Kosova

Osmani reagon pas vrasjes së një gruas nga bashkëshorti i saj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas vrasjes së një gruas nga burri i saj në Graçanicë.

“E tmerruar dhe e indinjuar nga vrasja brutale e gruas M.Zh. nga duart e bashkëshortit të saj në Gushtericë të Poshtme në komunën e Graçanicës.  Mizori të tilla që po vazhdojnë të atakojnë shoqërinë tonë nuk duhet të tolerohen. Ky akt mizor nuk është një incident i izoluar, por një veprim  shqetësues i dhunës ndaj grave që kërkon veprim të menjëhershëm dhe vendimtar”, ka shkruar ajo.

Tutje presidentja kërkon që institucionet e sigurisë të sigurohen që nëpërmjet zbatimit të saktë të ligjeve dhe udhëzuesve të dënimeve t’i japin fund femicidit.

“Fatkeqësisht, shohim tepër shpesh raste kur dhunuesit lirohen me dënime shumë më të ulëta sesa ato që parashihen me ligj. I shpreh ngushëllime të thella familjes së viktimës dhe jemi përkrah të gjithë atyre që kanë humbur familjaret e tyre për shkak të femicidit. Të gjithë duhet të jemi një, derisa asnjë grua të mos ketë frikë për jetën e saj”, shkroi tutje presidentja.