Lajme
Marrëveshjet që “kënaqin” të gjithë, përveç opozitës
Serbia dhe Kosova i konsideruan fitore katër marrëveshjet e shumëpritur për normalizim të raporteve ndërshtetërore, ndërsa opozita e konsideron ndarje të Kosovës
Kosova dhe Serbia, pas disa përpjekjeve të dështuara, kanë nënshkruar mbrëmë në Bruksel, katër marrëveshje esenciale për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore. Është nënshkruar marrëveshjet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe; telekomin; energjetikën dhe heqjen e të ashtuquajturit “Park i paqes”.
Por, e veçanta e kësaj marrëveshje që u nënshkrua në pako, është se të dy palët e kanë shpallur veten fitues, Kosova që tha se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe Serbia që e konsideron “Zajednicën” si institucion ekzekutiv. Ndërsa BE marrëveshjen e u cilësoi si historike.
Në anën tjetër, nënshkrimi i marrëveshjes së mbrëmshme ka ndezur opozitën dhe shoqërinë civile në Kosovë. Për opozitën, marrëveshja e djeshme legjitimon ndarjen e Kosovës, duke iu dhënë kompetenca ekzekutive serbëve në veri në fushën e arsimit, shëndetësisë, financimit nga Serbia dhe në zgjedhjen e policisë rajonale.
Megjithatë, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, tha se “katër marrëveshje u nënshkruan pas një dite të gjatë të dialogut Serbi – Kosovë. Në rrjetin Twitter ajo ka theksuar se kjo është e arritur historike në procesin e normalizimit.
Kryeministri Isa Mustafa, që drejtoi delegacionin kosovar në këto bisedime, tha se të gjitha marrëveshjet janë arritur në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duke theksuar se kjo është një “fitore për Kosovën”. Sa i përket Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Mustafa tha se roli i këtij Asociacioni nuk do të jetë ekzekutiv.
“Baza ligjore apo legale e Asociacionit janë ligjet e Republikës së Kosovës dhe ato nuk lejojnë që të kenë asnjë kompetencë ekzekutive në Kosovë. Ndërkaq, Asociacioni mund t’u ndihmojë komunave me shumicë serbe që ato të rrisin efiçencën e veprimtarisë së vetë në shumë fusha. Por, ne me këtë nuk kemi lënë asnjë mundësi që të lindë një Republikë serbe, ashtu siç është në Bosnjë”, tha Mustafa.
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se marrëveshjet e arritura në Bruksel, garantojnë siguri për serbët në Kosovë. “Sonte vendoset bashkësia e komunave serbe, e cila do të ketë kompetenca të gjera, do të ketë kryetarin, nënkryetarin, kuvendin, këshillin, stemën, flamurin…do të mund të financohet nga Serbia”, ka deklaruar Vuçiq për mediet serbe.
Asociacioni, sipas tij, do të ketë kompetenca në shëndetësi, arsim, planifikimin urban dhe rural, zhvillim ekonomik dhe fusha tjera.
Ndërsa drejtori i Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq, ka thënë se pas nënshkrimit të marrëveshjes në Bruksel, Serbia fitoi me 5:0 kundrejt Kosovës.
“Nëse flasim me terma sportivë, mund të themi se Serbia fitoi 5:0 kundër Kosovës. Asociacioni i Komunave serbe do të ketë presidentin, asamblenë, lidhje direkte institucionale me Serbinë dhe fuqi në shumë aspekte tjera”, ka thënë ai, duke shpallur veten fitues.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërkaq tha se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, ndërsa roli i saj do të jetë një OJQ për serbët. “Asociacioni do të jetë një OJQ, që komunat të bashkë- punojnë ndërmjet vete, ngjashëm sikurse është Asociacioni aktual i Komunave të Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Ndryshe, sipas marrëveshjes së djeshme, punimet në largimin e barrikadës mbi urën e Ibrit do të fillojnë më 15 tetor, ndërsa do të përfundojnë rreth muajit qershor 2016, pasi do të punohet edhe në disa objekte përcjellëse. Ndërsa shumë shpejt Kosova do ta marr edhe prefiksin e vet ndërkombëtar 383.
Opozita në anën tjetër vazhdon ta kundërshtoj marrëveshjen. I menjëhershëm ka qenë reagimi i liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili në një konference për media, tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshje shkel mbi interesat e Kosovës dhe popullit të saj.
“Nënshkrimi i marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe mendojmë se është kthim mbrapa për Kosovën, është një situatë që Kosovën e kthen mbrapa dhe e vendos në një pozicion të komplikuar të zhvillimit më tej. Aleanca e shpreh kundërshtimin e vet për marrëveshjen e tillë e cila në shumë dimensonie rrezikon me funksionimin e sovranitetit, integritetit territorial por edhe shtetësisë së Kosovës”, ka thënë Haradinaj.
Ndërsa përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje kanë paralajmëruar përshkallëzim të situatës pas nënshkrimit të marrëveshjeve. Edhe ata e konsiderojnë t dëmshme themelimin e Asociacioni të Komunave serbe, e cila, siç kanë thënë ata, krijon një Republika Srpska në Kosovë.
Analisti Lumir Abdixhiku thotë se Asociacioni i Komunave serbe ka të gjitha elementet e një entiteti autonom. Sipas tij, Asociacioni ka qëllime të varësisë së saj, të pengimit të saj, të refuzimit të saj dhe se, siç thotë ai, Republika nuk i ka afruar refuzuesit e saj, ajo veçse i ka fuqizuar ata.
“Me kompetenca të plota e të pavarura në ekonomi, shëndetësi, edukim, dogana, polici, gjyqësor, buxhet e territor – me shërbyes civil e aspak joqeveritarë, me Kuvend, Kryetar e identitet të veçantë, Asociacioni ka të gjitha elemente e një entiteti autonom”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social.
Asociacioni pra, është, në versionin më të thjeshtë, një model i autonomisë së gjerë në Kosovë, konsideron Abdixhiku.
E-Diaspora
-
Nxënësit shqiptarë në Parma festojnë Pavarësinë e Shqipërisë Shkolla Shqipe “Scanderbeg” në Parma feston Pavarësinë Shqipërisë... -
Paris
Paris: Inaugurohet Qendra Kulturore e Shqiptarëve -
Një buqetë dritash, tingujsh e ngjyrash për Ditën e Flamurit, në Winterthur -
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora -
Ekspozita personale “Gjurmët në Medalion” e Valbona Gashit hapet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë
Jeta në Austri
-
“Varg e Vi” me projekt në Vjenë Organizata e Pavarur Kulturore, “Varg e Vi”, në lokalin alternativ për aktivitete kulturore, “7stern”, në Vjenë... -
Policia bastisë shtëpinë e 46 vjeçarit në Austri, zbuluan simbole naziste -
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje -
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë”











