Lajme

Në Durrës sekuestrohen 420 kg drogë

Sipas Policisë, rreth 420 kilogram kanabis sativa janë sekuestruar në një autobus me targa të Tiranës, i cili kishte destinacion Italinë. Droga ishte fshehur në shasinë e autobusit

Dy ditë pasi Departamenti Amerikan i Shtetit e cilësoi Shqipërinë si vend trampolinë    për narkotikë nga Azia dhe Afrika për në vendet e Bashkimin Evropian, në portin e Durrësit është zënë një sasi e konsiderueshme e marihuanës. Sipas policisë bëhet fjalë për 420 kilogramë drogë.

Sipas Policisë së Shqipërisë, rreth 420 kilogram kanabis sativa janë sekuestruar në një autobus me targa “TR 9664 L”, i cili kishte si destinacion Italinë.

Autobusi me pasagjerë është kapur rreth orës 23:20, ndërsa ndodhej në vijën e dytë të kontrollit kufitar. Sipas policisë, sasia e drogës ka qenë e fshehur në pjesën e shasisë së autobusit. Ndërkohë, policia arrestoi drejtuesin e autobusit.

Sipas medieve shqiptare, kjo është sasia e dytë e madhe e drogës së kapur, brenda harkut kohor të një jave në Portin e Durrësit. Disa ditë më parë u sekuestruan 835 kg kanabis sativa në një kamion me targa të Maqedonisë.