Shkurt.ch

Në Zvicër jetojnë 2000 “vrasës potencialë”

Në Zvicër ndodhin mjaft shpesh vrasje që cilësohen si “drama familjare” e që vijnë si pasojë e raporteve të çrregulluara në mes të çifteve martesore. Në shumë raste të ngjashme por edhe në rastet e vrasjeve “pa shkas” (të njohura si “amok”), pasi të ndodhin merret vesh se vrasësi ka qenë i njohur për policinë apo se ka dhënë edhe më parë shenja çrregullimi mental që mund të çonte  te vrasja etj.
Por deri tash ka munguar një listë e personave që “potencialisht” pritet se mund të kryejnë krime të tilla.
Ekspertët e kriminalistikës konsiderojnë se në Zvicër jetojnë rreth 2000 persona që klasifikohen si njerëz me rrezikshmëri të lartë. Ndërkohë në shumë kantone këta persona janë vendosur në lista të veçanta. Për shembull, Policia e Kantonit të Solothurnit ka përpiluar një listë me 74 emra njerëzish “të rrezikshëm”.
Qëllimi i përpilimit të këtyre listave është parandalimi i krimeve. Ato mundësojnë që psikologët dhe policët të kërkojnë dialog me personat e përmendur dhe eventualisht t`u konfiskohen armët, shkruan “sontagsblick”.  Po nuk bënë punë këto masa, personat në fjalë merren në paraburgim.
Sipas profesorit emeritus të sociologjisë Walter Hollstein, dramat familjare në Zvicër marrin më shumë viktima se në Gjermani.