Njohja e gjuhës, kusht për pagën e papunësisë

Njohja e pamjaftueshme e gjuhës pengon të huajt e mbetur pa punë që të gjenden më lehtë në tregun e këtushëm të punës

Duke filluar nga muaji mars i vitit të ardhshëm, entet e punës në kantonin e St. Gallenit do të fillojnë një praktikë të re me personat e papunë që kanë prejardhje të huaj. Të gjithë ata të papunë që nuk kanë kryer shkollimin ose kualifikimin në Zvicër si kusht për të përfituar ndihmat e papunësisë kanë hyrjen në test për të dëshmuar shkallën e njohjes së gjermanishtes.

Varësisht nga rezultati, ata do të orientohen në kurse të gjuhës ose në programe tjera për ngritjen e tyre profesionale, shkruan gazeta “St.galler tagblatt”.

Pa njohuri të mjaftueshme të gjermanishtes, masat për integrimin e të huajve në Zvicrën lindore po tregojnë më pak efekt. Po ashtu njohja e pamjaftueshme e gjuhës pengon të huajt e mbetur pa punë që të gjenden më lehtë në tregun e këtushëm të punës, thonë përgjegjësit e entit të punës në St.gallen.

Testi për vlerësimin e shkallës së njohjes së gjermanishtes mbahet në qendrat regjionale të ndërmjetësimit të punës (RAV) dhe zgjat dy orë e gjysmë. Ai përfshin kompetencën gjuhësore në dëgjim, lexim, komunikim, shkrim dhe kuptim.