Lajme

Mërgimtarët nuk vijnë gjithmonë “për hair”

Ekspertët e ekonomisë i akuzojnë bizneset në Kosovë se po i fryjnë artificialisht çmimet gjatë ardhjes së mërgimtarëve, e kur ata po ikin, çmimet sipas tyre, po mbeten të larta

Diaspora kosovare vazhdon të mbetet amortizatori kryesor i stabilitetit social në Kosovë, duke kontribuar për çdo vit me nga 600 milionë euro remitenca. Por, ardhjes së mërgimtarëve, dikush po ia sheh “sherrin”, pasi që në prag të ardhjes, bizneset po i ngritin çmimet e konsumit, të cilat po mbesin të larta edhe pasi kurbetçinjtë po ikin.

Disa nga qytetarët e intervistuar nga Albinfo.Ch thonë se dyqanxhinjtë po e luajnë lojën me “hile”, sidomos para ardhjes së bashkatdhetarëve për pushime të verës. Sipas tyre, çmimet e konsumit të përditshëm, por ngriten në vijimësi dhe po vazhdojnë të mbesin gjatë gjithë vitit.

“Ata po vijnë një muaj ose edhe më pak, me xhepat plot, prandaj ngritja e çmimit 10, cent, 20 ose 30 cent nuk iu bën hiq përshtypje në disa artikuj. Ndërsa për ne që jemi këtu dhe që kemi të ardhura vetëm për ekzistencë, është katastrofë”, tha Ismaili, një qytetar nga Gjilani.

Edhe Gëzimi një qytetar tjetër e ka të njëjtin mendim.

“Është e natyrshme që diaspora ende po kontribuon në jetën tonë sociale, edhe pse nga njëherë po ia shohim sherrin sepse kur po vijnë ata dyqanet, kafenetë, restorantet po i ngritin çmimet, dhe kur ata po ikin, çmimit po mbesin”, shprehet ai si me ironi, sepse thotë se gjysmën e familjes i ka në kurbet.

Gëzimi thotë se disa artikuj janë shumë më të lirë në Zvicër se sa në Kosovë.

“Kam qenë dhe e kam vërejtur se në Migros disa artikuj, si vaji, pastat, artikujt higjenik, etj, janë shumë më lirë se sa në ETC, Interex, Viva… Ky është paradoks kur e konsideron pagën që merr një punëtor në Zvicër (4 mijë franga) dhe atë që merr një punëtor këtu”, deklaroi ai.

Bazuar në të dhënat e Bankës Botërore të cilat janë përditësuara në shtator të këtij viti, Kosova e ka Bruto Produktin Vendor për kokë banori më të ulëtin në rajon me 3815 dollarë amerikan. Sipas BB, më mirë nga vendet e rajonit është Kroacia me 13,529 dollarë amerikanë.

Po ashtu Kosova konsiderohet shteti më numrin më të madh të papunëve me mbi 30 për qind. Ndërsa sipas statistikave të Bankës Botërore, rreth 30 për qind e popullsisë në Kosovë jetojnë në varfëri ordinere, ndërsa 10 për qind në varfëri të skajshme me 2.5 dollarë shpenzim ditor.

Naim Gashi është ekonomist dhe profesor në Universitetin e Prishtinës. Ai tha për Albinfo.ch se diaspora po jep një kontribut të rëndësishëm për familjet e tyre në Kosovë, por edhe për ekonominë e Kosovës në përgjithësi, duke qenë kontribuues të drejtpërdrejt të rritjes së produktit të brendshëm bruto (GDP) dhe të përmirësimit të bilancit tregtar.

“Por, është fakt se ngritja e çmimeve ndodh me rastin e ardhjes së mërgimtarëve në Kosovë për shkak të rritjes së vëllimit të shitjeve. Është rregull e ekonomisë së tregut që me rritjen e vëllimit të shitjes, rriten edhe çmimet dhe kjo nuk ndodh vetëm me rastin e ardhjes së mërgimtarëve tanë, por edhe me rastin e festave zyrtare”, deklaroi Gashi.

Në ekonominë e lirë, sipas tij, çmimet i përcakton tregu, por autoritetet kompetente dhe inspektoratet, qofshin të nivelit qendror ose lokal, siç tha profesori i UP-së, duhet të bëjnë inspektimin nëse këto çmime po rriten artificialisht në dëm të konsumatorëve.

“Fatkeqësisht tregjet dhe të gjitha dyqanet tjera në Kosovë nuk janë të kontrolluara sa duhet, kështu që mundësia e fryrjes artificiale të çmimeve ekziston dhe këtë barrë e bartin qytetarët e Kosovës”, deklaro Gashi.

Edhe Selatin Kaçaniku, përfaqësues i organizatës Joqeveritare “Konsumatori” e konsideron jolojale ngritjen e çmimeve nga bizneset në prag të ardhjes së mërgimtarëve. Ai thotë se ka marrë shqetësime të shumta nga qytetarët, por këto kanë mbetur vetëm si shqetësim dhe asgjë më shumë.

“Kemi marrë vërejtje dhe shqetësime, por jo aq shumë sa duhet të ketë. Edhe konsumatorët e kanë humbur besimin sepse kërkesat dhe rekomandimet e tyre kanë hasur në vesh të shurdhër. Ata që reagojnë në mbrojtje të qytetarëve janë mediet dhe Organizata “Konsumatori” e aty këtu edhe ndonjë inspektor i tregut. Të tjerët po shuajnë”, deklaroi ai.

Ndryshe, sipas ekspertëve financiar, diaspora është investuesi më i madh në Kosovën e pasluftës, me 5 miliardë euro investime në 10 vitet e fundit. Shumica e këtyre parave kanë shkuar për konsum të përditshëm, ndërsa vetëm një pjesë e vogël në investime të ndërmarrjeve të vogla e të mesme.