Lajme

Pas tragjedisë në Kerzers, PostAuto paralajmëron trajnime të reja për shoferët

Sipas PostAuto, shoferët tashmë marrin trajnime për sigurinë dhe për menaxhimin e konflikteve me pasagjerët

Pas tragjedisë së rëndë që ndodhi në Kerzers, kompania zvicerane e transportit PostAuto ka njoftuar se do të organizojë trajnime shtesë për shoferët, me qëllim rritjen e sigurisë dhe përgatitjes për situata emergjente.

Drejtuesit e kompanisë kanë bërë të ditur se këto trajnime do të fokusohen në menaxhimin e situatave kritike, përfshirë reagimin në raste zjarri, trajtimin e pasagjerëve problematikë dhe mënyrat për të vepruar në situata të papritura gjatë udhëtimit, transmeton albinfo.ch.

Sipas PostAuto, shoferët tashmë marrin trajnime për sigurinë dhe për menaxhimin e konflikteve me pasagjerët, por pas tragjedisë në Kerzers kompania dëshiron të forcojë më tej përgatitjen dhe ndërgjegjësimin e stafit për raste të ngjashme.

Ngjarja tragjike ndodhi më 10 mars 2026, kur një burrë dyshohet se i vuri zjarr vetes brenda një autobusi PostAuto. Si pasojë e zjarrit gjashtë persona humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën, duke tronditur opinionin publik në Zvicër.

Në shenjë respekti për viktimat, shoferët e PostAuto në të gjithë vendin do të mbajnë edhe një minutë heshtje, ndërsa kompania ka theksuar se mbështet psikologjikisht stafin e prekur nga kjo tragjedi.