evente

Nga identiteti te përgjegjësia, demokracia e shqiptarëve përtej shtetit kombëtar

Reflektim akademik e shoqëror në Universitetin e Cyrihut, organizuar nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë në Cyrih (Shoqata Studenti Zürich)

Në Universitetin e Cyrihut (Universität Zürich) më 4 nëntor 2025 u zhvillua një panel akademik me temë “Demokracia Transnacionale: Të Drejtat e Pjesëmarrjes Politike të Mërgatës Shqiptare”, që bashkoi diplomatë, gazetarë, akademikë dhe studentë shqiptarë nga e gjithë Zvicra për të reflektuar mbi rolin politik e shoqëror të diasporës shqiptare dhe mënyrat se si ajo mund të kontribuojë në zhvillimin demokratik të vendeve të origjinës.


Ngjarja u organizua nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë në Cyrih (Shoqata Studenti Zürich) në bashkëpunim me Katedrën e Prof. Dr. iur. Felix Uhlmann nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Cyrihut, duke krijuar një urë të rëndësishme mes akademisë, diplomacisë dhe shoqërisë civile shqiptare në diasporë.

Bardh Jashari, Kryetar i Shoqatës së Studentëve Shqiptarë në Cyrih:Diaspora nuk është vetëm një realitet social, por një forcë politike e kulturore që ruan lidhjen me atdheun përmes gjuhës, kujtesës dhe vlerave të përbashkëta. Ne, si studentë shqiptarë që jetojmë mes disa kulturave e gjuhëve, e përjetojmë demokracinë jo si koncept teorik, por si përgjegjësi të gjallë që tejkalon kufijtë dhe bashkon hapësira.”

Në qendër të debatit qëndroi pyetja thelbësore: si mund të konceptohet demokracia në një botë ku përkatësia dhe përgjegjësia shtrihen përtej kufijve kombëtarë e kulturorë, duke e parë mërgatën shqiptare si një hapësirë dinamike që jeton mes dy realiteteve, atij të vendit pritës dhe të atdheut.

Paneli u pasurua me pjesëmarrjen e Prof. Dr. iur. Felix Uhlmann nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Cyrihut, redaktorit dhe reporterit Enver Robelli, Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Zvicër Mentor Latifi, gazetares dhe redaktores Adelina Gashi, ndërsa moderimin e mbajti Mërgim Gutaj nga Universiteti i Cyrihut.

Redaktori dhe analisti Enver Robelli solli një perspektivë kritike dhe realiste mbi rolin politik të diasporës, duke ngritur dilema të rëndësishme mbi pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet e vendeve të origjinës, por edhe mbi mungesën e angazhimit në politikën lokale zvicerane: “Pyetja se a duhet apo jo të marrin pjesë shqiptarët e mërgatës në zgjedhje në vendet e prejardhjes – Kosovë, Maqedoni apo Shqipëri – nuk mund të marrë një përgjigje të thjeshtë me ‘po’ ose ‘jo’. Kush ka shtetësi të Kosovës, ta zëmë, e ka edhe të drejtën e votës.”

Sipas Robellit, shqetësuese mbetet mungesa e interesimit për politikën helvetike, çka tregon një hendek të dukshëm mes integrimit të mërgatës dhe pjesëmarrjes së saj aktive në shoqërinë ku jeton. Ai theksoi se përfaqësimi institucional i diasporës në vendet e origjinës është i domosdoshëm, ndoshta përmes një formule të re “me tre deri në pesë deputetë të diasporës në parlament”.
Duke ruajtur tonin reflektues, ai paralajmëroi për rrezikun e polarizimit midis diasporës dhe shoqërisë kosovare, duke kujtuar se “pa paratë e dërguara nga diaspora, jeta në viset shqiptare do të ishte e zymtë”. Njëkohësisht, ai nënvizoi se investimet e diasporës duhet të orientohen drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, pasi “në Kosovë janë mbi 180 mijë banesa bosh, një pjesë e konsiderueshme e tyre të blera nga diaspora”.

Në fjalën e tij, Ambasadori Mentor Latifi e cilësoi diasporën shqiptare si shtyllë të shtetndërtimit të Kosovës, duke theksuar rolin e saj të shumëfishtë: “Mërgata jonë është pjesë përbërëse e shoqërisë sonë. Ajo ishte historikisht dhe financiarisht vendimtare në shtet-ndërtimin e Kosovës. Ajo vazhdon të mbetet burim i investimeve, diturisë, ekspertizës dhe lobimit pro vendit tonë. Pjesëmarrja e saj në politikën e vendit është e mirëseardhur dhe sjell standarde të reja ndërkombëtare.”

Moderatori Mërgim Gutaj e përshkroi temën si përvojë personale dhe identitare: “Për mua, kjo temë nuk është vetëm akademike apo politike, por thellësisht personale. Si dikush i lindur në Kosovë dhe i rritur në Zvicër, e ndjej vazhdimisht tensionin mes dashurisë për atdheun dhe distancës nga realiteti i përditshëm i tij. Megjithatë, vetëm duke bërë pyetje të vështira dhe duke reflektuar me guxim, ne mund të rritemi si individë dhe si shoqëri.”

Ndërsa gazetarja Adelina Gashi theksoi dimensionin demokratik të përkatësisë: “Demokracia, në thelb, nuk njeh kufij, ajo buron nga përkatësia ndaj një komuniteti politik, jo vetëm nga afërsia gjeografike. Prandaj besoj se është e drejtë dhe e domosdoshme që diaspora kosovare të ketë të drejtën e pjesëmarrjes në zgjedhjet në Kosovë.”

Në publik ishin të pranishëm studentë shqiptarë nga universitete të ndryshme të Zvicrës, të ardhur nga disa kantone, të cilët e kthyen panelin në një hapësirë të gjallë reflektimi, pyetjesh dhe idesh.

Sipas Hana Sylës, përfaqësuese e Shoqatës së Studentëve Shqiptarë në Cyrih: “Kjo ngjarje ishte një moment i rëndësishëm bashkimi akademik dhe komunitar, ku u trajtuan aspekte politike, shoqërore dhe identitare të rolit të mërgatës në proceset demokratike.”

Leona Berisha, studente në Fakultetin Juridik: “Edhe pse jemi lindur dhe rritur në diasporë, dhe ndoshta shkojmë në vendlindje vetëm një ose dy herë në vit, është shumë e rëndësishme të ruajmë lidhjen me të, duke votuar dhe duke u interesuar për politikën e vendit tonë. Prindërit tanë gjithmonë e kanë mbajtur në zemër dëshirën për t’u kthyer një ditë. Prandaj, ne si brez i ri duhet të mendojmë për ta, që kur të kthehen ta gjejnë vendin më të mirë, më të drejtë dhe më të zhvilluar se ai që lanë pas.”

Leart Krasniqi, student i Fakultetit Juridik:Sot dëgjuam pikëpamje të ndryshme për një temë që, për mua, është po aq emocionale sa edhe intelektuale. Më pëlqeu fakti që u trajtua nga perspektiva të ndryshme demokratike, jo vetëm nga një drejtim i vetëm – siç shpesh ndodh në hapësirën tonë politike. Profesori i ftuar, i cili ka qenë pjesë e proceseve ligjore në Kuvendin e Kosovës, solli një qasje të thellë dhe praktike, ndërsa vizitën e tij zyrtare e shfrytëzoi edhe si një përvojë personale, duke mbetur i impresionuar nga mikpritja jonë. Të rinjve shqiptarë në diasporë do t’u thosha të ruajnë ato ‘dy zemra’ – atë të Zvicrës dhe të Kosovës – sepse është plotësisht e mundur të jetosh me të dyja, të ndihesh i përfshirë në të dy realitetet dhe t’i bashkosh ato me dashuri e përgjegjësi.”

Kur demokracia transnacionale nuk është vetëm një nocion teorik, por një realitet që lind nga përvoja e mërgimit, ajo shndërrohet në formë të re pjesëmarrjeje,  një demokraci që tejkalon kufijtë shtetërorë dhe përfshin qytetarë që ndajnë gjuhën, kujtesën dhe përkatësinë e përbashkët.
Ngjarje të tilla tregojnë se studentët shqiptarë në Zvicër po shndërrohen në aktorë të rëndësishëm të dialogut publik dhe ndërmjetësimit kulturor, duke ndërtuar ura mes diasporës, institucioneve akademike dhe shoqërisë zvicerane.

Konkluzion akademik
Paneli në Universitetin e Cyrihut dëshmoi se demokracia e së ardhmes nuk matet më me kufij gjeografikë, por me aftësinë për të bashkuar zëra, përvoja dhe përgjegjësi përtej tyre. Diaspora shqiptare, me rolin e saj të shumëfishtë: ekonomik, kulturor dhe politik po e mishëron në mënyrën më të gjallë dhe universale këtë vizion të demokracisë transnacionale, duke u bërë faktor i pandashëm i zhvillimit demokratik dhe identitar të hapësirës shqiptare.