Lajme

Në Danimarkë u kremtua 110-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë

Në një atmosferë vëllazërore, njëherësh solemne, Ambasada e Republikës së Shqipërisë dhe Konsullata e Republikës së Kosovës në Kopenhagë kremtuan 110-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, Ditën e Flamurit Kombëtar, shkruan albinfo.ch.

“Me këtë rast, së bashku me bashkatdhetarët tanë dhe miq danezë mikpritëm në mjediset tona një ekspozitë me fotografi artistike të fotografit e gazetarit të mirënjohur, Arian Mavriqi – Photography, me pamje të natyrës shqiptare. Nën shenjën e ngjyrave të larmishme dhe bukurive të mahnitshme të natyrës sonë, të pranishmit shijuan vende dhe hapësira që pasqyrojnë sa trashëgiminë tonë materiale, aq edhe faunën e florën e pasur të Shqipërisë dhe Kosovës”, shkruan Albanian Embassy in Denmark.

Postimi i plotë:

Ceremonia u përshëndet nga Ambasadorja Elida Petoshati dhe drejtuesi i Konsullatës, Valdrin Grainca.

Mund të jetë një imazh i 12 persona, njerëz në këmbë dhe ambiente të brendshme

Në fjalën e saj, Ambasadorja evokoi episodin historik të 28 Nëntorit, rrugën e mundimshme drejt Pavarësisë, si edhe arritjet e rëndësishme të botës shqiptare në këtë 110-vjetor. “Nuk ishte i lehtë rrugëtimi i Ismail Qemalit, as i 40 firmëtarëve të Pavarësisë. Nuk ishte aspak i lehtë as rrugëtimi i Isa Boletinit. Nuk ishte i lehtë as rrugëtimi i qindra e mijërave shqiptarëve të ndritur nëpër botë që e shtruan me luftë, gjak e përpjekje të panumërta Aktin e Madh të Pavarësisë. Shqiptarët e Bukureshtit, ata të Misirit, Stambollit, Amerikës e gjetkë renditen në altarin e nderit të kombit shqiptar sepse përgatitën me patriotizëm të pashoq të ardhmen e Shqipërisë e të kombit tonë. Ata sfiduan robërinë dhe ndërtuan një atdhe shpirtëror larg trojeve kombëtare, atdheun e gërmave shqipe, atë të gjuhës sonë të mrekullueshme, të shkollave, të shtyshkronjave, revistave e botimeve, të farkëtimit të ndërgjegjes kombëtare që ndezën për së largu pishtarin e rezistencës dhe të ngadhënjimit mbi errësirën. Askush prej këtyre heronjve nuk e pati rrugëtimin të lehtë, por pavarësisht pengesave, sakrifica e tyre titanike e drejtoi timonin e Historisë sonë drejt ballkonit të Pavarësisë, në Vlorën e 28 Nëntorit të vitit 1912.”, u shpreh, ndër të tjera, Ambasadorja. Ajo e vlerësoi çeljen e ekspozitës si një simbolikë kuptimplote për të kremtuar një ditë kaq të veçantë për mbarë Kombin Shqiptar, ndërsa këto ditë e deri më 30 Nëntor në Tiranë e në qytete të ndryshme të vendit po mbahet Java e kulturës Shqipëri-Kosovë. Referuar ekspozitës, Ambasadorja nënvizoi: “Natyra jonë e magjishme nuk është thjesht relievi ynë gjeografik. Natyra shqiptare është relievi ynë historik, relievi shpirtëror e kulturor ku kemi ndërtuar vlerat e lirisë, kemi formësuar dinjitetin e trashëgiminë tonë të pasur, kemi përkundur ëndrrat e aspiratat për të ardhmen, aty ku kemi të gjalla simbolet tona kombëtare. Na takon të gjithëve së bashku ta ruajmë e pasurojmë, në mënyrë të qëndrueshme, për t`ia trashëguar brezave!”

Mund të jetë një imazh i 3 persona, njerëz në këmbë dhe ambiente të brendshme

Në përshëndetjen e tij, Drejtuesi i Konsullatës së Republikës së Kosovës, Valdrin Grainca, theksoi rëndësinë e ngjarjes historike të Ditës së Flamurit Kombëtar. Ai u ndal në mënyrë të posaçme në vlerat e ekspozitës së fotografit Arian Mavriqi. Duke theksuar lidhjen e ngushtë të këtij fotografi me natyrën, nënvizoi si vlerë të shtuar ndjeshmërinë dhe rëndësinë që të gjithë së bashku duhet t`i kushtojmë njohjes dhe ruajtjes së natyrës, mjedisit e zhvillimit të qëndrueshëm të këtij potenciali në të dyja vendet tona.

Mund të jetë një imazh i 6 persona, njerëz në këmbë dhe ambiente të brendshme

Fotografi Arian Mavriqi prezantoi punën e tij ndër vite dhe evidentoi elementë të saj, sa profesionale aq edhe patriotike. Ai bëri me dije se aktualisht është i angazhuar jo vetëm për ngritjen dhe pasurimin e arkivit fotografik, por edhe për shoqërimin e tij me një bazë të dhënash të detajuar mbi emërtime dhe fakte shkencore. Këtë punë, ai po e vijon në bashkëpunim të ngushtë me profesionistët shqiptarë të secilës fushë, për të cilët përcolli vlerësim dhe mirënjohje të thellë.

Të pranishmit në ceremoni ndanë bashkarisht momente festive të mbushura plot emocione!

Gëzuar 110-vjetorin e Pavarësisë!

Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar!