Lajme
McCain: Uashingtoni nuk do ta lë vetëm Kosovën
Senatori amerikan John McCain gjatë një vizite që i bëri Prishtinës, tha se Uashingtoni nuk do ta lë vetëm Kosovën, madje mbështet edhe themelimin e ushtrisë së saj, por vetëm me ndryshime të Kushtetutës
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të përkushtuara për të ndihmuar Kosovën në rrugën e saj integruese dhe shtetformuese. Kështu deklaroi senatori amerikan John McCain gjatë një vizite që i bëri Prishtinës. Ai tha se Uashingtoni nuk do ta lë vetëm Kosovën, madje mbështet edhe themelimin e ushtrisë së saj, por vetëm me ndryshime të Kushtetutës.
Këto komente, McCain i ka bërë në një fjalim para Kuvendit të Kosovës, i cili është mbledhur në një seancë solemne, pikërisht për senatorin republikan. Ai tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për paqe e stabilitet në gjithë Evropën, e në këtë kuadër edhe në rajonin e Ballkanit.
Sa i përket Kosovës, McCain ka lavdëruar angazhimin e institucioneve të Kosovës për luftimin e terrorizimit.
“Kosova është aleate në luftimin e terrorizmit dhe duke treguar kontributin e saj, dëshmon se mund të jetë anëtare e familjes së shteteve në luftimin e kësaj dukurie”, ka theksuar McCain, sipas të cilit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë me Kosovën në angazhimin e saj për t’i përmbushur standardet që e drejtojnë atë në Bashkimin Evropian dhe strukturat tjera ndërkombëtare, ka theksuar ai.
McCain u ka bërë thirrje edhe deputetëve të Kosovës që ta ratifikojnë Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, në mënyrë që vendi të sigurojë heqjen e vizave për qytetarët e saj.
Në vijim, McCain tha se Kosova është shtet sovran dhe se përpjekjet për krijimin e ushtrisë janë legjitime, por sugjeroi që transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese.
Ai tha se Kosova duhet të ndërtojë raporte politike me NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aletarët, kështu që ky transformim duhet të jetë i koordinuar dhe gjithëpërfshirës.
“Është shumë me rëndësi që transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës të bëhet përmes amendamenteve kushtetuese”, ka thënë McCain i cili e ka inkurajuar Prishtinën zyrtare që ta vazhdojë dialogun me Serbinë deri në normalizimin e raporteve. Ai tha se ky proces nuk është aspak i lehtë, por Kosova, si tha ai, duhet t’i tregojë botës se është në gjendje që të falë dhe se në këtë rrugë, ajo nuk është vetëm.
“Le të jetë Kosovë vendi që i tregon botës edhe njëherë se pajtimi është i mundshëm. Përderisa e bëni këtë, përderisa Kosova ecë në këtë rrugë të gjatë e të vështirë, ajo nuk do të ecë vetëm. Amerika dhe unë do të jemi me ju. Po, ne do të jemi me ju dhe me vendet e Evropës Juglindore për arsyen e thjeshtë, sepse nëse vendi im e lë vetëm këtë rajon, atëherë e lë veten në rrezik”, ka theksuar McCain, citon REL.
Ai ka porositur institucionet, që të vazhdojnë dhe me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Kurse në aspektin ekonomik, ka sugjeruar vazhdimin e reformave ekonomike, ndërtimin e Termocentralit Kosova “C” si dhe vazhdimin e ndërtimit të infrastrukturës rrugore.
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se kjo vizitë përbën një festë të lidhjes së fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës. “Shtetet e Bashkuara mbështetën Kosovën në rrugën e saj për liri e pavarësi dhe se kjo mbështetje tani vazhdon me ndihmën e treguar për zhvillimin e shtetit të Kosovës”, tha ai.
Veseli e veçoi si nder për të, faktin që ishte lideri i vetëm në Ballkan, që kishte rastin deri tash ta takonte presidentin amerikan Donald Trump.
Pas seancës solemne, senatori McCain është pritur në një takim të mbyllur për media nga kryeministri i Kosovës, isa Mustafa. Ndërsa Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pritet të nderojë të premten senatorin, John McCain, me çmimin “Urdhri i Lirisë”. Ky çmim, atij i ndahet për kontributin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për rolin e tij në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.
Senatori republikan ka nisur nga 7 prilli një turne në Ballkanin Perëndimor, rajon ky, ku Rusia po përpiqet të rrisë ndikimin politik dhe ekonomik. Ai ka qëndruar në Sarajevë, Beograd, ndërsa pas Prishtinës shkon në Tiranë.
E-Diaspora
-
Bern: Event mbi integrimin përmes punës dhe ndërmarrësisë Më 28 mars 2026, në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bern, mbahet një... -
Austri
Në Parlamentin e Austrisë, të premten mbahet konferenca „Kosova në BE“ -
Kuzhina shqiptare në qendër të festimeve frankofone në Suedi -
Erjon Tasholli, ylli i ardhshëm i futbollit evropian -
Japoni
Edisa Shoshi diplomon në Master në Universitetin e Tokios
Jeta në Austri
-
Austri
Në Parlamentin e Austrisë, të premten mbahet konferenca „Kosova në BE“ Konferenca “Kosova në BE” në Parlamentin Austriak shënon 27 vjetorin e ndërhyrjes humanitare të NATO-s në... -
Tragjedia e Vjenës: I lënduari është Nazmi Muharremi – flet vëllai që ia shpëtoi jetën -
Në Vjenë ndizen qirinj për viktimat e aksidentit tragjik -
Austri: Kosovarja shkakton aksident me makinë, lëndohet rëndë çiklistja -
Janë nisur drejt Kosovës trupat e viktimave nga aksidenti në Vjenë












