Jeta në Zvicër

Parlamenti votoi Pro ndërtimit të tunelit të dytë në Gotthard

Të majtët dhe të Gjelbrit bashkë me qarqe të tjera majtiste kanë paralajmëruar një referendum kundër shtimit të numrit të tuneleve në Gotthard

Dhoma Nacionale e Parlamentit të Zvicrës në seancën e mbajtur sot ka miratuar hapjen e tubit të dytë të tunelit në Gothtard. 109 deputetë kanë votuar pro ndërsa 74 kundër këtij vendimi, të cilin dhoma tjetër, ajo e kantoneve e kishte miratuar me herët. 4 deputetë kanë abstenuar

Tuneli i ri, gjegjësisht tubi i dytë do të shërbejë si zëvendësim gjatë sanimit të  tunelit ekzistues prej dy korsishë. Ndërsa, pas përfundimit të punimeve  në tunelin ekzistues të Gotthardit, sipas planit të prezantuar nga Qeveria Federale do të mbetet në dispozicion të komunikacionit rrugor për secilin drejtim të vozitjes nga një tub gjegjësisht tunel prej një korsie.

Partitë e majta dhe të Gjelbrit bashkë me qarqe të tjera majtiste jashtë parlamentit kanë paralajmëruar një referendum kundër tendencave për shtim të numrit të tuneleve në Gotthard, shkruan sfr.ch. Ato druajnë se me kohë do të hapen nga dy korsi në secilin drejtim. Me këtë, sipas tyre po fitn aspekti ekonomik kundër atij të mbrojtjes së Alpeve.

Tuneli i dytë pritet të jetë gati jo më parë se në vitin 2030.

Ministrja e qarkullimit dhe energjisë, Doris Leuthard është përballur edhe me kritika sa i përket kostos së tunelit. Ai pritet të kushtojë 2.7 miliardë franga.