Lajme

Papa arrin në Shqipëri, bekon “tokën e shqiponjave”

Takimin e parë ai e zhvilloi me presidentit Bujar Nishani, ndërsa tha se ndihet i lumtur që ndodhet në tokën e përulur dhe të heronjve shqiptarë

Qindra mijë shqiptarë kishin zbritur në Tiranë në sheshin “Nënë  Tereza” për ta përshëndetur Atin e Shenjtë, Papa Françeskun, i cili sot në mëngjes erdhi në Shqipëri. Ai tha se ky është vendi i shqiponjave që sakrifikoi aq shumë për fenë dhe në emër të fesë, ndërsa lavdëroi shqiptarët për bashkëjetesë dhe harmoni fetare.

Takimin e parë ai e zhvilloi me presidentin Bujar Nishani, me ç`rast tha se ndihet i lumtur që ndodhet në tokën e përulur dhe të heronjve shqiptarë.

“Shqiptarët sakrifikuan jetën e tyre në emër të fesë, ju falënderoj për pritjen festive në vendin që njihet si vendi i shqiponjave. Realiteti i ri na krijon mundësinë të shkojmë drejt së ardhmes me besim për të krijuar realitete të reja, respektimin e të drejtave të njeriut, për diversitetin kulturor, për zhvillimin social të një vendi”, tha ai.

Të drejtat duhet të pranohen dhe respektohen nga të gjithë, por dhe nga ndërveprimi i komuniteteve njerëzore, tha Papa.

“Ka një pasuri ndër shqiptarë që duhet ta ruani mirë, respektimin dhe vlerësimin, mes katolikëve, myslimanëve dhe ortodoksëve dhe meriton një vëmendje të veçantë në këto kohëra kur grupe ekstremiste po dhunojnë vlerën e vërtetë të një bashkëjetese fetare, duke nxjerrë në pah diferencat:, u shpreh Papa Fraçesku.

Ai po ashtu tha se askush nuk duhet të mendojë se duhet të shfrytëzojë forcën e Zotit për të frymëzuar akte të dhunshme. “Askush mos të përdorë si justifikim fenë për të shprehur mendime ndryshe”, u shpreh Papa.

Ati i Shenjtë deklaroi se ajo që ndodh në Shqipëri tregon se bashkëjetesa ndërfetare në Shqipëri duhet të vazhdojë në këtë rrugë dhe të kthehet për shumë vende, një shembull që duhet ndjekur dhe përhapur në rajon dhe mbarë botën, citon Noa.

Ndërsa presidenti Bujar Nishani në fjalën e mbajtur pas takimit me Papën, deklaroi se ndihet i privilegjuar për vizitën e më të shquarit prej miqve në Presidencën e Republikës.

Ai tha se kjo është një ngjarje e madhe historike për kombin, vendin, dhe gjithë shqiptarët kudo që janë, të cilët njëzëri thonë “Mirëserdhët në Shqipëri”.

“Ati i Shenjtë ne shqiptarët jemi popull i vjetër me vetëdije të fortë kombëtare, i falemi Zotit në mënyra të ndryshme. Ngrehinën tonë shpirtërore e bën krishterimi dhe islamizmi. Por, në ndarjen e tyre dinë vetëm të dialogojnë. Mes nesh nuk ka diskriminim, nuk ka intolerancë, nuk ka ekstremizëm, por respekt reciprok të trashëguar brez pas brezi, harmoni e barazi të plotë të garantuar nga Kushtetuta e shtetit tonë laik”, tha ai.

Shqiptarët, sipas Nishanit, përjetuam për gati 50 vite një diktaturë të egër, ku komunizmi tentoi të krijojë njeriun e ri pa Zot, pa liri, pa objekte kulti, pa kler, duke u shfaqur si i vetmi vend atesite në botë.

Pas takimit në Presidencë, ku ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të shtetit shqiptar si dhe klerikë nga të gjitha komunitete fetare, Papa bëri një vizitë me veturë nëpër qendër të Tiranës, duke i përshëndetur mijëra të pranishëm. Madje ai ndaloi edhe veturën duke i bekuar disa fëmija afër rrugës.

Çdo vend që mirëpret Papën, i zbukuron rrugët me flamuj, në përpjekje për të lënë një përshtypje të mirë. Por ajo që të bie në sy në Tiranë, siç shkuan agjencia NOA, nuk janë flamujt e papatit dhe ata kombëtarë, por disa banera të mëdhenj me portretet e 40 martirëve shqiptarë.

Kreu i selisë së shenjtë ka takuar kryebashkiakun e Tiranës, Lulzim Basha, i cili i ka dhuruar Atit të Shenjtë, çelësin e Tiranës. Papa Françesku më pas ka nisur edhe Mesha e Shenjtë dhe ritualet e saj.