Kosova

MPJ-ja jep këshilla për kosovarët që jetojnë në Izrael

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Izrael që të shmangin lëvizjet e panevojshme. Ministria u ka thënë qytetarëve që të qëndrojnë në vende të sigurta, përcjell albinfo.ch.

Ky njoftim erdhi pas sulmit të Izraelit në Iran të premten dhe përkeqësimit të situatës në Lindjen e Mesme.

“Duke marrë parasysh përkeqësimin e situatës së sigurisë në Izrael dhe rajon, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Izrael këshillon të gjithë qytetarët e Kosovës që ndodhen aktualisht në Izrael që të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të qëndrojnë në vende të sigurta,” thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ushtria izraelite ka thënë se 200 avionë luftarakë janë përdorur në sulme. Nga zonat e goditura ishte selia komanduese e Gardës Revolucionare Islamike në Teheran, duke vrarë komandantin e saj, Hossein Salami. Nga sulmi është vrarë edhe Ali Shamkhani, njeri i afërt i Khameneit dhe ish-kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit, Mohammad Bagheri, është vrarë në sulm po ashtu.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike ka konfirmuar se zona kryesore bërthamore e Iranit në Natanz është goditur nga Izraeli. E ka konfirmuar se termocentrali bërthamor iranian Bushehr, në bregdetin e Gjirit Persik, nuk është shënjestruar dhe se nuk është vërejtur asnjë rritje e niveleve të rrezatimit në zonën e Natanzit.

Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Effie Defrin, ka thënë se Irani ka lëshuar rreth 100 dronë drejt territorit izraelit dhe se ata po punojnë që t’i ndalojnë.