Kosova

Në një seancë bojkoti, Thaçi kërkon unitet për bisedime me Serbinë

Fjalimin e Thaçit e përcollën vetëm nga 39 deputetë, ngaqë u bojkotua nga opozita, Lista Serbe dhe disa deputetë të tjerë

Në fjalimin e fundvitit që presidenti Hashim Thaçi mbajti para ligjvënësve kosovarë, kërkoi që të formohet një ekip uniteti për përfaqësim në fazën finale të dialogut me Serbinë. Ai ka kërkuar gjithashtu që demarkacioni ma Malin e zi të përfundohet, në mënyrë që vendit t’i hapet perspektiva evropiane. Fjalimin e Thaçit e përcollën vetëm nga 39 deputetë, ngaqë u bojkotua nga opozita, Lista Serbe dhe disa deputetë të tjerë.

Sidoqoftë, Thaçi tha se institucionet e Kosovës, janë të gatshme ta vazhdojnë dialogun me Serbinë.

“Kam filluar konsultat formale dhe joformale me partitë politike dhe shoqërinë civile, me qëllim që të themelojmë një ekip të dialogut, të unitetit, për të siguruar gjithëpërfshirje në këtë proces. U bëj thirrje të gjithëve që të jemi të bashkuar në këtë proces. Sa herë që jemi bashkuar, Kosova ka fituar dhe qytetarët na kanë mbështetur”, theksoi Thaçi.

Në vijim, presidenti Thaçi kërkoi nga institucionet përgjegjëse, sidomos nga Kuvendi i Kosovës, që pa humbur kohë ta ratifikojë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Ai tha se Kosova nuk mund ta fajësojë në vazhdimësi Bashkimin Evropian dhe pa humbur kohë ta plotësojë këtë kriter, në mënyrë që të përfshihet në zonën e lëvizjes së lirë e pa viza.

“Duhet ta ratifikojmë pa humbur kohë Marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Ratifikimi i saj i jep fund izolimit të padrejtë të qytetarëve të Kosovës. Janë inkurajuese bisedimet e fundit që po zhvillohen në kuadër të institucioneve të Kosovës, ku janë të përfshira Qeveria, Kuvendi dhe faktorët tjerë, që të gjendet një zgjidhje brenda javëve të ardhshme”, tha Thaçi, transmeton REL.

Njëherësh, Thaçi i ka bërë thirrje edhe Qeverisë së Kosovës që pa humbur kohë të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, si obligim që ka Kosova karshi dialogut të Brukselit me Serbinë dhe Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve reciproke.

Presidenti Thaçi, edhe këtë herë ka premtuar se viti i ardhshëm do të jetë vit i themelimit të Ushtrisë së Kosovës. Premtime të tilla, ai kishte bërë edhe gjatë adresimeve tjera viteve të kaluara, qoftë nga kapaciteti i liderit të Partisë Demokratike apo si kryeministër i Kosovës.

“Unë sot dua t’ju siguroj që bashkërisht me Qeverinë, me Kuvendin dhe partnerët tanë strategjikë do të punojmë që viti 2018, të jetë viti i themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës. Kjo do t’i shërbejë paqes dhe stabilitetit në rajon dhe kudo në botë”, tha Thaçi.