Lajme

Nxënësit shqiptarë triumfojnë në Kuizin e Diturisë 2026 në Laholm, Suedi

Eventi i organizuar nga Lidhja ‘Iliria’ promovoi kulturën, historinë dhe talentin e të rinjve shqiptarë në diasporë

Më 7 mars, në qytetin e Laholm në Suedi, u zhvillua Kuizi i Diturisë 2026, një aktivitet i dedikuar nxënësve shqiptarë nga e gjithë Suedia. Evenimenti u organizua nga Lidhja e Shoqatave Shqiptare ‘Iliria’ në bashkëpunim me Këshillin Organizativ të Kuizit, ndërsa Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Suedi u përfaqësua nga i Ngarkuari me Punë, Eno Çollaku, i cili përshëndeti të pranishmit, transmeton albinfo.ch.

Nxënësit garuan në fusha të ndryshme të dijes, përfshirë histori, gjeografi, art dhe kulturë, duke demonstruar njohuritë dhe aftësitë e tyre. Fitues të garës u shpall grupi nga qyteti i Malmos, ndërsa programi u pasurua edhe me valle tradicionale shqiptare të interpretuara nga vajza të talentuara të moshave të ndryshme.

Pavarësisht shpalljes së një fituesi, organizatorët theksuan se vlerësimi i vërtetë i këtij eventi është rritja e brezit të ri shqiptar në diasporë, i cili përmes aktiviteteve të tilla ruan identitetin kombëtar dhe lidhjen me Atdheun./Albinfo.ch