Lajme

Osmani: Mospërmbushja e premtimeve, e teston besueshmërinë e Bashkimit Evropian

Presidentja, Vjosa Osmani pas takimit me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel në konferencë të përbashkët për media ka falënderuar Bashkimin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.

“Dua ta falënderoj Bashkimin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës, për investimet në fuqizimin e demokracisë, fuqizimin e shoqërisë civile, fuqizimin e sundimit të ligjit, për investimet në fushën e infrastrukturës, në të gjitha aspektet ekonomike, por edhe të jetës së përditshme”, tha ajo.

Osmani theksoi se mospërmbushja e premtimeve në raport me rajonin, sipas saj, e teston besueshmërinë e BE-së.

“Mospërmbushja e premtimeve në raport me rajonin tonë, e teston besueshmërinë e Bashkimit Evropian, duke lënë nganjëherë edhe hapësirë për ndikim të jashtëm”, deklaroi Osmani.

Sipas saj, ka ardhur koha që Kosova dhe BE-ja të ngrisin marrëdhëniet në nivel më të lartë.

“Ka ardhur koha që t’i ngrisim marrëdhëniet tona ndërmjet vendit tonë dhe institucioneve evropiane në një nivel më të lartë, prandaj e mirëpres vizitën tuaj, zoti president, si një hap i rëndësishëm në drejtim të duhur”, ka thënë Osmani.

Osmani tutje theksoi se Kosova gjendet përball një situate të re në Evropë, duke thënë se Kosova ka nevojë për angazhim të mëtutjeshëm për të arritur objektivin e përbashkët për një Evropë të bashkuar.

“Siç e dini, sot ne jemi përball një situate të re në Evropë, me dinamika dhe prioritete të reja politike, përderisa jemi  plotësisht të përkushtuar për synimet tona për kontinentin, kemi nevojë për angazhim të mëtejshëm se si të arrijmë objektivin tonë të përbashkët për një Evropë të bashkuar të lirë dhe në paqe”, deklaroi Osmani.

Presidentja më tej tha se Kosova ka nevojë që BE-ja urgjent të bëjë të qartë përspektivën evropiane të gjithë rajonit, e në veçanti të Republikës së Kosovës.

“Dua t’ ju siguroj se populli dhe shteti i Kosovës do të mbetet stoik në refuzimin e ndikimeve ruse dhe ndikimeve të tjera të rrezikshme, por kemi po ashtu nevojë urgjente që edhe BE-ja ta bëjë të qartë edhe një herë përspektivën evropiane të gjithë rajonit tonë, e në veçanti  të Republikës sonë”, tha presidentja Osmani./Albinfo.ch