Shkurt.ch

Nuk debatohet ndryshimi i marrëveshjes për lëvizje të lirë me Zvicrën

"Vendosja e kontingjenteve për të huajt nga shtetet e BE-së dhe rezervimi për zviceranët i përparësisë në tregun e punës, nuk janë opsione që do t`i pranonte BE-ja"

Unioni Evropian mbron qëndrimin e vet se nuk mund të negociojë me Zvicrën lidhur me kërkesën e kësaj të fundit që BE-ja ta pranojë një përshtatje që do t`i bënte Zvicra marrëveshjes për lëvizje të lirë. Këtë kërkesë  Zvicra e ka bërë në mënyrë që të mund të zbatojë pikë për pikë tekstin e iniciativës së SVP/UDC-së kundër migrimit masiv, të cilën zviceranët e kanë votuar më 9 shkurt.

Kërkesa në fjalë, siç bën të ditur Zyra Federale për Migracion (BFM) është bërë të enjten. Atë e ka ushtruar shefi i BFM-së, Mario Gattiker në kuadrin e takimit të komisionit për migracion të BE-së në Bruksel, shkruan nzz.ch.

Një zëdhënëse e BE-së ka bërë të qartë se vendosja e kontingjenteve për të huajt nga shtetet e BE-së dhe rezervimi për zviceranët i përparësisë në tregun e punës nuk janë opsione që do t`i pranonte BE-ja. Por, ka theksuar ajo, Zvicra ende nuk e ka adresuar një kërkesë të tillë në BE.

Partitë parlamentare dhe qeveria e Zvicrës po mbrojnë qëndrimin për zbatimin fjalë për fjalë të tekstit të iniciativës ndërkohë që organizatat që përfaqësojnë ekonominë kërkojnë më shumë kreativitet dhe fleksibilitet sa i takon aplikimit të këtij teksti.