Nuk ka më syze nga buxheti i shtetit

Syzet dhe lentat e syve hiqen nga sigurimi bazë ndërsa në këtë sigurim futet vaksinimi i femrave kundër virusit Papilloma

Sigurimi bazë shëndetësor, duke filluar nga viti i ardhshëm nuk do të mbulojë më shpenzimet për syze dhe për lenta të syve. Kështu ka vendosur sot Departamenti i Shëndetësisë në kuadër të Qeverisë Federale, njofton 20 Minuten.ch. Me këtë vendim po ashtu do të zvogëlohen kompensimet e pacientëve për prodhimet medicinale për inkontinencë.

Me këto masa, departamenti ishëndetësisë vlerëson se do të arrihet të kursehen 40 milionë franga, nga gjithsej 400 milionë franga në vit sa janë subvencionet e shtetit në shëndetësi.

Ndërkaq, arkat shëndetësore nga viti i ardhshëm do të marrin përsipër mbulimin e shpenzimeve për vajzat dhe gratë deri në moshën 26 vjeçare që vaksinohen kundër virusit Papilloma, virus ky që mund të shkaktojë kancerin e mitrës.