Lajme

Një aeroplan i vogël rrëzohet në liqenin Zug

Rrëzohet një avion i vogël në liqenin Zug pranë Cham, reagojnë forcat e shpëtimit

Një incident ajror ndodhi të premten pasdite në liqenin Zug, pranë zonës Cham, ku një avion i vogël u rrëzua mbi sipërfaqen e ujit. Forcat e shpëtimit u mobilizuan menjëherë dhe janë të pranishme në numër të madh në vendngjarje, përcjell albinfo.ch.

Sipas pamjeve të publikuara nga gazeta Zuger Zeitung, avioni shihet duke fluturuar shumë ulët mbi liqen, duke bërë një kthesë djathtas përpara se të humbiste lartësinë dhe të përplasej në mënyrë të pakontrolluar në ujë. Policia e kantonit Zug e ka konfirmuar rrëzimin, por deri tani nuk ka dhënë detaje mbi numrin e personave në bord apo gjendjen e tyre shëndetësore.

Ngjarja ndodhi në prag të një eventi të planifikuar me hidroplanë, që pritet të mbahet në Cham të premten dhe të shtunën. Sipas organizatorëve, në këtë aktivitet janë regjistruar gjashtë pilotë me avionët e tyre. Ende nuk është konfirmuar nëse avioni i rrëzuar ishte pjesë e këtij eventi.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave janë duke vazhduar.