Shkurt.ch

Për 30 minuta me kapsulë nga Cyrihu në Gjenevë!

Grupi prej 50 studentëve të ETH gjatë dhjetë muajve të kaluar gjatë kohës së lirë kanë zhvilluar modelin zviceran Hyperloop Pod që e kanë emërtuar Alfred Escher

Musk, themeluesi dhe pronari i kompanisë për prodhimin e automjeteve elektrike “Tesla” në kërkim të sistemit të transportit të së ardhmes organizon nga fundi i gushtit një konkurs (Hyperlopp) në Los Angeles. Për të marrë pjesë janë paraqitur 1200 ekipe nga e gjithë bota, ndërsa vetëm 27 prej tyre kanë fituar të drejtën për të marrë pjesë, transmeton albinfo.ch. Si ekip i vetëm nga Zvicra është kualifikuar ai “Swissloop”. 80 për qind të ekipit e përbëjnë studentët e universitetit ETH të Cyrihut ndërsa 20 përqindëshin tjetër, studentë të universiteteve tjera zvicerane.

Grupi prej 50 studentëve gjatë dhjetë muajve të kaluar gjatë kohës së lirë kanë zhvilluar modelin zviceran Hyperloop Pod që e kanë emërtuar Alfred Escher. Për punën kolosale që kanë bërë, të rinjtë nuk kanë pasur mbështetje nga askush. “Por prandaj ne përfitojmë nga përvoja”, ka thënë Die Tizio, njëri ndër ta për mediat zvicerane.

Koncepti i Hyperloops parasheh që kapsulat transportuese të vendosen në gypa vakumi që do të lidhin qytetet në mes vete, ngjashëm me gypat e postës. Me atë rast do të ishte e mundur të zhvillohej një shpejtësi prej deri 1200 kilometrash në orë.

Kapsulat lëvizin në gypin e vakumit  falë magnetit. “Sistemi ynë nuk emeton gazra dhe nuk ka nevojë për kurrfarë energjie”, thotë Chris Timperio, CTO i Swissloop.

Synimi që i udhëheq ata është që nga Cyrihu në Gjenevë të udhëtohet për 30 minuta, përcjell albinfo.ch. Por deri në kohën kur kjo do të jetë e mundur duhet të kalojë njëfarë kohe. “Nevojiten sigurisht edhe 20 vite deri në kohën kur ne do të kemi mundësinë të ulemi në një Hyperloop”, thotë Di Tizio