Lajme

Për ndërtime pa leje, 8 vjet burg

Ndërtimet pa leje, sipas ndryshimeve të Kodit Penal të Shqipërisë, konsiderohen vepër penale dhe do të dënohen me burg nga 1-8 vjet. Ligji hyn në fuqi nga 1 shkurti 2015

Pas datës 1 shkurtit, kushdo që të kapet duke ndërtuar objekte pa leje ndërtimi në Shqipëri, do të dënohet nga 1 deri në 8 vite burg. Kjo masë ndëshkuese do të jetë edhe për pronarët, të cilët ndërtojnë në tokën e tyre, por nuk disponojnë leje ndërtimi nga njësi komunale administrative.

Kështu thuhet në ligjin e ri për ndërtimet e paligjshme, i cili u publikua më 14 janar në Fletoren Zyrtare të Shqipërisë, i cili hyn në fuqi pas 15 ditësh, nga 1 shkurti 2015. Në ndryshimet dhe amendamentimet e ligjit, thuhet se askush nuk do të mund të ndërtojë pa pasur leje ndërtimi.

Ndërtimet pa leje sipas ndryshimeve të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, konsiderohen vepër penale dhe do të dënohen me burg nga 1-8 vjet, citon Koha.

Megjithatë në pika të veçanta ligji parashikon që nëse kjo vepër penale kryhet në tokën publike, shtetërore apo të tjetrit dënohet me burg nga 1-5 vite. Ndërsa në rastet kur ndërtimi sjell pasoja të rënda apo kryhet për qëllime fitimi dënimi varion nga 3-8 vjet burgim.

Po ashtu kompanitë të cilat do të jenë pjesë e ndërtimeve pa leje, çka do të thotë se kushdo që kryen shërbime sipërmarrjeje, mbikëqyrje apo zbatim punimesh do të dënohen me 3 vjet burg. Prej nisjes së aksionit kundër ndërtimeve pa leje, Policia dhe Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar vazhdojnë me prishjen e objekteve informale në të gjithë vendin.