Integrimi
PD Dr. Përparim Limani emërohet shef i Klinikës së Kirurgjisë së Përgjithshme dhe Viscerale në Kantonsspital Aarau
Një tjetër emër shqiptar ngjitet në majat e institucioneve zvicerane. Docent PD Dr. med. Dr. sc. nat. Përparim Limani, me origjinë nga Kërçova dhe i rritur në Luzern, është zgjedhur nga drejtoria e Kantonsspital Aarau (KSA) si shefi i ri i Klinikës së Kirurgjisë së Përgjithshme dhe Viscerale. Nga data 1 dhjetor 2025, ai do të marrë udhëheqjen e një prej klinikave më të rëndësishme kirurgjikale në Zvicër.
Drejtoria e Kantonsspital Aarau (KSA) ka emëruar docentin PD Dr. med. Dr. sc. nat. Përparim Limani si shefin e ri të Klinikës së Kirurgjisë së Përgjithshme dhe Viscerale, me fillim nga data 1 dhjetor 2025. Ky emërim përbën një zhvillim të rëndësishëm për institucionin, por edhe një dëshmi e vlerësimit profesional që gëzon Dr. Limani në mjedisin akademik dhe spitalor zviceran.
Me prejardhje nga Kërçova dhe i rritur në Luzern, PD Dr. Limani është një ekspert i njohur në kirurgjinë e përgjithshme dhe onkologjike viscerale, me një fokus të veçantë në kirurgjinë robotike të avancuar. Ai vjen në KSA nga Spitali Universitar i Cyrihut (USZ), ku ka ushtruar funksionin e Mjekut të Lartë Drejtues në Departamentin e Kirurgjisë Viscerale dhe Transplantologjisë, si dhe ka drejtuar programin “Da Vinci” për kirurgjinë me robot.
“Me PD Dr. Limani, KSA përfiton një profesionist të nivelit të lartë me përvojë të thellë klinike, kompetencë të spikatur menaxheriale dhe angazhim të vazhdueshëm në arsim dhe kërkime shkencore. Ai përfaqëson profilin ideal për të udhëhequr zhvillimin e mëtejshëm të klinikës sonë”, u shpreh Dr. Markus Meier, CEO i KSA.
Karriera e Dr. Limanit përfshin një trajnim të gjerë klinik në disa spitale zvicerane, si dhe një fellowship prestigjioz në Kirurgjinë Onkologjike pranë MD Anderson Cancer Center në Houston, SHBA. Ai është habilituar pranë Universitetit të Cyrihut dhe zotëron dy doktoratura në mjekësi dhe në shkencat natyrore humane si dhe një master në zhvillimin e barnave nga Universiteti i Bazelit. Përveç praktikës kirurgjikale, ai është i angazhuar në mësimdhënie ndërprofesionale në Careum Zürich, ku kontribuon në përgatitjen akademike të brezave të rinj.
Në deklaratën e tij pas emërimit, Dr. Limani theksoi rëndësinë e një kirurgjie të bazuar në cilësi të lartë dhe inovacion të qëndrueshëm:
“Qendra ime është kujdesi i shkëlqyer për pacientin, bashkëpunimi me mjekët referues dhe përkushtimi ndaj arsimit të brezit të ri, veçanërisht në fushën e teknologjisë robotike. Synimi im është të kontribuoj në një zhvillim të orientuar drejt së ardhmes për kirurgjinë në KSA.”
Emërimi i tij përbën jo vetëm një hap të rëndësishëm për institucionin, por gjithashtu një arritje të spikatur për komunitetin shqiptar në Zvicër, duke konfirmuar edhe një herë kontributin e mjekëve me origjinë shqiptare në sistemin e shëndetësisë zvicerane.
Të ngjashme
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Hapet shkolla shqipe në Lubjanë për fëmijët e diasporës Nisma realizohet nga Shoqata Shqiptare “Migjeni” me mbështetjen e Ambasadave të Shqipërisë dhe Kosovës... -
Iftari tradicional bashkon personalitete fetare, institucionale dhe diplomatike në Wil -
Lucern
Mbi 100 shahistë në turneun tradicional humanitar të shahut në Lucern -
Më 8 mars në Cyrih, panel mbi sfidat e grave në familje dhe shoqëri -
SVP, me 3700 nënshkrime kundër xhamisë së shqiptarëve në Schwyz
Jeta në Austri
-
Martesat dhe divorcet shënuan rënie në Austri gjatë vitit 2025 Të dhënat e reja të Statistik Austria tregojnë më pak martesa dhe divorce në vitin 2025,... -
Austri
Nuk u vlerësua nga juria, por kënga e Sidrit Vokshit bëhet hit ne Austri -
Vjena rrit ndihmën për të pastrehët gjatë stuhisë dimërore -
Baden
Baden-Austri: SHKA „17 Shkurti“ organizon të shtunën koncert për Pavarësinë e Kosovës -
I papunë në pushime, AMS me gjoba të ashpra













