Kinema

Nisin xhirimet e filmit “Për sa t’ketë det” në Kosovë

Filmi i parë artistik i metrazhit të gjatë nga Sovran Nrecaj trajton dhimbjen, pritjen dhe jetën pas konfliktit, me mbështetje të Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Kanë nisur xhirimet e filmit “Për sa t’ketë det”, filmi i parë artistik i metrazhit të gjatë me skenar dhe regji të Sovran Nrecajt, ndërsa producente e projektit është Aurela Kadriu. Filmi po realizohet nga Can and Cam në partneritet me Degjenerata, me mbështetje të Qendrës Kinematografike të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit, “Për sa t’ketë det” sjell në vëmendje dhimbjet e pafolura dhe jetët që mbeten pezull nga pritja. I vendosur në një shoqëri që përpiqet të rindërtojë veten pas konfliktit, filmi nuk fokusohet në heronj apo fitimtarë, por depërton në brishtësinë e një familjeje të formësuar nga humbja.

Në qendër të rrëfimit është Sadetja, e interpretuar nga Ilire Vinca, e cila jeton një jetë modeste me bashkëshortin Burimin (Alban Ukaj), fotograf, dhe djalin e tyre Lumin (Yzeir Meha). Ngjarja merr kthesë kur Burimi i bashkohet rezistencës së armatosur dhe nuk kthehet më, duke e lënë Sadeten vetëm me djalin dhe përballë një humbjeje pa një përfundim të qartë.

E ngujuar mes një të tashmeje të rëndë dhe një të kaluare që nuk e lë të qetë, Sadetja përpiqet të mbijetojë dhe të ndërtojë rrugën e saj në një shoqëri patriarkale, ku pritja dhe dhimbja bëhen pjesë e përditshmërisë.

Filmi aktualisht ndodhet në fazën e xhirimeve në Kosovë.

Ekipi i filmit “Për sa t’ketë det”

Skenarist dhe regjisor: Sovran Nrecaj

Producente: Aurela Kadriu

Në role kryesore: Ilire Vinca, Alban Ukaj, Yzeir Meha

Në role të tjera: Refet Abazi, Melihate Qena, Molikë Maxhuni, Valdrin Osmani, Ernest Malazogu, Shpëtim Selmani, Kushtrim Qerimi, Blend Sadiku, Ermal Sadiku, Ideal Nrecaj

Drejtor i fotografisë: Murat Emkuzhev

Kostume dhe skenografi: Leonora Mehmeti Hoxha

Kompozitorë: Anda Kryeziu dhe Justin Robinson Stewart

Dizajner i zërit: Pëllumb Ballata

Grim dhe flokë: Linda Nimani

Ky projekt pritet të sjellë një rrëfim të fuqishëm dhe emocional, duke trajtuar realitetin e pasluftës dhe sfidat e jetës së njerëzve të zakonshëm në Kosovë./Albinfo.ch