Lajme

Marsh kundër homofobisë në Kosovë

Në Prishtinë është organizuar një marsh kundër homofobisë në ditën ndërkombëtare komunitetit LGBT

Motoja e këtij parakalimi  ishte “Homoseksualiteti nuk është sëmundje, urrejtja është”. 
 
Në një komunikatë  të Qendrës për zhvillimin e grupeve shoqërore – CSGD dhe në bashkëpunim me organizata të tjera në Kosovë,  thuhet se  kjo ditë është zgjedhur që të kujtohet heqja e homoseksualitetit nga Klasifikimi Ndërkombëtar i Sëmundjeve Mendore nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) më 17 Maj 1990.
 
“Kosova ka bërë progres në këtë drejtim duke siguruar mbrojtje për pjesëtarët e komunitetit Lesbike Gej Biseksual dhe Transgjinor LGBT me anë të ligjeve të ndryshme duke përfshirë ndalimin e diskriminimit në bazë të orientimit seksual dhe duke ndëshkuar më ashpër ata të cilët nxisin urrejtje ose sulmojnë dikë për shkak të perceptimit apo orientimit seksual.”, thuhet në komunikatë.
 
Megjithatë, sipas Qendrës për zhvillimin e grupeve shoqërore – CSGD zbatimi i këtyre ligjeve ende mbetet i dobët dhe në shumë raste të drejtat e njeriut për komunitetin LGBT mbeten të pa plotësuara.
 
“Problem kryesor ende mbetet “urrejtja e vazhdueshme që ekziston gjithkund”, thuhet në komunikatën e Qendrës për zhvillimin e grupeve shoqërore – CSGD.
 
Ditë më parë në Prishtinë është lansuar edhe zyrtarisht projekti i binjakëzimit të BE-së “Lufta kundër homofobisë dhe transfobisë”,  i cili i ka paraprirë shënimit të Ditës Ndërkombëtare kundër këtyre dy dukurive.