Lajme
Ndihma nga Danimarka për nevojtarët e Kosovës
"Gjithmonë kam pasur dëshirë t’i ndihmoj fëmijët, e kam pasur mision të shpirtit dhe kam pasur vullnet për këtë", thotë Melinda Rrahimi

Melinda Rrahimi i ka lënë anash argëtimet rinore, frekuentimin e kafiterive, shëtitjet, madje i ka ndërprerë edhe studimet përkohësisht dhe është vënë në krye të një projekti për mbledhjen e ndihmave humanitare për fëmijët e Kosovës, i cili edhe ka marrë emrin e saj: “Melinda project”.
Melinda nga Podujeva është vetëm 20 vjeçe, ka nënshtetësinë daneze dhe jeton në Danimarkë, ku ka vajtur me familjen, kur kishte qenë 16 muajshe. Nuk i mungon asgjë personalisht që të çojë jetë pa brenga, por e brengos varfëria e fëmijëve kosovarë, në veçanti e fëmijëve jetimë, njofton koha.net.. Melinda rrëfen se ajo me prindërit e saj dhe me vëllanë e motrën çdo vit e kanë vizituar Kosovën. Në këto vizita ajo e ka parë se gjendja e pasluftës në atdheun e saj nuk e ka përmirësuar standardin jetësor ashtu siç mendohet jashtë Kosovës. E ka preokupuar në vazhdimësi gjendja e fëmijëve, në veçanti e bonjakëve.
“Gjithmonë kam pasur dëshirë t’i ndihmoj fëmijët, e kam pasur mision të shpirtit tim këtë, kam pasur vullnet për këtë, por nuk e kam besuar se do ta arrij këtë qëllim”, thotë Melinda Rrahimi.
Një vizitë e saj në Kosovë gjatë fundvitit të kaluar i ka dhënë vulë vendimit për t’i hyrë aksionit humanitar.
“Kur po shkoja te dajat në Prishtinë, në autobus e pashë një prind në gjendje të mjerë me një vajzë të vogël në prehër që dukej të ishte me të meta. Prindi qante, askush s’e ndihmonte, ishte ftohtë, vajza ishte e veshur hollë, unë kurrë s’kam parë një baba duke qarë me fëmijën e tij në prehër. Kjo pamje ka ndikuar në jetën time dhe në vendimin tim për të filluar projektin humanitar”, kujton ajo. “Kur u nis kamioni me ndihma për Kosovë ia kam nisur të qaj, m’u parafytyrua prapë ajo vajzë me babanë e saj”.
Skenat e mjerimit që i kishte parë në Kosovë e kishin inspiruar që të merrej me aktivitete humanitare dhe kishte dashur që të influenconte që Danimarka, shteti ku ajo jeton, ta ndihmojë atdheun e saj – Kosovën. Thotë se e inspiron shembulli i Nënës Terezë në aktivitetet e saja humanitare.
“Unë dua të jem një Nënë Terezë e Kosovës, që i ndihmoj në radhë të parë fëmijët dhe popullin e Kosovës. Jam shumë e lumtur që kam arritur të bëj diçka për të varfrit, për nevojtarët, kam qenë më e lumtura kur projektin tim e kanë mbështetur danezët”, thotë ajo.
Fakti se “Melinda project” është mbështetur më së shumti pikërisht nga një popull tjetër e bën Melinda Rrahimin të ndihet e obliguar që në rast të mundësive të ndihmojë edhe popujt e tjerë në nevojë në rrugëtimin e saj humanitar. Melinda Rrahimi rrëfen se mediet daneze kanë qenë të parat që e kanë mbështetur projektin e saj për mbledhjen e ndihmave humanitare.Ftesës së Melindës në vlera të konsiderueshme në formë ndihme i ishin përgjigjur pastaj familje daneze, individë, kompani të ndryshme. Në një periudhë mjaft të shpejtë është siguruar një kontingjent, i cili këtë fundjavë ka mbërritur në Kosovë.
Në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Zhvillim, “Melinda project” ka vendosur që ndihmat e grumbulluara t’i dorëzojë në Gjakovë dhe në Podujevë.
“Gjysmën e ndihmave do ta dorëzojmë në Gjakovë dhe gjysmën tjetër në Podujevë. Prioriteti ynë janë fëmijët jetimë dhe pastaj fëmijët e familjeve të varfra dhe fëmijët e tjerë nëpër shkolla që nuk i kanë kushtet aq të mira”, bën me dije Melinda. “Qendra Kosovare për Zhvillim ka bashkëpunuar me neve, na kanë pritur mirë, na kanë ndihmuar”.
Destan Krasniqi, drejtor ekzekutiv i kësaj qendre, tregon se organizata që e drejton ai e ka marrë përsipër t’i pranojë dhe të bëjë shpërndarjen e ndihmave aty ku ka nevojë.”Shpërndarjen e bëjmë së bashku në Gjakovë dhe në Podujevë, e kemi edhe ndihmën e KFOR-it danez. Projekti i Melindes është një projekt shumë i mirëpritur dhe besoj se ky është vetëm fillimi i një pune të mbarë”, thotë Krasniqi.
Qendra Kosovare për Zhvillim e ka selinë e saj në Gjakovë. Është themeluar në vitin 2001 dhe ka punuar në shumë projekte për përmirësimin e gjendjes socio-ekonomike në Kosovë. Melinda Rrahimi dëshiron të falënderojë firmën “Skandinavisk Transport Center” dhe drejtorin e saj Thomas Elm Kampmann për sponsorimin e transportit të ndihmave humanitare nga Danimarka për në Kosovë, transport që ka kushtuar rreth 3 mijë euro.Në vazhdim të projekteve të saj humanitare mbështetëse për atdheun e saj Melinda Rrahimi synon të krijojë fonde për ndërtim shkollash në Kosovë. Veç kësaj, ajo ka për synim të angazhohet edhe në aktivitete kulturore në mënyrë që të ndikojë në forcimin e miqësisë mes popullit shqiptar dhe atij danez. Pas një takimi që ka pasur me kryetarin e Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, thotë se ka gjetur tek ai një partner të interesuar për bashkëpunim.
E-Diaspora
-
Ka ushtruar dhunë mbi gruan: Kosovari lejohet të qëndrojë në Gjermani, për shkak të martesës! Si argument për qëndrimin e tij të përkohshëm në Gjermani, gjykata përmend faktin se gruaja e...
-
Mërgimtarit nga Suedia i vidhen mijera euro, stoli ari dhe dokumente në Kosovë
-
Enesi shënon sukses në Implantologji dhe Rigjenerim Kockor në Universitetin e Romës
-
Halili+Partner Ingenieure nga Zvicra vlerësohet në Oman me vendin e dytë
-
Kjo është gjendja në pikëkalimet kufitare me Kosovën
Jeta në Austri
-
Austri: Nga viti 2026, mbrojtje më e fortë për punonjësit ndaj të nxehtit ekstrem Punonjësit që punojnë në ambiente të hapura do të përfitojnë nga mbrojtje më e mirë ndaj...
-
Borxhi i Austrisë arrin në 412.6 miliardë €
-
Austri: 27% e të rinjve me prejardhje migrante braktisin herët shkollimin
-
Gjermania do të ndjekë shembullin e Austrisë dhe do të deportojë sirianët e dënuar
-
Banka Qendrore e Austrisë instalon bankomate për të kapërcyer hendekun rural të parave të gatshme