Integrimi

Me shtetësi të dyfishtë, pjesëmarrës në formësimin e Zvicrës

Transmetuesi publik i Zvicrës, radioja srf ka zhvilluar një intervistë me drejtorin e platformës albinfo.ch Bashkim Isenin, ku krahas portretimit të tij bëhet edhe prezantimi i profilit të platformës sonë

Bashkim Iseni udhëheq portalin e lajmeve albinfo.ch. Ai beson se njeriu nuk është qytetar i vetëm një vendi të kësaj bote. Dhe Iseni angazhohet që bashkëqytetarët e tij shqipfolës në shtëpinë e tyre zvicerane të kenë pjesën e tyre në marrjen e vendimeve dhe të  kenë një rol në formësimin e jetës në këtë vend – edhe kur nuk e kanë pasaportën zvicerane.
Ai është i lindur në Maqedoni. Prindërit e tij vijnë nga Kosova ndërsa në moshën 18 vjeçare Bashkim Iseni vjen në Zvicër. Babai i tij ishte punëtor ndërtimi ndërsa nëna vinte nga një ambient me kushte modeste jetese. Bashkimi ndërtoi një karrierë brilante akademike: mbaroi politologjinë në Universitetin e Lozanës, doktoroi, pastaj mbaroi edhe shkollën elitare Idheap për ekonominë e ndërmarrjeve.
Sot Bashkim Iseni udhëheq portalin e lajmeve albinfo.ch, një magazinë lajmesh për popullatën shqipfolëse të Zvicrës. Portali ka lindur falë një shkrepjeje të idesë se në Zvicër “madje edhe për diasporën ruse ekziston një kanal lajmesh por jo  edhe për minoritetin shqipfolës, shumë më të madh në numër”.
Iseni iu përvesh punës, ngriti një redaksi por para së gjithash e ndërtoi një koncept. Konceptin sipas të cilit “të gjithë shqipfolësit këtu në Zvicër kanë një lidhje të fortë me Zvicrën dhe megjithatë mund t`i kenë rrënjët e tyre në Kosovë, Maqedoni ose Shqipëri”. Një vizion i një identiteti që, siç e thotë Iseni “nuk është statik”.
Kështu, në albinfo.ch mund të gjesh reportazhe lidhur me Ligjin për Natyralizimin në Zvicër ashtu sikurse edhe një raportim mbi marrëveshjen për taksat e dyfishta Zvicër-Shqipëri. Aty gjen një shkrim për një shfaqje teatrore nga Kosova në Bazel, krahas një hulumtimi për menaxhimin e mbeturinave në Shqipëri.
Vështrimi drejt atdheut por edhe drejt Zvicrës. Kjo i intereson Bashkim Isenit sepse  siç thotë ai “është me siguri e rëndësishme të dihet çka po ndodh në Kosovë por ka më shumë rëndësi të dimë se si po ecin punët në Cyrih, atje ku jeton”.
Ai po kalon nëpër një sfidë. Me vetëdije të plotë ai e kërkon  “të ndërmjetmen”.
Bërthamën e redaksisë së tij e përbejnë katër veta. Por portali ka korrespondentë të panumërt në Ballkan dhe në Zvicër. Bashkim Iseni shkruan, koncepton, organizon. Ai del me dëshirë nganjëherë edhe para kamerës, moderon në albinfo.tv, që është e integruar në portal. I lirshëm, kureshtar, me shikimin gjithmonë të drejtuar nga e veçanta e cila “shtrihet jashtë klisheve”. Iseni bën pjesë në mesin e 100 personaliteteve më me ndikim në kantonin Vaud.