Lajme
Përfundon Konferenca Ndërfetare, thyen rekord numri i pjesëmarrësve
Kryetari i Londrës, Sadiq Khan dhe themeluesi i Komunitetit të Sant'Egidio, monsignor Vincenzo Paglia fituan Çmimin e Kosovës për Dialog Ndërfetar në kuadër të Konferencës “Interfaith Kosovo”
Pas tri ditë diskutimesh dhe debatesh, ku morën pjesë më shumë se 300 pjesëmarrës nga 50 shtete të botës, ka përfunduar sot në Prishtinë, Konferenca ndërfetare “Interfaith Kosovo”. Konferenca u përmbyll me ndarjen e dy çmimeve për dialog ndërfetar, që iu nda kryetarit të Londrës, Sadik Khan dhe themeluesit të Komunitetit Sant’Egidio, monsignor Vincenzo Paglia.
Çmimet në emër të konferencës i ka ndarë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli përderisa ka vlerësuar lart angazhimin e tyre për avancimin e dialogut ndërfetar.
Ndërsa ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi në fjalimin përmbyllës të konferencës duke falënderuar pjesëmarrësit për kontributin e dhënë ka potencuar se Kosova çdo javë dhe çdo vit duhet të punojë në promovimin e historisë të tolerancës dhe të bashkëjetesës, si një kontribut universal.
“Konferenca ndërfetare sivjet ka thyer çdo rekord për nga numri i pjesëmarrësve, por edhe nga përmbajtja e pasur. Me ndihmë të shteteve partnere dhe organizatave ekumenike, Kosova po bëhet lidere e promovimit të dialogut ndërfetar, edhe pse veprojmë nga pikëpamja e fuqishme dhe e palëkundur e një shteti sekular me orientim evropian”, tha Selimi.
Ndërkaq, në pamundësi për të pranuar çmimin drejtpërdrejt, kryetari i Londrës Sadik Khan përmes një telegrami ka falënderuar për ndarjen e çmimit dhe ka vlerësuar se kjo konferencë është tregues se Republika e Kosovës mund të përdoret si shembull nga të tjerët në këtë drejtim.
“Jam i lumtur që Interfaith Kosovo më ka nderuar me Çmimin e Kosovës për Dialog Ndërfetar. Kjo është një dëshmi se Kosova ka bërë progres aq të madh saqë tani mund të përdorë eksperiencën e vet të tolerancës për të ofruar solucione për situatat pas konfliktuoze në mbarë botën. Faleminderit shumë Kosovës për këtë mirënjohje dhe shumë shpejt do ta vizitoj edhe vendin tuaj”, thuhet në telegramin e kryetarit Khan.
Kurse në emër të Monsignor Vincenzo Paglia, Çmimin e Kosovës për dialog ndërfetar e ka pranuar Alberto Quattrucci, Sekretar i Përgjithshëm i Komunitetit të Sant’Egidio.
Para të pranishmëve ai ka thënë se “Kosova është më shumë Evropë se Brukseli. Në Bruksel ka shumë homogjeni, kurse në Kosovë ka shume diversitet dhe Evropa është diversitet”.
Më tej duke e vlerësuar me peshë dhe përmbajtjesor çmimin e dhënë për Monsignor Vincenzo Paglia, Quattrucci ka theksuar se “ai është një mik shumë i mirë i Kosovës sikurse edhe shumë të tjerë këtu”.
Përderisa ka kujtuar vizitën e parë të tij në vitet ’90 në Kosovë, Quattrucci është shprehur se qëllimi i ardhjes, në emër të komunitetit ishte ofrimi i ndihmës për popullin e Kosovës dhe shmangia e konfliktit.
“Në emër të Komunitetit të Sant’Egidio u munduam të ndihmonim për të shmangur çdo mundësi që kishte të bënte me luftën, mirëpo fatkeqësisht nuk patëm sukses. Por, gjatë luftës ne ishim shumë afër Kosovës sikur deri më tash dhe do të vazhdojmë të jemi miq të mirë”, deklaroi ai.
Konferenca ndërkombëtare ndërfetare e edicionit të pestë Interafaith Kosovo, me temë “Roli i gruas në promovimin e dialogut ndërfetar dhe luftimin e ekstremizmit”, në të cilën kanë marrë pjesë më shumë së 300 pjesëmarrës nga 50 shtete të ndryshme përfundoi punimet sot.
Në dy panele të ndara temë diskutimi ka qenë sigurimi i barazisë në mediet online dhe rastet e studimeve ndërfetare rajonale dhe zgjidhjet.
Këtë vit Interfaith Kosovo është organizuar nën patronazhin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dhe është përkrahur nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, Kuvendi i Kosovës, Ambasada Amerikane, Ambasada Kanadeze, Ambasada Norvegjeze si dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Mbështetje këtij aktiviteti i kanë dhënë edhe: Instituti Ndërkombëtar për Dialog Ndërfetar dhe Tony Blair Faith Foundation. Në këtë konferencë kanë marrë pjesë edhe dy nobeliste të paqes, Shirin Ebadi nga Irani dhe Tawakkol Karman nga Jemeni, për të cilat Albinfo.Ch, ka raportuar.
E-Diaspora
-
Gastroenterologu Dr. Mentor Bilali – një nga mjekët më të kërkuar nga shqiptarët e Zvicrës Për shqiptarët, Dr. Bilali me ordinancën e tij MagenDarm Zentrum Oberaargau ka edhe një peshë të... -
Nxënësit shqiptarë në Parma festojnë Pavarësinë e Shqipërisë -
Paris
Paris: Inaugurohet Qendra Kulturore e Shqiptarëve -
Një buqetë dritash, tingujsh e ngjyrash për Ditën e Flamurit, në Winterthur -
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora
Jeta në Austri
-
Austria do të vazhdojë angazhimin e saj në KFOR, deri në 600 ushtarë në vitin 2026 Anëtarët e Komisionit të Përbashkët të Parlamentit të Austrisë kanë miratuar në mënyrë unanime vazhdimin e... -
“Varg e Vi” me projekt në Vjenë -
Policia bastisë shtëpinë e 46 vjeçarit në Austri, zbuluan simbole naziste -
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje










