Integrimi

Merita Pinta, një zonjë e fortë, me shumë merita

Ka themeluar dhe drejton një kompani me dy shtëpi për të moshuar. Albinfo.ch e ka zgjedhur Merita Pintën Personalitet të Vitit 2025 për fushën e shëndetësisë

Merita Pinta është tashmë një emër i përveçëm në komunitetin shqiptar të Zvicrës dhe jo vetëm kaq. Ajo, duke themeluar dhe drejtuar një kompani (Prima Pflege) me dy shtëpi për të moshuar, ku punëson rreth 100 persona, është një punëdhënëse e respektuar në rrethin ku jeton, e më gjerë.

Për këto dhe merita të tjera, platforma mediale e ka zgjedhur atë Personalitet të Vitit 2025 për fushën e shëndetësisë. Në vazhdim, intervista e zhvilluar me Merita Pintën.

Albinfo.ch: Ju keni filluar rrugëtimin tuaj profesional si infermiere, ndërsa sot drejtoni një kompani afër 100 punonjës shëndetësorë. Si e përjetoni këtë transformim dhe cili ka qenë çelësi i suksesit tuaj?

Merita Pinta: Rrugëtimi nga pozita e infermieres deri në atë të drejtimit të kompanisë ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme dhe sfiduese. Çdo hap ka kërkuar përkushtim, disiplinë dhe durim, por gjithashtu më ka dhënë mundësinë të mësoj shumë, jo vetëm për profesionin tim, por edhe për lidershipin, menaxhimin dhe marrëdhëniet me njerëzit. Këtë transformim e përjetoj si një kombinim krenarie dhe përgjegjësie – krenari për atë që kam arritur, por edhe përgjegjësi për ekipin tim, për banorët tanë dhe për komunitetin që ne shërbejmë.

Çelësi i suksesit, sipas mendimit tim, nuk është diçka e njëanshme, por rrjedh nga një kombinim faktorësh që bashkohen për të krijuar një rrugë të suksesshme. Një nga elementët kyç ka qenë pa dyshim besimi në vetvete, dashuria për profesionin dhe një vizion i qartë: ofrimi i shërbimeve të kujdesit shëndetësor me cilësi të lartë, por gjithashtu me ngrohtësi dhe humanizëm.

Një rol të rëndësishëm kanë luajtur gjithashtu njerëzit që kam pasur pranë, ata që më kanë mbështetur, frymëzuar dhe udhëhequr në çdo hap të këtij udhëtimi. Pa mbështetjen e familjes sime, shumë gjëra nuk do të ishin të mundura.

Për më tepër, aftësia për të mësuar nga çdo sfidë, për të qëndruar e përqendruar në objektivat e mia dhe për të ruajtur pasionin për punën që bëj, ka qenë dhe mbetet themeli i suksesit tim. Ky është një proces që vazhdon dhe që gjithmonë më motivon të jap më të mirën time çdo ditë. Suksesi nuk është një destinacion, por një rrugëtim i vazhdueshëm i përpjekjeve dhe përmirësimit të vazhdueshëm.

Albinfo.ch: Ju keni ndërtuar një karrierë të suksesshme që kulmoi me themelimin e “Prima Pflege” në viti

n 2016. Si erdhi ideja për ta krijuar këtë kompani dhe cilat kanë qenë hapat e parë?

Merita Pinta: Pas përfundimit të shkollës fillore në Aarau, kam realizuar një praktikë njëvjeçare në spitalin e Badenit. Gjatë kësaj periudhe, kuptova se kjo ishte fusha ku do të vazhdoja karrierën time. Kështu, vendosa të përfundoj zanatin për asistente shëndetësore. Pas kësaj, u martova me Bajramin dhe krijuam familje. Kemi dy djem, një 22-vjeçar dhe një 14-vjeçar.

Duke ndjekur pasionin për kujdesin shëndetësor, kam përfunduar studimet për infermiere si dhe kam marrë diplomën si eksperte për nxënës dhe studentë. Më pas, vendosa të zgjeroja njohuritë e mia duke studiuar menaxhimin në institucionet shëndetësore dhe paralelisht diplomova për sigurinë e cilësisë. Gjatë gjithë kësaj periudhe, kam kaluar shumë sfida dhe kam mësuar shumë mësime jetësore, të cilat kanë kontribuar në zhvillimin tim personal dhe profesional.

Në vitin 2016, hapa kompaninë time, Prima Pflege. Para kësaj punoja në “Betreutes Wohnen” (banim me përkujdesje), ku udhëhoqa dy qendra në Tegerfelden dhe Mellingen. Qendra në Tegerfelden u rinovua në vitin 2016 dhe në këtë mënyrë, pronarët që ishin aty më parë përfunduan kontratën. Pas kësaj, ata shprehën dëshirën për një bashkëpunim afatgjatë me mua. Kështu lindi ideja për themelimin e kompanisë time dhe hapjen e qendrës së parë në Tegerfelden.

Një vit pas themelimit, hyra në një projekt bashkëpunimi me Regionales Pflegezentrum Baden, që më mundësoi zgjerimin e kapaciteteve të qendrës, shtimin e numrit të banorëve dhe, njëkohësisht, rritjen e mundësive të punës. Ky ishte një hap i rëndësishëm në zhvillimin e kompanisë dhe në përmbushjen e qëllimit tim për të ofruar një kujdes të cilësisë së lartë për ata që kanë nevojë.

Kjo ka qenë një periudhë e pasur me përpjekje dhe sukses, dhe ndihem e lumtur që kam mundur të kontribuoj në fushën e kujdesit shëndetësor dhe të ofroj mundësi punësimi për shumë njerëz.

Albinfo.ch: Sot “Prima Pflege” ka dy qendra për të moshuar dhe afro 100 punonjës. Çfarë vlerash dhe filozofie udhëheqin punën tuaj në këtë kompani?

Merita Pinta: Vlerat që ne kultivojmë ndaj banorëve dhe të afërmve të tyre janë:

  • Respekti dhe dinjiteti për çdo individ
  • Gëzim i jetës dhe ngrohtësia
  • Siguri dhe përgjegjësi
  • Hapësirë dhe detyrimi për informim

Këto vlera janë thelbësore për krijimin e një mjedisi të besueshëm dhe të respektueshëm, ku çdo person ndihet i vlerësuar dhe i sigurt.

Ndërsa vlerat në raport me punonjësit tanë, janë:

  • Kërkesa dhe mbështetje
  • Drejtësi dhe barazi
  • Interes dhe efekt mësimor
  • Komunikim dhe feedback

Këto vlera udhëheqin bashkëpunimin tonë dhe krijojnë një mjedis ku çdo punonjës ndjehet i mbështetur dhe i inkurajuar të rritet dhe të zhvillohet.

Albinfo.ch: Një pjesë e mirë e stafit tuaj janë shqiptarë. Çfarë do të thotë kjo për ju dhe si ndiheni që po krijoni hapësira punësimi për bashkatdhetarët tuaj në Zvicër?

Merita Pinta: Për mua, fakti që një pjesë e madhe e stafit tonë janë shqiptarë është një burim krenarie dhe kënaqësie të veçantë. Ka një ndjenjë të papërshkrueshme kur mund të ofrosh mundësi punësimi dhe të krijosh hapësira për bashkatdhetarët tanë këtu në Zvicër. Kam disa punonjës që janë me mua që nga themelimi i kompanisë, dhe jam jashtëzakonisht mirënjohëse për punën e palodhur dhe përkushtimin që ata japin çdo ditë.

Albinfo.ch: Rruga drejt suksesit sigurisht nuk ka qenë e lehtë. Cilat kanë qenë momentet më të vështira dhe çfarë ju ka mbajtur të fortë gjatë këtij rrugëtimi?

Merita Pinta: Vështirësitë kanë qenë më të mëdha në fillimet e karrierës sime, sidomos kur fëmijët ishin të vegjël. Nuk ishte e lehtë të ishe nënë e dy fëmijëve dhe njëkohësisht të ndërtoje një biznes me përgjegjësi të madhe në një kontekst social të ri dhe ndonjëherë të sfiduar. Por vullneti dhe dëshira për të arritur qëllimet ishin më të forta se çdo pengesë, dhe kjo është ajo që më mbajti të fortë. Pas një periudhe të vështirë dhe shumë sakrificash, ia dola të arrij aty ku jam sot, dhe çdo hap përpara ka qenë një fitore që vlen shumë.

Albinfo.ch: Sa shpesh udhëtoni në Kosovë dhe çfarë ndjesie ju sjell rikthimi në vendlindje? Këtë vit, keni dërguar edhe punonjësit tuaj atje për të vizituar vendet më të njohura turistike e kulturore – si lindi kjo ide dhe si u prit nga ata?

Merita Pinta: Udhëtimet e mia në Kosovë janë një pjesë e veçantë dhe shumë e rëndësishme e jetës sime personale. Pavarësisht angazhimeve të shumta profesionale, përpiqem të bëj vizita të shkurtra atje disa herë në vit, sepse kjo lidhje me vendlindjen më jep energji dhe kujtime të paharrueshme.

Ideja për të dërguar studentët që kryen praktikën trevjeçare në kompaninë tonë në një udhëtim në Kosovë, lindi nga dëshira për të krijuar një eksperiencë të veçantë që forcon bashkëpunimin dhe shpirtin e ekipit. Ajo ishte një mundësi për t’u njohur më mirë me kulturën, historinë dhe traditat e Kosovës, duke e shndërruar këtë udhëtim në një eksperiencë të pasur, edukative dhe emocionuese. Gjatë vizitës, kaluam kohë të shkëlqyer në Prishtinë, duke shijuar atmosferën e qytetit.

Një moment që na la shumë mbresa ishte vizita në Reporting House, një vend që na dha një pasqyrë të thellë të historisë dhe ngjarjeve që kanë shënuar kohën moderne të Kosovës. Po ashtu, udhëtimi na çoi në Prekaz, një vend mbresëlënës që na kujtoi sakrificat e jashtëzakonshme gjatë Luftës së Kosovës dhe forcoi më tej lidhjen tonë me historinë e vendit.

Një tjetër moment që do ta mbaj mend gjithmonë ishte vizita në Gjakovë, ku u pritëm me një mikpritje të jashtëzakonshme. Ndalesa jonë në restorantin e Familjes Kryeziu në Avenue ishte një mundësi për të shijuar ushqimin tradicional dhe për të kaluar kohë të bukur me njëri-tjetrin.

Po ashtu, ne vazhduam udhëtimin tonë në qytetin e bukur të Prizrenit, ku vizituam Lidhjen e Prizrenit, një vend historik që ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e kombit shqiptar. Po ashtu, shijuam bukuritë e qytetit dhe patëm mundësinë të vizitonim Shpellën e Gadimes, një vend shumë interesant që na befasoi me formacionet e saj natyrore.

Ky udhëtim ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme për studentët – jo vetëm për njohuritë kulturore që morën, por edhe për momentet që kaluan së bashku si ekip. Reagimi i tyre ishte tepër pozitiv; shprehën emocion, respekt dhe admirim për historinë dhe natyrën e Kosovës. Për mua, kjo është shumë e rëndësishme, pasi ndihmoi që ata të krijonin një lidhje më të thellë me vendin dhe me njëri-tjetrin.

Momente të tilla janë kujtime të bukura që do t’i mbajmë gjatë gjithë jetës – dhe ndiej një krenari të madhe që kam mundësinë të ofroj jo vetëm një mundësi pune, por edhe një eksperiencë të pasur njerëzore dhe kulturore për ata që janë pjesë e ekipit tim.

Albinfo.ch: Këtë vit keni marrë një vendim të rëndësishëm për të hapur një repart të veçantë për të moshuarit shqiptarë. Si lindi kjo nismë dhe çfarë synoni të arrini me të?

Merita Pinta: Vendimi për të hapur një repart të veçantë për të moshuarit shqiptarë erdhi si pasojë e një realiteti që e kam përjetuar nga afër gjatë viteve të punës sime. Shumë të moshuar nga komuniteti ynë në Zvicër, edhe pse marrin kujdesin e duhur profesional, shpesh përballen me një izolim emocional për shkak të barrierave gjuhësore, ndryshimeve kulturore dhe traditave të tyre. Ata kanë nevojë për një komunikim të ngrohtë, për njerëz që i kuptojnë dhe një mjedis ku gjuha, ushqimi, muzika, besimet dhe zakonet janë pjesë natyrale e jetës së përditshme.

Në repartin tonë, të moshuarit shqiptarë mund të ndjehen si në shtëpinë e tyre, sepse ne kujdesemi për ta në një mënyrë që respekton identitetin e tyre kulturor. Ky repart nuk është vetëm një vend ku ata jetojnë dhe marrin kujdes, por një hapësirë ku mund të ruajnë dinjitetin, shpirtëroren dhe përkatësinë e tyre kulturore – elemente që janë po aq të rëndësishme sa edhe kujdesi mjekësor dhe profesional.

Gjithashtu, nuk mund të harrojmë se sakrificat e brezit të vjetër janë ato që na kanë mundësuar të arrijmë këtu ku jemi sot. Si pjesë e këtij komuniteti, e ndjej si detyrim të kontribuoj dhe të bëj më të mirën për ata që kanë mundësuar gjithë këtë. Ky është një projekt që ka lindur nga dashuria dhe respekti për komunitetin tonë dhe do të vazhdojë të mbështesë të moshuarit tanë në mënyrën më të dinjitetshme.

Me këtë rast do të informoj komunitetin tim për hapjen e këtij reparti dhe për mundësitë që ofron për ata që kanë nevojë për kujdes dhe mbështetje të veçantë. Shpresoj që ky iniciativë të jetë një hap përpara në ndihmën dhe mbështetje për ata që na kanë dhënë gjithçka.

Albinfo.ch: Sot jeni shembull i një gruaje shqiptare të suksesshme në Zvicër. Çfarë mesazhi do t’u përcillnit vajzave dhe grave të reja shqiptare që ëndërrojnë të arrijnë sukses këtu?

Merita Pinta: Sa u përket vajzave dhe grave shqiptare që ëndërrojnë suksesin në Zvicër, mesazhi im është ky: besoni në veten tuaj, punoni fort dhe mos kini frikë të nisni nga zeroja. Suksesi nuk matet me shpejtësi, por me vazhdimësi dhe integritet. Merrni mbi vete rreziqe të mençura, investoni në dije, ruani vlerat dhe kulturën. Zhvilloni një komunikim te shendosh me njerëzit e afërt që ju mbështesin. Çdo grua ka forcë të jashtëzakonshme brenda saj – mjafton ta besojë, ta kultivojë dhe ta drejtojë atë drejt qëllimeve të saj. Nëse ne ia dalim, hapim rrugë edhe për të tjerët. Zvicra ka një sistem arsimor dhe mundësi të shkëlqyera që mund të shfrytëzohen, kështu që mos hezitoni të bëni hapin e parë. Këtu ka mundësi për ata që janë të gatshëm të punojnë dhe të sakrifikojnë për t’u bërë versioni më i mirë i vetvetes.

Albinfo.ch: Çfarë kuptimi ka për ju të jeni përzgjedhur si “Personalitet i Vitit” nga albinfo.ch?

Merita Pinta: Për mua, të jem përzgjedhur si “Personalitet i Vitit” nga albinfo.ch është një nder i madh, një vlerësim që nuk e shoh vetëm si arritje personale, por si një mirënjohje për punën, sakrificat dhe vizionin e të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e rrugëtimit tim. Ky çmim më jep motivim të vazhdoj me përkushtim dhe përgjegjësi edhe më të madhe, sepse e shoh si dëshmi se puna me vlerë, integriteti dhe këmbëngulja shpërblehen. Më bën të ndihem krenare për origjinën time, komunitetin tim dhe për faktin që mund të kontribuoj pozitivisht jo vetëm në zhvillimin profesional, por edhe në imazhin dhe fuqizimin e shqiptarëve në diasporë.

Albinfo.ch: Dhe në fund, si e shihni veten dhe rrugëtimin tuaj në të ardhmen – në dhjetëvjetorin e “Prima Pflege” dhe përtej tij?

Merita Pinta: Në të ardhmen, e shoh veten të përfshirë edhe më shumë në projekte të rritjes, inovacionit dhe profesionalizimit – jo vetëm të “Prima Pflege”, por edhe të vetes si lidere dhe sidoqoftë do te jem edhe më aktive në drejtim të organizimit të aktiviteteve kulturore artistike. Jam e vendosur të vazhdoj të ndërtoj, të sfidoj, të mësoj dhe të krijoj mundësi të reja. Në thelb, synimi im mbetet i njëjtë: të ndërtoj vlera që jetojnë gjatë dhe të jem shembull inspirimi për brezat e ardhshëm.

Reparti për të moshuarit shqiptarë

Në repartin tonë, të moshuarit shqiptarë mund të ndjehen si në shtëpinë e tyre, sepse ne kujdesemi për ta në një mënyrë që respekton identitetin e tyre kulturor. Ky repart nuk është vetëm një vend ku ata jetojnë dhe marrin kujdes, por një hapësirë ku mund të ruajnë dinjitetin, shpirtëroren dhe përkatësinë e tyre kulturore – elemente që janë po aq të rëndësishme sa edhe kujdesi mjekësor dhe profesional.