Shkurt.ch

Papa Benedikti XVI jep dorëheqje

Kjo është hera e parë në 600 vitet e fundit që Papa jep dorëheqje

Papa Benedikti i XVI ka thënë  sot se do të tërhiqet nga posti më 28 shkurt pasi që nuk po mund t`i kryejë detyrat në zyrën e tij në Vatikan. Bendedikti i XVI po bëhet Papa  i parë që nga mesjeta që merr këtë vendim. Kjo është hera e parë në 600 vitet e fundit që Papa jep dorëheqje.

Ky vendim tash e shtron detyrën para Këshillit të Kardinalëve të Kishës Katolike që ta zgjedhë Papën e ri, para fillimit të muajit prill.

Papa Benedikti i 16-të, emri i të cilit është Joseph Ratcinger, në prill të këtij viti i mbush 86 vjet. 86-vjecari ka thënë se kryerja e detyrave të Papës, që është lider i më tepër se një miliard katolikëve në mbarë botën, kërkon “si fuqi të mendjes ashtu edhe të trupit”.

“Pasi në mënyrë të përsëritshme e kam ekzaminuar ndërgjegjen time para Zotit, kam ardhur te e vërteta se forcat e mia, për shkak të moshës së avancuar, më nuk janë adekuate për kryerjen e detyrës”, ka thënë Papa.

Papa theksoi se ka menduar gjatë për vendimin e tij, i cili, sipas tij, është për të mirën e Kishës. Vëllai i Papës, Georg Ratzinger, ka deklaruar se ai po tërhiqet për shkaqe shëndetësore.

“Mosha e tij e detyroi atë të tërhiqet”, tha Georg Ratzinger.  Papa Benedikti i 16-të e ka udhëhequr Kishën Katolike prej vitit 2005. Ka pasur thashetheme se ai mund të tërhiqet për shkaqe shëndetësore.

Për Papën është e pazakonshme që të tërhiqet, meqë kjo detyrë konsiderohet se zgjatë gjithë jetë derisa Papa të jetë gjallë. Megjithatë, ky nuk është precedent. Papa i fundit, që ka dhënë dorëheqje ishte Papa Gregory i 12-të, i cili u tërhoq në vitin 1415.

Papa Benedikti i 16-të vlerësoi se vendimi i tij “është vendim shumë i rëndësishëm për jetën e kishës”. Në procesin e zgjedhjes së Papës së ri, marrin pjesë të gjithë kardinalët nën moshën 80 vjeçare.

Zgjedhja bëhet brenda Vatikanit në një takim të fshehtë ku kardinalët votojnë për zgjedhjen e papës. Sipas traditës, fletëvotimet digjen pas çdo votimi: nëse tymi nga oxhaku është i zi, kjo do të thotë se Papa nuk është zgjedhur. Por, nëse tymi nga oxhaku është i bardhë, kjo është shenjë se Papa i ri është zgjedhur.

Ligji i Kishës Katolike lejon që Papa të paraqesë dorëheqje; por specifikohet se dorëheqja duhet të jetë “e bërë lirisht dhe e manifestuar në mënyrë përkatëse”.

Periudha e “karriges ës zbrazët” fillon në rast të vdekjes së papës ose nëse ai heq dorë nga posti.  Papa Benedikti XVI erdhi në krye të Kishës katolike në prillin e vitit 2005, pas vdekjes së Papa Gjon Pali II.

Largimin e parë nga posti i kreut të Selisë së Shenjtë e ka bërë Papa Celeste në vitin 1294.