Shkurt.ch

Ndërtimtarët festojnë të drejtën e pensionimit të parakohshëm

Që nga viti 2003 punëtorët e ndërtimtarisë pensionohen në moshën 60 vjeçare, ose 5 vjet më herët se të tjerët

Janë mbushur dhjetë vite qëkur punëtorët e ndërtimtarisë në Zvicër kanë të drejtë të pensionohen në moshën 60 vjeçare. Para se të fitonin këtë të drejtë sindikalistët e ndërtimit kishin bërë një fushatë të gjatë dhe të vështirë. Ndërsa nga viti 2003 kur kjo e drejtë kishte hyrë në fuqi, nga ajo kanë përfituar rreth 11.500 punëtorë.

Në përvjetorin jubilar, të dhjetë me radhë sindikata Unia, në një solemnitet të organizuar për këtë rast ka folur për këtë të drejtë si për një të arritur të rëndësishme në sektorin e ndërtimtarisë dhe përparim social-politik.

Në manifestimin e mbajtur të shtunën në Bernë kanë marrë pjesë rreth 400 punëtorë aktivë dhe të pensionuar të ndërtimtarisë.

Punëtorët e degës së ndërtimtarisë të cilët pensionohen në moshën 60 vjeçare, ose 5 vjet më herët se të tjerët, e marrin pensionin që është 80 për qind e pagës së fundit. Ky lloj pensioni paguhet nga një fond i cili financohet nga kontributet e punëdhënësve dhe punëmarrësve.