Shkurt.ch

Në prag të zgjedhjeve, zhgënjimi për BE-në po rritet

Zgjedhjet për Parlamentin e Evropës po afrohen, ndërsa mendimet dhe qëndrimet e evropianëve për BE-në janë të ndryshme.

“Pak para zgjedhjeve evropiane zhgënjimi me BE-në arrin nivele të reja”, shkruan gazeta gjermane “Die Welt” dhe shton se 67 për qind e francezëve janë pesimistë në lidhje me zhvillimin e ardhshëm të BE-së. Kurse ndër britanikët “vetëm” 52 për qind presin një të ardhme të zymtë, shkruan gazeta.

Ndryshe është mendimi i studiuesve të “Per Research Center” në SHBA. Sipas tyre, pas krizës së euros në Francë, Gjermani dhe Britaninë e Madhe po shtohet besimi te BE-ja. Sipas tyre, 54 për qind e francezëve dhe 52 për qind e britanikëve kanë një imazh pozitiv për Bashkimin Evropian, pra më shumë se një vit më parë.
Dy studime, dy mendime – dhe veç tyre ka edhe të paktën një sondazh të tretë dhe të katërt. Sondazhi i institutit CSA, i bërë për mediet franceze, thotë se besimi i francezëve ndaj Evropës është zhdukur prej vitesh. Kurse Eurobarometri i Komisionit Evropian flet për optimizëm dhe një imazh pozitiv që kanë në parim qytetarët për BE-në.

Sido që të jetë, janë përafërsisht 507 milionë qytetarë të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) që do të votojnë në zgjedhjet në fund të majit për Parlamentin Evropian (PE). 

Pas pranimit të Kroacisë, Parlamenti i BE-së aktualisht përbëhet nga 766 deputetë. Në maj megjithatë do të zgjidhen vetëm 751 anëtarë të Parlamentit Evropian në bazë të reformave të reja me Traktatin e Lisbonës.

Nga popullsia e vendeve anëtare përcaktohet edhe proporcionalisht numri i deputetëve. 
Vendet më të vogla të BE-së, Malta, Luksemburgu, Qipro dhe Estonia, kanë të drejtë për të paktën gjashtë deputetë. Shumica e deputetëve i takojnë Gjermanisë (96).