Lajme
Pavarësisht krizës, Gjermania braktis energjinë bërthamore
Një tjetër zgjatje e shkurtër e mbajtjes së centraleve bërthamore
Më parë, energjia bërthamore u bë edhe një herë objekt mosmarrëveshjeje. Në fakt, koalicioni qeveritar i përbërë nga SPD, të Gjelbrit dhe FDP kishte rënë dakord të respektonte braktisjen e energjisë bërthamore në Gjermani, të vendosur në vitin 2011. Termocentralet e fundit bërthamore do të mbylleshin në fund të vitit 2022. Por lufta e Rusisë kundër Ukrainës ndryshoi gjithçka, pasi furnizimet me gaz rus në Gjermani u ndërprenë dhe ekzistonte frika e mungesës së energjisë. Kancelari Olaf Scholz e imponoi vendimin e tij: Zgjatje e periudhës së funksionimit të centraleve bërthamore deri në mes të prillit 2023.
Një mosmarrëveshje që ka zgjatur me dekada
Pak mosmarrëveshje i kanë polarizuar njerëzit, veçanërisht në Gjermaninë Perëndimore, për shumë dekada sa ajo për energjinë bërthamore. Më 17 qershor 1961, një central bërthamor gjerman, Kahl në Bavari, furnizoi për herë të parë me energji rrjetin publik. Sot, tre termocentralet e fundit gjermane ende në shërbim, e ndërpresin përfundimisht furnizimin për rrjetin më 15 prill. Midis këtyre dy datave kanë kaluar 22596 ditë dhe shumë debate të gjalla. Ndërkohë, 19 blloqe centralesh bërthamore gjermane kanë furnizuar deri në një të tretën e energjisë elektrike të vendit, herën e fundit rreth 20 vjet më parë.
Në Republikën e vjetër Federale Gjermane, përpara bashkimit gjerman, kundërshtimi i energjisë bërthamore nxori në rrugë qindra-mijëra të rinj, kryesisht në vitet 1970 dhe 1980. Fatkeqësia e Çernobilit në Bashkimin Sovjetik dukej se konfirmonte paralajmërimet për rreziqet e energjisë bërthamore. Por partitë politike në pushtet (CDU, CSU, SPD ose FDP) kanë mbështetur fuqimisht përdorimin e energjisë bërthamore për shumë dekada.
Energjia bërthamore në Evropë
Vendet e tjera evropiane kanë qenë më të shpejtë për të braktisur gradualisht energjinë bërthamore. Suedia ishte e para që vendosi t’i jepte fund energjisë bërthamore menjëherë pas Çernobilit. Italia gjithashtu vendosi në atë kohë të mbyllte dy termocentralet e saj të fundit bërthamore. Italia iu përmbajt vendimit të saj, ndërsa Suedia e anuloi vendimin e saj në vitin 1996. Sot, atje gjashtë termocentrale bërthamore prodhojnë rreth 30 për qind të nevojave për energji elektrike.
Vende të tjera evropiane, si Holanda ose Polonia, po planifikojnë një zgjerim të furnizimit me energji bërthamore, Belgjika po e shtyn mbylljen e planifikuar. Me 57 reaktorë bërthamorë, Franca ka qenë gjithmonë prodhuesi kryesor i energjisë elektrike bërthamore dhe kështu do të mbetet. 13 nga 27 vendet e BE-së duan të përdorin energjinë bërthamore në vitet e ardhshme apo edhe të rrisin kapacitetin. Por shumë ekspertë dyshojnë se kjo do të ndodhë.
Braktisja e parë gjermane në vitin 2002
Në Gjermani, Jürgen Trittin, asokohe ministri i Mjedisit i të Gjelbërve, e imponoi vendimin e parë për të hequr dorë nga energjia bërthamore në vitin 2002. Ky vendim u zbut më vonë nga qeveritë pasuese, por fatkeqësia e tmerrshme bërthamore në Fukushima në Japoni në 2011 vulosi përfundimisht fatin e centraleve bërthamore gjermane. Kancelarja e asaj kohe, Angela Merkel (CDU), vendosi fundin e energjisë bërthamore në Gjermani. Trittini është edhe sot deputet i të Gjelbërve në Bundestag, dhe në një intervistë për DW për datën aktuale të mbylljes përfundimtare thotë: “Po, është një ditë e rëndësishme, sepse shënon fundin e një historie, atë të përdorimit civil të energjisë bërthamore. Por ky nuk është fundi i energjisë bërthamore në Gjermani, ne kemi të bëjmë akoma me mbetjet më të rrezikshme të botës, që do të na duhet t’i ruajmë në mënyrë të sigurt për një milionë vjet”.
Çfarë thonë mbështetësit e energjisë bërthamore?
A është vërtet ky fundi i energjisë bërthamore në Gjermani? I pyetur nga DW, grupi gjerman i interesit për teknologjinë bërthamore “KernD” tha se heqja e energjisë bërthamore në tërësi nuk ishte një ide e mirë për shkak të krizës energjetike: ” Edhe në funksion të politikës klimatike dhe evolucionit shumë të pafavorshëm të prodhimit të energjisë elektrike vitin e kaluar, për shkak të rritjes së mprehtë të prodhimit të energjisë elektrike nga qymyri, mbyllja e tre termocentraleve bërthamore në punë që prodhojnë pak gazra të efektit serë, nuk është i kuptueshëm”. Dhe shtojnë: “Po të marrim parasysh sigurinë e furnizimit, mbrojtjen e mjedisit dhe klimës, si dhe konkurrencën së bashku, do të ishte më e mençur të prodhohej më shumë energji elektrike nga burimet bërthamore sesa aspak.”
Energjia bërthamore në botë sot
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), në mbarë botën janë aktualisht në punë 422 reaktorë bërthamorë, me një moshë mesatare rreth 31-vjeçare. Një raport i fundit i IAEA-s, megjithatë, pohon se nuk mund të flasim për një rilindje të energjisë bërthamore. Për prodhimin e energjisë elektrike nga termocentralet bërthamore në botë, mund të lexojmë: “Në vitin 1996 u arrit maksimumin me 17,5 për qind, por në vitin 2021 kjo vlerë ra nën dhjetë për qind, për herë të parë në katër dekada”. Dhe Jürgen Trittin thekson se askush nuk dëshiron të investojë në një shkallë të madhe “në energjinë bërthamore, sepse energjia bërthamore nuk është konkurruese”. Ndërtimi i centraleve të reja bërthamore është shumë i shtrenjtë; shpesh ato janë të bashkëfinancuara nga taksat. Vonesat dhe kundërshtimet ndaj projekteve të reja janë të përsëritura./dw
E-Diaspora
-
Mbi 18 mijë votues nga Zvicra për zgjedhjet në Kosovë Mërgata kosovare në Zvicër po dëshmon edhe këtë herë interes të lartë për procesin zgjedhor në... -
Leyla Ibrahimi-Salahi uron udhëtarët: “Na pret një 2026 plot risi” -
Traditë shqiptare e Krishtlindjes që ndriçon një lagje zvicerane -
Fehmi Mahalla: Nga Ferizaj në Lozanë, kampion dhe trajner i kampionëve -
Studentët shqiptarë në Zvicër në takim me Ambasadën e Shqipërisë në Bernë për Ditën Kombëtare të Diasporës
Jeta në Austri
-
Sulmohet me armë xhamia e shqiptarëve në Austri Mbrëmjen e kaluar, rreth orës 23:55, persona të panjohur kanë sulmuar hyrjen e xhamisë shqiptare në... -
Trump dëshiron ta shkëpusë Austrinë nga BE-ja -
Austria do të vazhdojë angazhimin e saj në KFOR, deri në 600 ushtarë në vitin 2026 -
“Varg e Vi” me projekt në Vjenë -
Policia bastisë shtëpinë e 46 vjeçarit në Austri, zbuluan simbole naziste










