqet që sjellin braktisjen e Kosovës, pastaj me statusin e gruas në Kosovë e në gjithë shoqërinë shqiptare dhe, së fundi, edhe me pasojat që heq Kosova nga furnizimi me energji elektrike të prodhuar nga thëngjilli.

Sipas Xharrës, nga Kosova po ikin edhe njerëz me status të mirë social e financiar. Pra ata po ikin nga zhgënjimi me realitetin në përgjithësi dhe për faktin se, siç u shpreh ajo, “ata synojnë, për veten dhe fëmijët e tyre të jetojnë më gjatë dhe më mirë”, shkruan albinfo.ch. Konstatimin e dëshirës për jetëgjatësi, referuesja e mbështet, veç tjerash në statistikat që tregojnë se në Kosovë, veçanërisht në Prishtinë me rrethinë, rastet e kancerit janë shumëfish më të shpeshta se gjetiu. Kjo “dhuratë” nga teknologjia e thëngjillit bën që mesatarja e jetës së kosovarëve të jetë dukshëm nën atë evropiane.

Ndërsa profesori i shquar i të drejtës publike nga Tirana dhe diplomati i njohur Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, me një kumtesë përmbledhëse dhe të argumentuar ka shtruar mundësitë dhe rreziqet para të cilave ndodhet aktualisht bota shqiptare. Në përgjithësi, prof. Krisafi ka shpalosur format e mundshme të zgjidhjes përfundimtare të statusit shtetëror të Kosovës në veçanti dhe në kuadër të zgjidhjes së çështjes së përgjithshme shqiptare, në përgjithësi. Ai ka tërhequr vërejtjen kundër qasjes foklorike, romantike dhe improvizuese ndaj çështjes madhore të funksionimit tonë si komb.

Shqiptarët e Maqedonisë, me politikanë, por pa lidership

“Shqiptarët me kauza të ndara, a mund të kenë një vizion të përbashkët për të ardhmen”, titullohet kumtesa e Dr. Emin Azemit, profesorit dhe publicistit të njohur nga Shkupi.

“Tek shqiptarët në Maqedoni ka politikë, por nuk ka platformë dhe strategji për veprime të përbashkëta  afatgjata. Tek shqiptarët ka politikanë, por nuk ka lidership…”, ishte konstatimi fillestar i referuesit, i cili pastaj numëron kërkesat drejtuar politikës shqiptare në Maqedoni, shkruan albinfo.ch. Ato janë: “Ndryshimi i praktikave të deritanishme të koalicionimit me partitë maqedonase, eliminimi i interesave klienteliste me prapavijë korruptive dhe kriminale brenda strukturave partiake dhe forcimi i bashkërendimit brendashqiptar për çështje konsensuale, prej të cilave varet pjesëmarrja apo jo në qeveritë e ardhshme, do të dihej të jenë pjesë e PLATFORMËS KONSENSUALE PËR ÇËSHTJE TË RËNDËSISHME KOMBËTARE, e cila, gjithsesi duhet të ndodhë pasi që subjektet e tanishme shqiptare t’i kenë bërë një skanim të thellë strukturave të brendshme partiake, duke flakur të gjitha ato segmente të korruptuara e kriminalizuar që de facto ishin frenuesit më të mëdhenj të politikave të përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet e sistemit”, etj.

Prof. Dr. Rudina Jasini

Problemin e aseteve ose resurseve të hapësirave shqiptare e ka shikuar nga një këndvështrim tjetër referuesi i radhës, Driton Kajtazi, drejtor i ISEAL, Lozanë: “Shumë shpesh lexoj se rinia jonë është aset kryesor në zhvillimin e Kosovës. Rinia është e shenjtë, është lumturi e jetës, por jo edhe medoemos në vetvete siguri e zhvillimit. Është formimi që na siguron dhe që e bën rininë asetin kryesor në zhvillim të një kombi në veçanti, të njerëzimit në përgjithësi… Shumë shtete nga Afrika kanë rini e pasuri, por jo edhe zhvillim ekonomik. Bangladeshi ka rini, por edhe ka mbi 4’000’000 femra që punojnë për 3 cent orën, Amerika Jugore e Qendrore ka rini e pasuri, por edhe kriminalitetin më të lartë në botë”, ka forcuar Kajtazi mendimin e tij mbi rininë si aset të diskutueshëm.

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Bernë, Ilir Gjoni

Në konferencë kanë referuar (ose janë lexuar kumtesat e tyre) edhe një numër studiuesish dhe veprimtarësh, të cilët janë fokusuar në aspekte të ndryshme të temës bosht: “Sfidat e Botës Shqiptare në Mileniumin e ri”.  Prof. Dr. Rudina Jasini, avokate në Den Haag, ligjëruese në Oxford, Prof. Shyqri Nimani, studiues, artist, profesor universitar, Prishtinë, Prof. Dr. Skender Asani, historian, Drejtor i ITSHKSH, Shkup, Dr.Dr. med. Alban Y. Neziri, mjek, prof.univ. Aalborg dhe Bernë, Shukrije Ramadani, konsulle e Republikës së Kosovës në Zürich, Prof. Dr. Rexhep Gashi, Ing. shkencëtar, profesor universitar, Lozanë, Prof. Dr. Musa Limani, ekonomist, profesor universitar, Prishtinë, Prof. Dr. Daut Dauti, historian, profesor universitar, Londër dhe Prof. Dr. Nail Draga, studiues, profesor universitar, Ulqin.

Konsullja e Republikës së Kosovës në Cyrih, Shukrije Ramadani

Autor i fotografive: Armend Berisha