Lajme

Ndërtimi i rrugëve nuk ndikoi në ekonomi

Ekspertët kosovar të ekonomisë thonë se investimi i Qeverisë së Kosovës vetëm në ndërtimin e rrugëve, nuk e ka ndihmuar zhvillimin e ekonomisë së vendit

Ndërtimi i autostradës “Ibrahim Rugova” që ka kushtuar disa qindra milion euro, por edhe investimet tjera nëpër rrugë, nuk i kanë ndihmuar Kosovës në zhvillimin e saj ekonomik. Ekspertët kosovar të ekonomisë, thonë se investimi qeveritar është bërë pa ndonjë analizë të caktuar.

Alban Hashani është profesori i ekonomisë nga Instituti Riinvest. Ai thotë se investimi i qeverisë vetëm në ndërtimin e rrugës nuk ka ndihmuar ekonominë e vendit.

“Përmirësimi i infrastrukturës ndikon që bizneset të jenë më konkurruese, mirëpo kjo duhet të paraprihet me masa tjera për uljen e barrierave tjera që ne i quajmë barriera institucionale. Investimet në rrugë nuk na bëjnë ndonjë shërbim të madh”, deklaroi Hashani për REL.

Barrierat më të mëdha që kanë bizneset janë joformaliteti, korrupsioni, evazioni fiskal që i bëjnë të pabarabartë shumë biznese që të jenë më konkurruese në treg, thotë Hashani

Sipas tij, përmirësimi i infrastrukturës është parakusht për zhvillimin e ekonomisë së një vendit, por siç tha Hashani, pa përmirësimin e shumë faktorëve, siç është prokurimi publik, i cili përfaqëson 1.6 për qind të ekonomisë së vendit, si dhe sundimi i ligjit nuk mund të arrihet që të ketë zhvillim ekonomik.

Mjedisi biznesor, për më tepër, shton Hashani, nuk është në mjedis tërheqës për investitorët.

Në anën tjetër, ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri thekson se niveli i tanishëm i zhvillimit ekonomik të Kosovës, nuk i përgjigjet asaj që investimet kryesore të orientohen në infrastrukturë rrugore.

“Kosova me këtë aftësi ekonomike që ka, nuk mundet të ndajë mjete për investime në atë masë që të garantojë zhvillim më të shpejtë. Kosovës i duhet të ketë investime të huaja, në mënyrë që ta rrisë normën e punësimit”, deklaron Shatri.

Bartësi kryesor i zhvillimit ekonomik, sipas Shatrit, duhet të jetë sektori privat. Por për të pasur investime private, duhet të përmirësohet infrastruktura në përgjithësi në Kosovë. Kjo, siç thotë Shatri, arrihet me një organizim dhe qeverisje të mirë.

“Në këtë mënyrë si po punohet, investimet e jashtme brenda pesë vjetëve janë zvogëluar dyfish. Nga 500 milionë sa kanë qenë në vitin 2007, kanë rënë në 260 milionë euro. Investitorët e jashtëm po tërhiqen, ambienti biznesor është përkeqësuar, bizneset po kanë problem ta zhvillojnë biznesin në Kosovë”, thekson Shatri.

Projekti më i madh në infrastrukturë rrugore është autostrada “Ibrahim Rugova”, e cila lidhë Prishtinën me Tiranën. Pjesa e Kosovës përfshinë një aks prej 100.4 kilometrash, ndërsa më shumëse 60 për qind e kësaj rrugë është ndërtuar. Kjo autostradë do t;i kushtoj Kosovës më shumë se 700 milionë €.