Storje Suksesi
Të shikosh botën nga lart ose magjia e fluturimit me helikopter
“Më shumë dëshiroj të fluturoj kur ka turbulenca se sa nëpër mot të mirë, sepse, kur mban kohë e mirë mund të fluturojë secili”, thotë Refki Shala, pilot helikopterësh
Refki Shala, nga Krusha e Madhe, është pilot helikopterësh në Zvicër. Ai, në intervistën e tij rrëfen për pasionin e tij të fluturimit, për adrenalinën që prodhon ky pasion dhe për kriteret që duhet të plotësohen për të ushtruar profesionin e pilotit.
Albinfo.ch: Ju keni një pasion interesant, fluturimin me helikopter: Si ka filluar ky pasion për ju?
Refki Shala: Është shumë interesante. Unë më parë kurrë nuk kisha treguar interesim për fluturim. Por ndodhi që mora një dhuratë për ditëlindje një fluturim prove (Schnupperflug) nga shoqëria. Kjo me pëlqeu aq shumë sa pastaj u interesova për fluturimin me helikopter.
Albinfo.ch: Sa vite keni që merreni me fluturime?
Refki Shala: Nga koha kur mora dhuratën e përmendur që më pëlqeu aq shumë, sa që thashë do të fluturoj edhe i vetëm, kanë kaluar më shumë se 10 vjet!
Albinfo.ch: A mund të imagjinoni që profesioni i juaj primar të ishte profesioni i pilotit?
Refki Shala: Jo, nuk kisha pasur dëshirë. Megjithëse thuhet: “Mos thuaj kurrë jo” (qeshet), më pëlqen të jem për disa orë në qiell dhe sërish kur kam tokën nën këmbë, jam disi i lehtësuar. Kam qejf t`i bëj planet e mia, e jo dikush të më udhëheq. Në qiell, je ti gjithmonë nën udhëheqjen e dikujt.
Albinfo.ch: Cilat janë kushtet që duhet plotësuar për të ngarë helikopterin. A duhen trajnime, shkollim, leje të qarkullimit?
Refki Shala: Po, duhen trajnime për përgatitjen e duhur psikike dhe fizike. Duhet të jesh i “hekurt”, i fortë dhe, natyrisht që nuk ka vend për frikë nga fluturimi. Teoria nuk është aq e lehtë. Ke punë me aerodinamikën, me kohën, duhet ta bësh planifikimi e fluturimit, llogaritje të llojllojshme, edhe plani B (nëse diçka nuk funksionon) është shumë e rëndësishme përgatitja e duhur etj. Nuk e dua teorinë, dua të fluturoj e jo të filozofoj. Unë më shumë kam dëshirë të fluturoj kur moti është i lig, se sa kur është koha e mirë, me diell. Në kohë të mirë mund të fluturojë secili prej nesh. Në qiell me turbulenca shihet pilotimi i profesionistëve. Duhet t’i bësh orët e duhura. Çdo 5 vjet duhet të shkosh te ekzaminuesi mjekësor që të kontrollon “prej majës së gishtërinjve të këmbëve e deri te maja e flokëve”. Dhe, në asnjë mënyrë nuk bën të kesh dosje penale.
Albinfo.ch: Sigurisht që përmes këtij fluturimi keni mundësi të shihni nga lart edhe shumë vende të bukura të Zvicrës. Mbi cilat vende fluturoni zakonisht?
Refki Shala: Jo vetëm në Zvicër, por në të gjitha vendet e Evropës që kam ateruar/fluturuar deri më sot. Duke filluar nga Zvicra dhe në gjitha anët e Austrisë. Po ashtu të Italisë, mbi qytetin e Venedikut dhe Milanos apo Romës. Fluturimet ishin magjike dhe mbi Kroaci, nëpër ishuj deri te qyteti historik i Dubrovnikut. Nga ana tjetër, prej Bazelit deri në Paris, afër kullës së Eifelit. Kam fluturuar në Spanjë me qindra kilometra, prej Palmës në Ibiza, Niza dhe anasjelltas. Në Portugali, prej veriut në jug dhe krejt buzë detit të kaltër nga një lartësi sa teduket që prek detin me kufat e helikopterit. Dhe, nga ana e tretë prej Bazelit, pjesa gjermane krejt e rrafshët, kam qenë në portin e Hamburgut deri te aeroporti i Würth-it. Në Belgjikë dhe Holandë, në qytetin historik të Amsterdamit. Në Danimarkë, në qytetin e Kopenhagës me një port dhe një qytet shumë të bukur. Në Norvegji me malet të larta sikur Zvicra, dhe temperaturat të ndryshme, 2-3 orë errësirë (natë) kishte. Në Suedi, me mijëra ishuj të vegjël, deri te qyteti i bukur Stockholm. Dhe, nga ana e katërt, prej Bazelit te pjesa franceze në Strassburgun historik, nga kanali anglez (ärmelkanal) mbi x minuta mbi ujë në Angli. Prej Londrës me 12 urat e saj në Bermingham dhe Manchester. Në Skoci, prej Glasgow në Edinburgh, deri te malet e larta të Skocisë (lochness). Irlandë në Dublininin e ftoftë me erë të pazakont për ne.
Albinfo.ch: Cili është fluturimi më i këndshëm që keni pasur?
Refki Shala: Kam realizuar shumë fluturime të mira. Duke filluar prej Liqenit të Rheinfallit në Zvicër, në Dubrovnikun historik, në mes të Parisit dhe malet e Skocisë, Majorka dhe Ibiza, të gjitha kanë qenë shumë të bukura. Dhe, nuk mund t’i dalloj. Në vitin 2025 është planifikuar të vizitojmë Kosovën dhe Shqipërinë. Besoj qe kjo do të jetë shumë emocionuese, pasi do të aterojmë me 4 helikopterë në vendlindje. Mezi po pres.
Albinfo.ch: Po, më i pakëndshmi, apo ndonjë moment i rrezikshëm?
Refki Shala: Fatmirësisht nuk kemi pasur ndonjë fluturim të tillë, pasi siguria është një prioritet kryesor. Vitin e kaluar në Norvegji kishte aq shumë erë sa u detyruam të ndërprisnim fluturimin dhe të ktheheshim prapa nga ku ishim nisur. Kjo duhet të pritet në çdo kohë/sekondë. Pa menduar shumë, thjesht ndryshon rrugën dhe kthehesh nga ke arrdhur. Nuk mund të rrezikosh.
Albinfo.ch: Çfarë mendoni derisa jeni në lartësi, çfarë ndjesie shkakton ky lloj fluturimi?
Refki Shala: Po, kur jam duke fluturuar në qiell, harroj gjithçka tjetër. I harroj të gjitha problemet e përditshme dhe thjesht vetëm i shijoj ato momente. Ndjehem “si një zog i lirë”.
Albinfo.ch: Sa shpesh e bëni këtë lloj fluturimi, cila ka qenë lartësia më e madhe që keni fluturuar dhe cili ka qenë destinacioni më i gjatë?
Refki Shala: Do të doja të fluturoja më shumë, edhe koha nuk na premton pasi kam punën tjetër dhe pasione të tjera. Kur më premton koha, fluturoj, nga Bazeli nëpër disa shtete të Evropës. Nuk është edhe aq lehtë, bëhet një organizim jo edhe i vogël, duhet të rezervohen aeroportet për shkak të karburanteve, hotelet si dhe vendet ku mund t`i parkojmë helikopterët. Jemi një grup prej 12-15 personash, të cilët të gjithë pilotojnë. Caktohet itinerari dhe data e nisjes për diku në 7 deri 11 shtete të Evropës. Destinacioni më i gjatë deri tani ka qenë Bazel- Norvegji.
Albinfo.ch: Për fund, këshilla juaj për të gjithë ata që dëshirojnë të bëjnë një fluturim me helikopter?
Refki Shala: Mund t’ju them vetëm: Realizoni ëndrrën tuaj! Që të nesërmen të mos pendoheni. Normalisht, vetëm nëse i plotësojnë kriteret e kërkuara për fluturim!
Kush është Refki Shala
Refki Shala, i lindur në vitin 1984 në Krushë të Madhe, shkollimin fillor e ka mbaruar në Kosovë. Që nga viti 1996 jeton në Zvicër, ku ka mbaruar shkollën e mesme në Kantonin e Cyrihut, shkollën profesionale si projektues për ndërtime të ulëta, menaxher ndërtimesh të larta. 14 vjet i angazhuar në dy kompani të njohura në Zvicër/Cyrih: anëtar i Bordit Ekzekutiv Halter/Sprüngli, prej vitesh me një kompaninë për shoferë VIP (Limosinendienst). Ai ka pasion dhe është i angazhuar në kompani të pronave të paluajtshme, instruktor i vetëmbrojtjes në shkollën e sigurisë dhe mbrojtjes së afërt.
Rozafë Rexhepaj
Të tjera nga Storje Suksesi
E-Diaspora
-
Kurti takoi të rinjtë nga diaspora që janë pjesë e Programit për Diplomaci Qytetare Pas shkëmbimit të tyre në ngjarjen përmbyllëse të programit për bursistët e gjeneratës së dytë në...
-
Rita Ora pritet të prezantojë MTV Europe Music Awards
-
«Mednest24», spitex-i që flet shqip në Zvicër
-
Ramë Dardania ekspozon në zemrën e qytetit të vjetër të Gjenevës, ‘Faces’, në La Galeri
-
Vlore Krug: Arsimi është më shumë se vetëm shkolla
Jeta në Austri
-
Austri: Sindikata bën thirrje për rritje page në tregti dhe hekurudha Sindikata Vida po bën thirrje për paga më të mira ndërsa negociatat e negociatave kolektive fillojnë...
-
Ligjet e rrepta të shtetësisë mund të përjashtojnë miliona nga votimi në zgjedhjet e ardhshme të Austrisë
-
Vjena do të rrisë subvencionet për dritat e rrugëve të Krishtlindjeve
-
Mbahet Kuvendi Zgjedhor i PSHDK-së në Vjenë, Anton Marku zgjidhet kryetar
-
Universitetet e Austrisë përballen me rënie të numrit të studentëve, ndërsa presionet financiare rriten