Lajme

Ndarjet partiake*

Fenomeni i ndarjeve partiake është i pranishëm edhe te popujt e tjerë dhe jo vetëm te shqiptarët, siç thuhet ndonjëherë. Mirëpo, ekziston një dallim i madh në motivet dhe mënyrën e ndarjes me partitë shqiptare në Kosovë. Derisa në rastin e parë ndarjet apo fraksionet brenda një partie ndodhin për shkak të ideve dhe konkurrencës programore, ndarja e partive shqiptare në Kosovë, pothuaj në të gjitha rastet ndodh pikërisht në mungesë të ideve dhe mungesës së demokracisë së brendshme partiake.

Kur t’i shtohen kësaj edhe prirjet bajraktariste, përfitimet dhe privilegjet në rrethanat e okupimit apo mosfunksionimit të shtetit ligjor, del se këto ndarje asnjëherë nuk kalojnë pa trauma dhe pasoja jashtëzakonisht të mëdha në një shoqëri në tranzicion. Ajo që në asnjë rast nuk i ka justifikuar e as nuk i justifikon edhe sot ndarjet e partive politike shqiptare në Kosovë është pozita e rëndë e popullit shqiptar: dje i okupuar nga Serbia, e sot me institucione të brishta e të mbikëqyrura krejtësisht nga faktori ndërkombëtar.

Për më tepër, ndarjet e një partie politike në dy apo tri sosh ndodhin po ashtu për shkak të mosprofilizimit të tyre dhe sidomos për shkak të mosrespektimit të kritereve programore e statutare të vetëpërcaktuara. Ndarjet e partive politike pothuaj në asnjë rast nuk kalojnë pa shkaktuar mosdurim deri në rrahje dhe, sidomos pa lënë pasoja të rënda për një periudhë të gjatë kohore. Karakteristikë e veçantë e këtyre ndarjeve është këmbëngulja e secilit krah për ta trashëguar të kaluarën dhe emrin e subjektit përkatës. Në këtë kuadër, sidomos te gjenerata e vjetër, ende është prezente një dozë e patriarkalizmit dhe logjikës moniste të trashëguar nga sistemi i vjetër komunist.

Vetë mënyra e ndarjes, acarimet në mes të klaneve brenda një partie dhe mosnjohja e legjitimitetit demokratik tregon më së miri se në asnjë rast nuk kemi të bëjmë me ballafaqim konceptesh e idesh për të mirën e vendit, por thjesht për dominim ndaj njëri-tjetrit pa respektuar asnjë normë demokratike dhe, për më tepër, për interesa krejt personale e klanore! Që të thuhet më shkoqur, te subjektet shqiptare në Kosovë ende nuk është kuptuar në thelb përcaktimi partiak dhe qëllimi kryesor që duhet ta ketë një parti politike në interes të një shtrese të popullit në një shoqëri pluraliste. Kjo shihet përditë me lëvizjet primitive të anëtarëve nga një parti në tjetrën, jo për shkak të bindjeve të tyre politike, por thjesht për «funksione të larta» dhe interesa të ndryshme personale! Një fenomen i tillë mjerisht ndodh te «intelektualët» e kalibrave të ndryshëm deri te titujt më të lartë shkencorë e akademikë!

Ndarjet e partive politike shqiptare në Kosovë, e rrjedhimisht edhe në mërgatë, kanë ndodhur në të gjitha periudhat më të rënda. Kështu, pra, kanë ndodhur ndarjet në dy krahë të Degës së Lëvizjes Popullore të Kosovës jashtë vendit, pastaj ndarja e Partisë Shqiptare Demokristiane, e Partisë së Unitetit Kombëtar, Partisë së Ballit Kombëtar, ndarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndarjet e shumta në sindikatat e pavarura, ndarja e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, e kështu me radhë. Sindromi i ndarjes së partive politike shqiptare dhe subjekteve të tjera, qofshin ato edhe humanitare, ka shkaktuar pasoja të rënda dhe vështirë të riparueshme për një kohë të gjatë.

Nga ana tjetër, përveç «luftës» së ashpër ndërmjet klaneve brenda një partie dhe më në fund ndarjes së të tyre, sidomos gjatë dy dekadave të fundit, ka ekzistuar një mospajtim bukur i thellë në mes të subjekteve të shumta shqiptare edhe në mërgatë. Pothuaj në asnjë periudhë nuk kanë arritur ta gjejnë gjuhën e përbashkët së paku për çështje të mëdha kombëtare, përfshirë këtu edhe luftën e drejtë çlirimtare të popullit shqiptar. Viktimë e këtyre ndarjeve ka rënë edhe mërgata shqiptare, e cila duke qenë larg ngjarjeve i ka besuar secilit prej udhëheqësve të tyre partiakë, ndonëse tashmë është e ditur se qëllim kryesor kanë pasur mjetet financiare. Pas shumë vjetësh pjesa më e madhe e veprimtarëve e kanë kuptuar qëllimin dhe kanë mbetur të zhgënyer nga veprimet e tyre. Aktualisht rreth klaneve të caktuara partiake në mërgatë kanë mbetur vetëm disa militantë, të cilët nuk kanë asnjë ndikim.

Kulmi i krejt këtyre ndarjeve është mospërmbushja e detyrimeve kushtetuese të institucioneve shtetërore. Manipulimi i zgjedhjeve dhe format e tjera antidemokratike në vazhdimësi po e mbajnë në tension popullin shqiptar. Të gjitha këto së bashku dhe shumë gjëra të tjera të pathëna në këtë shkrim tregojnë qartë se jo një, po të gjitha subjektet politike shqiptare, secila në pjesën e vet, tani duhet të mbajnë përgjegjësi për kultivimin e vlerave demokratike dhe të ardhmen e vendit tonë të përbashkët si shtet i lirë, demokratik dhe i pavarur. Përgjegjësi duhet të mbajnë të gjithë qytetarët e Kosovës, por sigurisht përgjegjësia më e madhe bie mbi bartësit kryesorë të subjekteve politike dhe të institucioneve shtetërore, të cilët deri tani nuk janë dëshmuar si të tillë. Kosova ka nevojë për të gjithë, e më së shumti për burrështetas të përgjegjshëm!

* Pikëpamjet e shprehura në këtë kronikë shprehim mendimet e autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë.