RTS (Radio Televizioni Zviceran) raportoi të mërkurën mbi krizën e thellë institucionale në Kosovë, ku për të tridhjetën herë radhazi Kuvendi nuk ka arritur të zgjedhë kryetarin e tij, duke e lënë të bllokuar të gjithë procesin e formimit të qeverisë. Kanë kaluar më shumë se katër muaj nga zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit, por vendi mbetet në ngërç politik.
Partia në pushtet, Vetëvendosje (VV), e cila doli fituese e zgjedhjeve me 48 nga 120 ulëse në Kuvend, nuk arriti të sigurojë shumicën absolute dhe nuk ka arritur të krijojë një koalicion qeverisës. Pa një kryetar Kuvendi të zgjedhur, nuk mund të formohet as qeveria e re.
RTS thekson tutje se opozita po refuzon të marrë pjesë në votim.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare Kuvendi, por pa sukses. Një përpjekje për ta kaluar votimin me votim të fshehtë dështoi gjithashtu për mungesë kuorumi, thekson RTS.
Situata është kthyer në një cikël të pafund: Kuvendi mblidhet çdo 48 orë, siç e kërkon ligji, por pa rezultat. Deri më tani janë zhvilluar 30 seanca pa zgjedhje të kryetarit.
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka propozuar formimin e një qeverie kalimtare të unitetit kombëtar, duke deklaruar se: “Nuk kemi as Kuvend funksional, as qeveri funksionale dhe as përfaqësim legjitim.”
Mediumi zviceran nënvizon se kjo krizë institucionale mund t’i kushtojë Kosovës miliona euro ndihmë nga Bashkimi Evropian. Rreth 883 milionë euro ndihma dhe grante janë në rrezik për shkak të pamundësisë për të ratifikuar marrëveshjet e nevojshme.