Lajme

“Para gjyqit qëndrojnë njerëzit, jo kombet”

Intervistë me Oliver Diggelmann, profesor i së Drejtës së Popujve dhe i së Drejtës Shtetërore në Universitetin e Cyrihut. Më parë 45-vjeçari ligjëroi në Universitetin Andrásy të Budapestit si dhe në Universitetin e St. Gallenit si profesor i jashtëm.

Intervistë me Oliver Diggelmann, profesor i së Drejtës së Popujve dhe i së Drejtës Shtetërore në Universitetin e Cyrihut. Më parë 45-vjeçari ligjëroi në Universitetin Andrásy të Budapestit si dhe në Universitetin e St. Gallenit si profesor i jashtëm.

Dje në mëngjes, Ramush Haradinaj, u shpall i lirë nga të gjitha pikat e aktakuzës së Tribunalit Ndërkombëtar për Krime të Luftës në Hagë. Si mund të vlerësohet ky lirim?

Unë mendoj se ne duhet të dallojmë mes rrafshit juridik dhe perceptimeve në vendet e të akuzuarve. Nga këndvështrimi juridik lirimi nuk ishte krejtësisht i papritur.

Pse nuk është lirimi juridikisht i papritur? Gjithnjë bëhej fjalë për frikësim të dëshmitarëve?

Në gjendjen faktike nuk pati ndryshuar diç në thelb. Kjo ka mundur të jetë gjithsesi edhe ndryshe, gjë e cila nuk mund të dihet paraprakisht. Instanca e parë u desh të vendosë edhe njëherë, sepse ajo, sipas mendimit të instancës ankimore, nuk kishte marrë sa duhet parasysh frikësimin e dëshmitarëve.  Frikësimi i dëshmitarëve kyç akuzues është në të vërtetë një problem i madh.  Sepse është tepër e vështirë që për krime të rënda, siç janë krimet e luftës apo krimet kundër njerëzimit, të vihet deri tek deklaratat serioze të dëshmitarëve. Dëshmitarët e mundshëm kanë frikë nga hakmarrja ndaj tyre apo të afërmve të tyre. Veç kësaj, Gjyqi i Hagës është larg nga vendi i ngjarjes. Unë mendoj megjithatë se gjyqi ka bërë atë të mundshmen për ta evituar këtë mangësi. Dhe ka ardhur sërish tek përfundimi i njëjtë.

Çfarë vështirësish të tjera kishte në këtë rast ?

Haradinaj bënte pjesë në kuadrot drejtuese të kosovarëve. Problemi në proceset ndaj personelit drejtues qëndron në atë se personeli i tillë krimet nuk i kryen personalisht, konkretisht, por duke vepruar në prapavijë, pra si personel drejtues. Që të mund të dënohej Haradinaj do të duhej që atij t’i argumentohej pjesëmarrja në një plan për kryerjen e krimeve të tilla. Kjo është shumë e vështirë. Nuk mjafton të thuhet se dikush ka të bëjë diç me krimin, sepse është pjesë e personelit drejtues apo pse veten e quan pjesëtarë të ndonjë organizate të përfshirë në krime. E domosdoshme është që pjesëmarrja të vërtetohet konkretisht. Kush mban ndonjë përgjegjësi politike nuk do me thënë automatikisht se është edhe penalisht përgjegjës.

Shtetet e Bashkuara dhe Administrata e Përkohshme e Kombeve të Bashkuara e patën përshëndetur kthimin e Haradinajt në politikë pas lirimit të tij të parë. A ishte ky një gabim shikuar nga këndvështrimi i procesit?

Unë nuk mund t’i lejoj vetes të përgjigjem në këtë pyetje. Nëse është fjala për atë që një shoqëri e dalë nga lufta të rikthehet në normalitet detyrohesh të kooperosh edhe me njerëz me të cilët në rrethana normale nuk do të kishe bashkëpunuar. Ndonjëherë vjen deri tek përplasja mes trajtimit juridik të së kaluarës  dhe trajtimeve në ndërtim e sipër dhe ndonjëherë të duket mençuri t’ju hysh rreziqeve, të cilave, kur ju hedh një shikim prapa, duket se do të kishte qenë më mirë të mos ju hyje.

Serbët po  e kritikojnë ashpër këtë vendim, duke e quajtur “drejtësi fitimtarësh”. A po manifestohet vërtet në Tribunalin për Krime Lufte të OKB-së një tendencë e tillë?

Jo. Para gjyqit po qëndrojnë njerëz të veçantë, jo kombet – edhe pse kjo në vendet e të akuzuarve natyrisht se perceptohet ndryshe. Fundja para gjyqit është personeli i tyre i dikurshëm drejtues. Akuza për drejtësi fitimtarësh është një pretekst për t’ju shmangur fyerjes së përjetuar nga gjykimi i ish-kuadrove të tyre udhëheqëse.

A mendoni se përmes këtij aktgjykimi po dërgohet sinjali i duhur ?

Gjyqi nuk duhet të dërgojë sinjale, por të gjykojë në bazë të fakteve dhe bindjeve të qëndrueshme. Do të ishte një gjyq arbitrar po që se vendimin do ta merrte duke pasur parasysh në rend të parë procesin e pajtimit.

A do të thotë ky lirim humbje për Tribunalin Ndërkombëtar të OKB-së?

Unë nuk e shoh kështu. Por është një lirim i ndjeshëm në një rast të ndjeshëm.

Përkthimi: Nexhmedin Gerguri
Ky shkrim është botuar në “Tages Anzeiger”  si në albinfo.ch me 30.11.2012