Lajme

Një donacion nga Zvicra gëzon gratë kosovare me kancer

"Një paruk një buzëqeshje'', është donacioni që gëzoi gratë kosovare që po e luftojnë kancerin. 120 paruke në Prishtinë i solli bashkatdhetarja Nerxhinave Sejdiu Ferat

Një donacion i ardhur prej bashkatdhetareve nga Zvicra, i kanë gëzuar tejmase gratë kosovare që po e luftojnë kancerin. 120 paruke, në vlerë rreth 8 mijë euro, i ka sjellë në Institutin e Onkologjisë të Klinikës Universitare të Prishtinës, mërgimtarja Nerxhinave Sejdiu Ferati, e cila jeton në Gjenevë.

Ajo tha se bashkatdhetaret nga Zvicra kanë dhuruar ndihma për blerjen e 120 parukave për gratë të cilat kanë humbur flokët si pasojë e sëmundjes së kancerit. Ky gjest u mirëprit si nga pacientet ashtu edhe nga drejtuesit e Institutit të Onkologjisë.

”Ju njoftoj të gjithëve se sot i dorëzova 120 paruke në Institutin Onkologjik në Prishtinë, falë ndihmës tuaj, shoqëria dhe miqësia ime…moment emocionues. Kishin ardhur zonjat në pritje që nga ora 8:00 e mëngjesit…me lot në sy i mirpritën”, shkruan ajo në rrjetijn social, facebook.

Sejdiu-Ferati falenderoi të gjithë ata që ndihmuan këtë projekti, i cili realizohet në Kosovë me rastin e festave të fundvitit.

Këto mjete që u përdorën për blerjen e këtyre parkeve, janë siguruar nga shitja e ushqimeve tradicionale kosovare në Zvicër.

Këto paruke i ka mirëpritur edhe drejtori i kësaj Klinike. ”Këto paruke ndikojnë në mirëqenien e gruas, nënës dhe motrës sonë, të cilat kanë nëvojë të madhe për to”, tha drejtori i Onkologjisë, Ekrem Hyseni.