Ovacione dhe rrëmujë për Ardian Bujupin

Fëmijë dhe të tjerë, pak më të rritur, filluan të shtyheshin, për të qenë afër idhullit të tyre, kur u mor vesh se Ardiani po vinte

Super ylli shqiptar nga Gjermania, Ardian Bujupi, në kuadrin e turit të tij për promovimin e albumit të parë, sot ka qenë mysafir në lokalet e qendrës tregtare Mediamarkt të Winterthurit.

© albinfo.ch

Me qindra tinejxherë (dhe prindër të tyre) shumica e madhe e tyre shqiptarë, kishin zënë me korridoret e Mediamarkt-it, në periferi të qytetit, më shumë se një orë para se të vinte këngëtari i tyre i adhuruar.

Fëmijë dhe të tjerë, pak më të mëdhenj se ta, filluan të shtyheshin, për të qenë më afër idhullit të tyre, kur u mor vesh se më në fund Ardiani po vinte.

Pasi u drejtoi një përshëndetje në gjhuhën gjermane, Bujupi këndoi këngën “This is my time”, duke nxitur ovacione të fuqishme dhe duatrokitje te adhuruesit e tij të rinj.

© albinfo.ch

Pastaj Ardiani filloi punën e tij më të mundimshme nëpër turne, dhënien e autogrameve. Masa e tinejxherëve, shumica vajza, dyndej drejt skenës së improvizuar, duke penguar herë-herë rrjedhën më të shpejtë të dhënies së nënshkrimeve.

 © albinfo.ch

Ardian Bujupi vazhdoi të japë nënshkrimet edhe për një kohë të gjatë, ndërsa masa, vazhdonte të klithte emrin e tij në shenjë adhurimi.