Lajme
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, “vlojnë” reagimet në Kosovë
Opozita kërkon dorëheqjen e qeverisë e cila, sipas tyre ka mashtruar popullin, ndërsa Qeveria këmbëngulë se marrëveshja do të jetësohet, por me pak ndryshime. Reagon BE dhe Beogradi
Interpretimi i Gjykatës Kushtetuese se Marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën e Kosovës, ka ngjallur një momentum të ri në politikën kosovare. Opozita pas këtij vendimi kërkoi dorëheqjen e Qeverisë e cila, sipas tyre ka mashtruar popullin, ndërsa Qeveria këmbëngulë se marrëveshja do të jetësohet, me pak ndryshime.
Për vendimin djeshëm të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ka reaguar edhe bashkësia ndërkombëtare e cila kërkon nga palët të respektohet vendimi i Gjykatës, dhe qeverisa e Serbisë, që këtë vendim e quan politik.
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës sot ka folur edhe ministrja për Dialog, Edita Tahiri, e cila tha se Marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe nuk u anulua nga Gjykata Kushtetuese dhe asnjë pikë e saj nuk u kërkua që të shkojë në rinegocim.
Kryeministri Isa Mustafa tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të respektohet, ndërsa kërkoi nga opozita që të kthehet në Kuvend. “Pas kësaj nuk ka asnjë arsye të mëtejshme për bllokim të punës së kuvendit e as për protesta në rrugë. Ky vendim siguron se në procedura të mëtejshme do të veprohet brenda kornizave të Kushtetutës”, tha ai.
Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar pret që të gjitha palët ta respektojnë këtë vendim ashtu që akti ligjor i Qeverisë së Kosovës për zbatim të kësaj Marrëveshjeje dhe Statuti pasues të përgatiten sa më shpejtë që është e mundur.
Pas vendimi është përgjigjur e para e shtetit, Atifete Jahjaga. Ajo u ka bërë thirrje subjekteve politike në pushtet dhe atyre në opozitë që të shfrytëzojnë këtë moment për të rinisur dialogun politik në Kosovë dhe për të rikthyer normalitetin në vend.
Ndërsa, kryeparlamentari Kadri Veseli thotë se Republika e Kosovës është demokraci kushtetuese dhe mbi bazën e këtij parimi fundamental, do të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Ky vendim përbën një moment të ri dhe të rëndësishëm për skenën politike në Kosovë. Ai krijon një hapësirë të re për reflektim të përbashkët dhe për qasje të përbashkët ndaj dialogut politik, si rruga e vetme për të hequr dilemat e ngritura dhe për të garantuar stabilitetin politik e institucional të vendit”, thotë Veseli.
Menjëherë kanë reaguar tri partitë politikë që përbejnë bllokun opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe Nisma. Opozita kërkon dorëheqjen e Qeverisë, për mashtrimin, siç thonë ata, që ia kanë bërë popullit.
“Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, si dhe koalicioni i tyre duhet të japin përgjegjësi për shkelje të Kushtetutës. Këta shkelën Kushtetutën dhe mashtruan qytetarët duke u përpjekur ta fshihnin këtë mashtrim. Po ashtu, ata kanë vënë në lajthitje Kuvendin e Republikës, duke tentuar dhunshëm ta bëjnë atë pjesë të shkeljes së tyre të rëndë”, konsideron opozita.
Mustafa dhe Thaçi, sipas opozitës, me qëndrime antikushtetuese shpërfillën Peticionin e 205 254 qytetarëve, arrestuan deputetët opozitarë, aktivistët e qytetarët protestues.
“Ata na akuzuan se po shkelim ligjin teksa kishin shkelur thelbësisht Kushtetutën e vendit tonë, pra interesin tonë shtetëror. Prandaj largimi i menjëhershëm i Mustafës dhe Thaçit është i domosdoshëm dhe më e pakta që duhet të ndodhë”, konsiderojnë opozita e bashkuar.
Po ashtu për vendimin që dha Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ka reaguar edhe Beogradi zyrtar.
Milovan Drecun, kryetar i Këshillit të Kuvendit të Serbisë për Kosovën shprehet kategorik se kurrfarë bisedimesh të reja lidhur me Asociacionin e Komunave serbe nuk vijnë në konsiderim për t’u zhvilluar në Bruksel. Ai konsideron, se “këto bisedat janë dëshira të vitit të ri të disa politikanëve kosovarë, ndërsa shton se Marrëveshja duhet të zbatohet”.
“Ata (Prishtina) janë të detyruar të respektojnë marrëveshjen ashtu si është arritur dhe aty shmangie nuk ka. Nëse diçka nuk është në përputhje me Kushtetutën, atëherë duhet të ndryshohet Kushtetuta. Nëse Brukseli kërkon që për Marrëveshjen tashmë të arritur të bisedohet sërish, atëherë ky do të ishte një hap i madh prapa dhe ky proces do të ishte pa perspektivë”, ka thënë Drecun.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës në përgjigjen e saj ndaj kërkesës së presidentes Atifete Jahjaga, për të vlerësuar Marrëveshjen e 25 gushtit, konstaton se Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe nuk është tërësisht në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.
Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Asociacioni i Komunave me shumice Serbe do të themelohet, siç është paraparë me Marrëveshjen e parë të viti 2013, të ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës dhe shpallur nga Presidentja e Kosovës.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Itali
Tragjedi në Itali, fqinji rrëfen si u gjetën të pajetë katër anëtarët e familjes shqiptare Helmimi me gaz në Porcari, dëshmia e fqinjit shqiptar për momentet e para... -
Kompania shqiptare mbulon Forumin në Davos me mbi 100 vetura luksoze -
Kosovë
Veshja tradicionale e Hasit të Prizrenit synon mbrojtjen nga UNESCO -
Amerikë
Shqiptarja hyn në histori me emërimin në administratën e lartë të SHBA-së -
Amerikë/Shqipëri
Talent shqiptar nga Amerika që po sjell ventrilokizmin në skenën shqiptare
Jeta në Austri
-
Raporti i Eurostat: Çmimet e shtëpive në BE janë rritur me 53% që nga viti 2010 Botimi i Eurostat-it “Strehimi në Evropë – Botimi 2025” tregon ndryshime të mëdha në kostot e... -
Austri: Këto cigare po bëhen më të shtrenjta -
Hendeku buxhetor i Vjenës për vitin 2025 u reduktua në 2.8 miliardë euro -
Studimi: Të rinjtë në Austri përdorin më pak mediat sociale, rritet përdorimi i chatbot-eve me inteligjencë artificiale -
Vjena planifikon shtëpi të mbyllura në grup për shkelësit e përsëritur nën moshën 14 vjeç











