Lajme

Për ardhjen e mërgimtarëve, Kosova në festë

Komunat e Kosovës festojnë për ardhjen e mërgimtarëve.

Komunat e Kosovës festojnë për ardhjen e mërgimtarëve. Në Prishtinë diskutohet se si vendi mund të përfitojë prej tyre jo vetëm paratë por të shfrytëzojë edhe kapacitetet  intelektuale.

Kosova është gjallëruar. Ardhja e mërgimtarëve sikur i ka kthyer më shumë jetën vendit. Gjithkund shihen veturat me targa nga vende të ndryshme  të Evropës, kolona dasmash, gjuhë të ndryshme e kafiteri të mbushura plot.

Në rrugët dhe qytetet e Kosovës, janë vendosur pankarta të mëdha me mbishkrimet “Mirë se vini!”.

Sipas të dhënave të fundit të Policisë së Kosovës, mbi 150 mijë persona kanë hyrë në Kosovë, që besohet se janë kryesisht nga diaspora e gjerë e vendit.

Por edhe atdheu i tyre, këtë vit sikur është përpjekur t’i mirëpres në mënyrë më të organizuar. Në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës, komunat e vendit, secila sipas mundësive të veta, kanë organizuar manifestime të ndryshme, koncerte me këngë e valle apo vizita në vende historike.

Një prej këtyre vendeve padyshim që është  edhe Prekazi. Ky vend është shndërruar jo vetëm në një pikë historike, por edhe turistike.

© albinfo.ch: Kompleksi përkujtimor “Adem Jashari”

Rregullimet e fundit që janë bërë në kompleksin përkujtimor “Adem Jashari”, sikur i kanë dhënë pamjen që ky vend e meriton.

Derisa në Prishtinë, manifestimi “Ditët e mërgatës” që pretendohet të jetë tradicional, është shtyrë për shkak të situatës së fundit të krijuar në veri të Kosovës, në qytetet tjera, organizimet e parashikuara kanë vazhduar normalisht.

Prekazi, vend takim për mërgimtarët

Komuna e Skenderajt, në kuadër të manifestimit “Ditët e mërgatës” ka organizuar disa aktivitete, që janë kryesisht kulturore.

Nga 28 korriku, në këtë komunë, për çdo ditë, sikurse edhe në qendra e tjera të vendit, organizohen aktivitete të ndryshme.

Ky manifestim ka filluar  me koncertin e madh, i cili u mbajt në sheshin “Adem Jashari”, në të cilin kënduan këngëtarë të njohur shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në perëndim, si dhe këngëtarë vendas.

Sipas Feriz Zeqirit, drejtorit të Drejtoratit për Kulturë, Rini e Sport në këtë komunë, për nder të mërgimtarëve janë paraparë shumë aktivitete kulturore e sportive.

Kështu, në ditët në vazhdim, deri më 3 gusht, janë paraparë të mbahen një sërë aktivitetesh kulturo-sportive, kurse pelegrinazhi i tyre tek varret e jasharjave në Prekaz, është i pashmangshëm.

Sigurisht, ata janë nga të gjitha trojet etnike shqiptare, kurse gjeografia e shteteve në Evropë prej nga vijnë është e ndryshme.

Të shtunën, në mesin e këtyre mërgimtarëve ishin edhe bashkëshortët Muhedini nga Maqedonia, të cilët bënin pjesë në një grup bashkatdhetarësh që vizitonin Prekazin.

Ata thanë se janë të kënaqur me këto organizime për mërgimtarët e posaçërisht presin shumë nga Ministria e Diasporës, tek e cila, megjithatë, u pengon diçka-e që është emri i saj.

“Na pengon termi diaspora, që ka prejardhje prej fjalëve greke të cilat do të thonë ‘farë e humbur’, e ne nuk jemi të tillë, por kemi qenë dhe jemi rrënjë e fortë e popullit tonë e shtrirë gjithandej, jemi mërgimtarë pjesë e rëndësishme e popullit tanë”, thonë bashkëshortët Muhedini, që jetojnë e punojnë në Francë.

Edhe sipas ciceronëve të Kompleksit Përkujtimor “Adem Jashari” , numri i mërgimtarëve që kanë shkuar për vizitë, është rritur shumë ditëve javëve të fundit.

© albinfo.ch: Fëmijet me pikturën e Adem Jasharit

Mërgata, jo vetëm vizitorë

Kosova ka një mërgatë shumë të fuqishme, potenciali i së cilës nuk bënë të llogaritet vetëm në shifrat e parave që ata dërgojnë.

Kështu së paku tha Ibrahim Makolli, ministër i Diasporës, i në tryezën e organizuar të premten në Prishtinë me temën “Sfidat bashkëkohore të mërgatës në rrafshin social dhe shëndetësor dhe nevoja e një marrëveshjeje të re diasporë-atdhe”.

Pa diskutim se edhe mërgimtarët kanë problemet e tyre të shumta, përfshirë edhe ato sociale, ku shqetësues është rritja e numrit të divorceve.

Por një problem tjetër që e kanë mërgimtarët, të cilin e ka shtruar udhëheqësi i bashkësisë shqiptare ne Zvicër, Ahmet Asani, dhe kërkoi  ndihmë nga Ministria e Diasporës, është ruajtja e gjuhës shqipe nga fëmijët e tyre dhe mësimi i shkrim-leximit nga ata.

“Nga 100 mijë shqiptarë të moshës 16-vjeçare e poshtë që jetojnë në Zvicër, vetëm 10 mijë prej tyre shkojnë në shkolla për të mësuar shkrim-leximin e shqipes. E mos të flasim për vendet tjera me shqiptarë, në të cilat ky komunitet në çdo aspekt është shumë më pak i organizuar”, ka thënë Asani.

Ndërkaq sa i përket angazhimit të femrës shqiptare në mërgatë dhe avancimit barazimit të saj me femrat e vendeve përkatëse ku jetojnë, Petrit Beqiri nga e IEJL – ASHSHI, ka shprehur shqetësimin e tij duke thënë se “angazhimi i shqiptareve në mërgatë paraqet një problem të madh”.

Ndërsa sa i përket shëndetësisë, në kuadër të kontributit të mërgimtarëve, Nysret Krasniqi, nga shoqata “Diakonie Kosova”, ka thënë se po bëhet trajnimi i trauma-terapeutëve kosovarë.

Kurse lidhur me ndihmat që mërgimtarët i japin Kosovës, But Dedaj, nga Wus Austria, i ka ftuar ata që të investojnë në vend, në mënyrë që të punësojnë njerëz këtu dhe njëkohësisht të përfitojnë edhe ata nga biznesi i tyre.

Ai, po ashtu, ka thënë se përmes projektit “Brain Gain- zhvillimi i trurit”, është arritur që të sillen në Kosovë 25 profesorë të fushave të ndryshme për të dhënë kontributin e tyre në Universitetin e Prishtinës.

Rreth 14% e buxhetit vjetor të Kosovës mbulohet nga remitancat e mërgimtarëve, të cilët ndihmojnë të afërmit e tyre.