Lajme

Oficeri i FSK-së, më i miri nga të huajt në Britani

Oficeri Ismajl Hoxha dekorohet nga Princi Charles si më i miri nga ndërkombëtarët në Akademinë Mbretërore Ushtarake Sandhurst në Britaninë e Madhe

Oficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Ismajl Hoxha, pas 12 muajsh shkollim, fitoi shpatën mbretërore britanike si oficeri-kadeti më i mirë ndërkombëtar në Akademinë Mbretërore Ushtarake Sandhurst në Britaninë e Madhe. Shpatën e oficerit më të mira ia dha nderin që nga Princi Charles.

Bashkë me Hoxhën, sot diplomuan edhe dy oficerë të FSK-së, Fitore Fazliu dhe Besfort Kruma. I pranishëm në ceremoni ishte edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe ambasadori i Kosovës në Londër, Lirim Grajçevci.

Në ceremoninë madhështore në këtë Akademi, flamuri i Kosovës nuk ishte i vendosur sipas alfabetit, siç ka ndodhur në ceremonitë e kaluara. Sot, ai qëndronte i pari nga të gjithë flamujt e shteteve tjera pjesëmarrëse në akademi. Për të ndjekur ceremoninë e diplomimit dhe paradën, ulëset e para ishin rezervuar për mysafirët nga Kosova.

“Sot është ditë feste për të kumtuar arritje të mëdha të njerëzve që meritojnë urimet më të ngrohta. Ju po merrni çmimet tuaja në një kohë kur profesioni ushtarak po zhytet në ujëra të turbullta. Shtyllat e rendit ndërkombëtar janë duke u sfiduar si kurrë më parë gjatë gjithë jetës time. Në të njëjtën kohë një kult vdekjeje dhe shkatërrimi është duke defiluar nëpër tokat e vjetra duke joshur një numër të frikshëm të të rinjve që përfundojnë të vdekur. Në ballë të këtyre sfidave, vlerat tradicionale britanike – sjellja e ndershme, qytetërimi, një dozë humori në vështirësi – mbesin po aq të çmuara siç kanë qenë gjithnjë”, ka thënë Princi Charles.

Ismajl Hoxha tha se nuk është ndjerë asnjëherë më krenar, dhe i emocionuar tha se ka qenë një ditë e veçantë për atë në fund të përvojës së tij 12 muajshe në akademinë ushtarake ku i pranishëm ishte edhe Princi Charles.

Marrja e këtij çmimi dhe diplomimi i oficerëve të FSK-së, ka rëndësi të veçantë për komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama. “Po ndihem shumë i nderuar dhe i privilegjuar që jam sot këtu në cilësinë e komandantit. Është nder dhe është ngjarje historike edhe për Kosovën, por edhe për FSK-në, familjen dhe të gjithë ne”, tha ai.